Leci afër largimit nga Kalmari

Futbollisti kosovar Liridon Leci është zhgënjyer me injorimin që i ka bërë trajneri i Kalmarit, Kurt-Arne Bergstrand, gjë kjo që e ka shtyrë seriozisht të mendojë largimin nga kjo skuadër që garon në elitën e futbollit suedez. “Boll durova.
Kjo është e tepërt, trajneri asnjëherë nuk ma dha rastin dhe kjo më ka zhgënjyer. Kanë mbetur edhe 3 ndeshje deri në përfundim të kampionatit dhe besoj se këtu do të jetë fundi im në këtë skuadër”, tha Leci, duke shuar se edhe afatin e kaluar ishte i mendimit të largohet, por skuadra nuk e la të lirë.
“Para 6 muajve desha të largohem. Isha ne bisedime me skuadrën e Jonkopingut dhe arritëm marrëveshje, por Kalmari kërkoi vetëm të më huazojë për 6 muaj, dhe për këtë nuk u pajtuan ata”, tha Leci, i cili mundësinë e vetme të mbetjes në Kalmar e sheh nëse largohet trajneri, me të cilin sa herë që ka biseduar i ka thënë se llogarit në të. “Kam pasur 2-3 takime me trajnerin dhe kam kërkuar sqarim pse nuk luaj. Ai më ka thënë se 95 për qind je pjesë ekipit dhe se llogarit në mua, por kurrë këto fjalë nuk i mbajti, madje as rastin nuk ma jepte. Unë kam punuar shumë gjatë kësaj periudhe, kam stërvitur vazhdimisht dhe kam dhënë maksimumin, por prapë isha jashtë ekipit”, tha 27 vjeçari.
“Këtu kam kontratë edhe 1 vit, por kam kërkuar nga klubit të largohem. Janë 3 klube që kanë shprehur interesim për mua dhe të shohim si do të shkojnë gjërat. Sigurisht do të zgjedh ofertën më të mirë”, vlerësoi mbrojtësi prishtinas, që në futbollin skandinav, bashkë me Alban Dragushën kalojë para dy viteve nga Superliga e Shqipërisë, saktësisht nga skuadra e Besës së Kavajas. Kalimi i tyre bëri shumë bujë, por ja që asnjëri nuk pati fatin të shpërthej, siç bëri portieri i kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha që gjithashtu është pjesë e kësaj skuadre.
“Çdo gjë është e mundshme, madje edhe të largohem nga futbolli suedez për të kaluar në ndonjë vend tjetër. Por po e përsëris, fillimisht do të hy në bisedime me ato skuadra që isha para 6 muajve dhe të shohim pozicionin e tyre”, përfundojë, futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Liridon Leci.(zeri)