KKGJILAN

Le të tallen të gjithë me Kosovën tonë të dashur

/ 5 minuta lexim

Nga Berat Buzhala – Ne jetojmë në një shtet ku gjysma e ministrave kanë aktakuza, duke e përfshirë edhe Ministrin e Punëve të Brendshme, prandaj, sigurisht që nuk e meritojmë të bëhemi pjesë e Interpolit. Ne thjesht meritojmë të jemi në listat e Interpolit. Nëse themi që Behgjet Pacolli duhet të jap dorëheqje për shkak të dështimit të Kosovës për t’u bërë anëtare e Interpolit, kjo vetëvetiu nënkupton që ne paskemi pasur pritje për punën e tij në diplomaci. Prandaj, le ta çojë dorën ai që ka menduar kështu?

Unë për veti jo.

Në fakt, as nuk e di nëse jam i mbushur me mllef pas dështimit të sotshëm. Pse cka pritët? Qe befasisht institucionet tona, të udhëhequra shatra – patra, e paskan kryer një punë për së mbari? Që Behgjet Pacolli, me avionin e tij privat, paska arritur që jo vetëm t’i bindë shtetet që na kanë njohur, por edhe ato që nuk na kanë njohur, që ta cojnë dorën lart e më lart për ta pranuar Kosovën në një organizatë serioze?

Madje, po e them këtu pa hile, jam pak i hidhëruar me vetën përse e pata një moment të dobësisë, kur gati fillova t’u besoj këtyre mashtruesëve që i kanë siguruar votat e duhura për ta bërë Kosovën shtet anëtar të Interpolit. Ishte pak a shumë sikur kur fillon të besosh që do ta fitosh – më në fund – një tiketë në bastore, pas qindra humbjesh.

Me gjasë kjo ndodhi sepse gënjeshtrat dhe propaganda e javës së kaluar, e orkestruar nga shefi i diplomacisë, kishte dhënë efektin e duhur. Pastaj mënyra se si i mblodhi ajkën e gazetarisë kosovare për t’i marrë në Dubai, për të qënë dëshmitar se si Kosova po e fiton një betejë të rëndësishme politike dhe diplomatike. Kush do të ishte kaq idiot – mendova dje – që ta bëjë gjithë këtë zhurmë, që t’i tubojë pas vetës gjithë këta gazetarë, për ta ekspozuar humbjen e tij në mënyrë kaq trumpetuese. Por ia që Behgjet Pacollit duhet t’ia heqim kapelën për këtë talent.

Hidromorava

Tash, pas përfundimit të festës në Dubai, po duket që Qeveria, Pacolli, dhe Presidenti, më shumë paskan harxhuar mjete dhe energji për të na bindur ne që pranimi i Kosovës në Interpol ishte i rëndësishëm, se sa për t’i bindur ata që kishin të drejtë vote.

Kur kjo nuk ndodhi, kur u bëm përallë e botës, kur për ne nuk votuan as shtetet që e kishin njohur pavarësinë e Kosovës, Pacolli filloi të shpërndajë gënjeshtra nëpër portalet që i financon se si Serbia u paska dërguar femra në dhomat e hoteleve delegatëve të shteteve të ndryshme, në mënyrë që pastaj t’i shantazhojë ata. Ja pra, saktësisht edhe për shkak të kësaj mënyre të punës, ne nuk e meritonim të ishim në Interpol. Na duhet vec edhe pak punë e këtillë për të konstatuar njëzëri që ne nuk e meritojmë të quhemi as shtet, por njëfar banana republike që rastësisht ndodhet në Evropë, e që rastësisht në një moment të dobësisë së Perëndimit u njohëm si të tillë.

Prandaj do të ishte shpërqëndrim i vëmendjes, nëse ne do të kërkonim koka specifike për edhe një dështim më tepër të Kosovës, në arenën ndërkombëtare.

Është e kotë ta godasim Pacollin, ose të shkojmë aq larg sa ta kërkojmë kokën e tij. Ai është vetëm simptomi. Ai na tregon më së miri se ku jemi si shoqëri. Te Pacolli ne e shohim se si shteti është rrëmbyer prej institucioneve dhe është bartur nëpër kullat e tij, nëpër avionat e tij privatë, nëpër jahtat e tij. Për më tepër nuk është që Pacolli i ka rrëmbyer institucionet, ose bartësit e tyre. Janë bartësit e institucioneve ata që e kanë rrëmbyer Pacollin. Te ai, te pasuria e tij, ata e kanë realizuar ëndrrën e tyre. Lluks. Dekandencë. Papërgjegjësi. Jotransparencë. Cdo gjë mund të realizohet te ai. Te Baci. E Baci, është i dashur për të gjithë njëjtë. Kur burrat prishen me njëri tjetrin, shkojnë te Baci për darkë. Kur nuk dinë se si t’i pastrojnë tepricat financiare, shkojnë te Baci për të marrë ide. Kur dëshirojnë t’i shesin pronat e tyre mbi cmimin e tregut shkojnë te Baci për t’i shitur ato. Kurse, kur mbesin mangut për deputet për ta formuar e rrethojnë shtëpinë e tij për t’ia marrë ata që ai i fitoi në zgjedhje te një parti tjetër.

Mos me keqkuptoni, edhe sikur të mos ishte Baci, do gjendej një bac tjetër, një Blerim tjetër, a një Shkelqim tjetër. Mirëpo këta nuk janë problem. Këta as nuk janë fajtor përse Kosova nuk po bëhet pjesë e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare.