Hidromorava

Le të kujtojmë porosinë e Çabejt për standardin e gjuhës

/ 9 minuta lexim
RCCOLA

Tiranë – Një lexues i rregullt i shtypit të përditshëm nuk e ka të vështirë të konstatojë se prej disa vitesh në faqen kulturore ka parë shpesh lajme që lidhen me të ashtuquajturën gjuhë letrare, ose standardin e shqipes (fatmirësisht sot po përdoret më shumë kjo strukturë).

Termi i parë, gjuhë letrare, reflektim direkt i kohës nga e cila mori dhe prestigjin, diktaturës, sot e ka humbur këtë të fundit dhe dendurinë më të madhe të përdorimit e ka struktura standardi i shqipes.

Dhe kjo me të drejtë, pasi teorikisht ky i fundit është term më gjithëpërfshirës, ndërsa i pari në parim indukton diktatin njësues të politikës së kohës , që dhe krijimtarinë letrare, veç tekstologjive të tjera, e kornizoi edhe tekstin letrar brenda një kodi të tillë, shkruan Albana Deda në gazetën Panorama.Natyrisht, ky lexues i rregullt ka vënë re gjithashtu se këto lloj debatesh kanë pasur amplituda të ndryshme zhvillimi, të ndikuara edhe nga zhvillime jashtëgjuhësore, proces i pashmangshëm ky, sidomos kur bëhet fjalë për një fenomen të tillë si standardi (një gjë e tillë ndodh në të gjitha gjuhët).

Diskutimet kryesore janë përqendruar kryesisht në mënyrën se si u realizua vetë standardi, ndikim i kamufluar deri diku i politikës së kohës (megjithëse se teorikisht pranohet tashmë se ndikimi i kësaj të fundit është i njohur edhe për standardet e gjuhëve tjera), dhe më pas, në nevojën e ndryshimit të elementeve të caktuara sipas rrafsheve të caktuara të studimit gjuhësor.

Debatet kanë përvijuar qartë dy kampe të angazhuara edhe politikisht deri diku. Njëra palë janë hartuesit ose nxënësit e hartuesve të dikurshëm të këtij varianti që kemi dhe sot (Madje ka nga ata që deri më sot e kanë shkrirë jetën e tyre shkencore duke kontribuar pikërisht në ruajtjen e paprekshmërisë së tij. Këto reminishenca vihen re nga qëndrimi nihilist i tyre ndaj çdo lloj alternative tjetër. Një devotshmëri e tillë i la pa botuar në ndonjë rast qoftë dhe një monografi të vetme shkencore). Nga ana tjetër shfaqet pala e dytë, e cila përgjithësisht ka shprehur idenë e hapjes së dyerve të standardit, sidomos ndaj hyrjeve të reja nga dialektet dhe ka shprehur dhe raste konkrete ndryshimi.

Dihet se standardi në parim përfshin në vetvete normën fonetike, morfologjike, sintaksore (nëse arrihet ashtu si duhet kjo e fundit do të ishte rast ideal), të gërshetuar me atë semantike që shfaqet më e lirshme.

Po të shihen sidomos diskutimet e këtyre ditëve të fundit, debati është përqendruar pothuajse vetëm në rrafshin fonetik, e kryesisht në lidhje me përdorimin e “ë”-së në pozicione të ndryshme të saj. Pra, në fund të fundit, shfaqet shumë i kufizuar.

Edhe në rastet kur u mendua që këto diskutime të merrnin formë të plotë për të gjitha rrafshet e studimit, siç ishte Konferenca Ndërkombëtare e Durrësit, praktikisht nuk u ra në ndonjë emërues të përbashkët (përveç faktit se duhet të hapeshin dyert ndaj hyrjeve nga dialektet).

Në fakt, në këtë konferencë tema më e lakuar qe ajo që lidhej me paskajoren e gegërishtes (me punu), e cila nga njëra palë u trajtua si kancer i sistemit gjuhësor.

Kur infinitivi u mundua të zëvendësohej deri diku nga lidhorja e paskajorja “për të punuar”, megjithëse gjuhëtarët e mirëfilltë e dinë mirë se këto dy forma, gjithsesi, nuk i mbuluan të gjitha modelet strukturore dhe kuptimet specifike që infinitivi “me punu” përcjell, kjo nuk u pa si prishje e sistemit.

Kemi parasysh se po flasim teorikisht për atë strukturë që në shumicën e gjuhëve moderne ekziston në standardet e tjera dhe përbën dhe trajtën përfaqësuese të kokave foljore në fjalorët leksikorë. Specialistët e kuptojnë se ky pohim është akoma dhe më i rëndësishëm, sidomos duke pasur parasysh vendin që i kanë lënë foljes teoritë moderne gjuhësore që e shohin atë si kryebërthamën organizuese të të gjithë fjalisë.

Në fillim të herës kur filluan diskutimet për hartimin e standardit, me të drejtë prof. Arshi Pipa na kujton qëndrimin e mbajtur nga Çabej.

Konkretisht po citojmë: “Çabej e quajti të gabuar vetë konceptimin e GjNjL-së. Sipas tij, zgjidhja shkencore e çështjes së gjuhës kërkon realizimin e dy detyrave paraprake: mbledhjen e materialit gjuhësor dhe studime të avancuara gjuhësore. Ai vuri në dukje se nuk ekzistonte ende një fjalor përfshirës i shqipes, që të përmbante fjalët që përdoren në të gjitha krahinat e vendit plus diasporën.

Mungonte gjithashtu një fjalor etimologjik i shqipes, atlasi linguistik, një regjistër sistematik për toponimet; mungonin monografi për gjuhën e autorëve të vjetër, përshkrime monografike për të paktën dialektet më kryesore, një histori e gjuhës shqipe, një gramatike historike e po asaj monografie që evidentojnë shkallën e ndikimit të gjuhëve të huaja mbi shqipen. Kur erdhi te çështja nëse gegërishtja letrare duhej t’i nënshtrohej toskërishtes letrare, ai tha: “… Nga pikëpamja letrare nuk shoh ndonjë hata te fakti se jo të gjithë shqiptarët e shkruajnë gjuhën e tyre me të njëjtën mënyrë.

Fundamenti

Lulëzimi i letërsisë antike greke ka ndodhur në kohën e dialekteve”. Formula e Çabejt ishte “diversitet në unitet”; rekomandimi i tij: “afrim i vijueshëm i të dyja dialekteve në të shkruar”. Ai përfundoi duke thënë se problemi i gjuhës kombëtare letrare “është i pazgjidhshëm, për sa kohë që dialektet e shqipes nuk janë studiuar mirë”. Kritika e Çabejt ishte një rrëzim i pakompromis i projektit të ShNjL-së, ku strumbullari i argumentimit të tij ishte se agjencia e GjNjL-së, e ngutur për realizimin e projektit të saj po mprehte karrocën para kalit”.

Dikush mund të thotë se ne tani kemi dhe Fjalorin Leksikor dhe atë Etimologjik, dhe Atlasin Dialektologjik etj., por shtrohet pyetja: A janë gjithëpërfshirës dhe a reflektojnë ato realitetet gjuhësore dhe gjeopolitike të sotme këto punimi?

Ne mendojmë se jo. Fjalorët leksikorë ekzistues si ata para ’90, e sidomos pas këtyre viteve, nuk mund të merren si përfaqësues të të gjithë pasurisë leksikore të trevave shqipfolëse. Për hir të së vërtetës, Fjalori i 1980-s shfaqet si varianti më i mirë dhe më i plotë në krahasim me të tjerët që erdhën duke i rrudhur strukturat me kuptimet përkatëse, pra duke i varfëruar kuptimisht e strukturalisht njësitë e përcaktuara, gjithsesi brenda kornizave të standardit.

Dihet se dhe Atlasi Dialektologjik, megjithëse një kontribut në këtë fushë, përfaqëson mbledhje të bëra në vitet ‘60-‘70 e shumë pak ekspedita në vitet ‘90. Kemi parasysh dhe arealin e mundshëm për t’u kapur nga mbledhësit, qoftë për arsye të kufizimeve politike, ashtu dhe financiare mbështetëse.

Sot gjeografia gjuhësore është trefishuar, kështu që dhe këtu na shfaqet një vakum tjetër i përfaqësimit të korpusit leksikor dhe strukturor.

Këtyre fakteve do t’i shtojmë dhe vërejtjen tjetër të shprehur nga ne dhe në “Ditët e albanologjisë”, të organizuar nga QSA më 2011-n, në të cilën vumë në dukje se punimet teorike në lidhje me metodologjitë e reja shkencore janë të pakta ose nuk paraqesin shkallën e duhur të reflektimit dhe në korpusin e shqipes. Janë pikërisht këto lloj zgjidhjesh të pritshme, të cilat më pas duhet të shërbejnë si rregulla për normativizimin e variantit përfaqësues.

Si tekste universitare ne përdorim gramatikat e Akademisë, të cilat përbëjnë një kontribut tradicional në këtë fushë, por, nga ana tjetër, sidomos sintaksa, shfaq shumë probleme akoma të pazgjidhura, të cilat duhen parë dhe nga këndvështrime të tjera që janë eksperimentuar me kohë në botë.

Është për të ardhur keq se p.sh. edhe diskutimet e deritanishme, qoftë dhe në rrafsh fonetik, mbështeten në përshtypje fonetike individuale, jo të realizuara në matje të specializuara me aparaturat shkencore (fatkeqësisht natyra a Zoti nuk na ka falur të gjithëve, gjuhëtarë apo jo, vesh absolut si Edmond Edmondi, aq më tepër sot kur ekzistojnë aparaturat, programet kompjuterike dhe mundësitë për t’i realizuar këto mbledhje, jo te grupi i gjuhëtarëve të dashuruar pas variantit të vet dhe në fund të fundit të autocensuruar nga regjistri i përditshëm i tyre, por në bashkësinë e madhe shqipfolëse që rri e bën sehir).

Realisht nuk është bërë asnjë studim statistikor i tillë, i cili t’i paraqesë këto realitete jo vetëm fonetike, por dhe morfosintaksore e semantike.

Natyrisht, nuk është një punë e thjeshtë të organizosh projekte të tilla që kanë të bëjnë fillimisht me hartimin e pyetësorëve specifikë dhe më pas me mbledhjen dhe pasqyrimin e korpusit themelor të shqipes së sotme, e cila ndodhet nën trysninë e jashtëzakonshme globale, jo vetëm në rrafsh leksikor, por dhe në atë strukturor.

Mendojmë se një punë e tillë do të ishte kontributi më i madh që do të përvijonte qartë rrugët në të cilat po kalon standardi, ndryshimet që kanë ndodhur në të. Në këtë mënyrë mënjanohen dhe një pjesë diskutimesh euforike të pambështetura në realitete gjuhësore të sotme.

Dihet se institucionet shtetërore kanë rol qendror në të, pasi ato do të jenë jo vetëm mbështetëset shpirtërore, por sidomos financiare të këtyre studimeve, të cilat kërkojnë fonde të konsiderueshme për t’u realizuar.

Institucionet gjuhësore duhet të jenë më aktive pikërisht në hartimin e projekteve të tilla me karakter të gjerë dhe njëkohësisht në afrimin e personelit të kualifikuar dhe jo mbi përzgjedhje nepotiste siç ndodh rëndom.

Në këtë perspektivë analize ne mendojmë se akoma nuk është përmbushur porosia e Çabejt në lidhje me standardin.(koha)