LDK s`kushtëzon
LDK është tërhequr nga kushtëzimi i zbatimit të plotë të marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli. Tash Partia e Isa Mustafës kërkon përfundimin e reformës zgjedhore, por jo duke kushtëzuar me largimin e Jahjagës dhe mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale këtë vit.
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka konfirmuar të shtunën se është tërhequr nga kushtëzimi i zbatimit të plotë të marrëveshjes së arritur në prill të vitit të kaluar mes Isa Mustafës, Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit.
Nëpërmjet një komunikate për media, LDK ka kërkuar përfundimin e reformës zgjedhore, pa e përmendur fjalën kushtëzim në raport me zbatimin edhe të pikave të tjera të marrëveshjes PDK-LDK-AKR.
“LDK konsideron se reforma zgjedhore duhet të përmbyllet, në mënyrë që të hapen mundësitë për mbajtjen e zgjedhjeve nacionale në vitin 2013, ashtu siç është paraparë me marrëveshje dhe me rezolutë”, thuhet në një reagim të LDK’së.
Por, në fund të muajit gusht të këtij viti, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte njoftuar se nuk do të merr pjesë në reformën zgjedhore për aq kohë sa PDK dhe Presidentja Jahjaga nuk zbatojnë në tërësi marrëveshjen e arritur mes tre liderëve.
Marrëveshja e arritur në prillin e vitit 2011, me ndërmjetësimin e amerikanëve e shndërruar edhe në rezolutë në Kuvendin e Kosovës, ka paraparë që këtë vit të përfundojë reforma kushtetuese dhe të mbahen zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale.
Pika tjetër ka paraparë përfundimin e reformës zgjedhore dhe afatin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më së voni në vjeshtën e vitit 2013.
Por, asnjëra prej kushtëzimeve të LDK’së, që ishin paraparë të kryhen deri më tash, nuk janë zbatuar.
Presidentja vazhdon të mbetet në krye të shtetit, reforma kushtetuese nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë kemi deklarime të udhëheqësve të PDK’së se nuk do të ketë zgjedhje parlamentare para afatit kushtetues, që i bie në vitin 2014.
Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Beqiri, Kryetari i Komisionit për Reformë Zgjedhore, Haki Demolli, Vjosa Osmani e Arben Gashi kanë përsëritur në vazhdimësi se nuk do të ketë kurrfarë reforme pa u larguar Atifete Jahjaga nga posti i Presidentes.
Dy muaj më vonë, LDK vazhdon të kërkojë largimin e Jahjagës, por jo duke e kushtëzuar me zbatimin e plotë të marrëveshjes.
“LDK nuk është tërhequr dhe nuk do të tërhiqet nga marrëveshja dhe Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, e cila shumë qartë e ka përcaktuar këtë mandat të Presidentes. LDK mbetet e përkushtuar që palët nënshkruese të marrëveshjes dhe Presidentja Jahjaga ta respektojnë atë dhe të krijojnë kushte për zgjedhje presidenciale të vendit”, thuhet në deklaratën e LDK’së.
Edhe pse Isa Mustafa nga posti i liderit të opozitës kishte nënshkruar marrëveshje me dy partitë në pushtet dhe kishte votuar Presidenten në Parlament, tash Lideri i LDK’së po e konteston legjitimitetin e Atifete Jahjagës.
“Në situatën në të cilën gjendemi, ne konsiderojmë se Presidentja Jahjaga nuk përfaqëson unitetin e popullit, sepse ajo po e shpërfill një marrëveshje politike, e cila është ndërtuar mbi bazën e një koncesusi politik të gjerë me ndërmjetësimin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, rikujton LDK.
Megjithëkëtë, LDK të shtunën nuk e ka përmendur fare pajtimin që ka ndodhur në takimin e fundit që është zhvilluar në Qeveri, në mes të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit për të ecur përpara reforma zgjedhore.
Express ka raportuar të enjten se dy liderët e partive më të mëdha kanë vendosur të zhbllokojnë punën e Komisionit për Reformë Zgjedhore, por jo edhe atë për Reformë Kushtetuese.(express)