LDK: Shkeljet që bëri ish pushteti ende po i paguan qytetari gjilanas
Gjilan – Të freskëta janë shkeljet e juaja dhe aspak të harruara ngase sot prokuroria e shtetit po merret me investigime të atyre shkeljeve që qytetarit i sollën varfëri kurse juve pasuri, andaj mos të jeni fare të qetë sepse mëkatet e juaja siç e dini fare mirë s`ju lënë të jeni të denjët për “kurban” thuhet në reagimin e degës së LDK-së në Gjilan.
Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, në vazhdën e aktiviteteve të veta në përmbushje të plotë të programit të saj qeverisës për një Gjilan të zhvilluar dhe për qeverisje të pastër, ndjekë me vëmendje edhe fjalët e udhëve të disa të larguarve, ku qytetari i dënoi duke mos duruar dorën e qeverisjes së pistë që bëri nomenklatura e kaluar e pushtetit lokal në qytetin e paqes, qytetin e ushtrisë.
Për të mos thënë se na habisin deklaratat e atyre që e futën Gjilanin në rrugë pa krye e në borxhe shumë milionëshe, ne themi se si s`ju vije turp që akoma të dalin dhe të llomotisin sokaçeve me fjalorin e tyre të pistë ku si qëllim të vetëm kanë etiketimet duke u munduar që dëmet që ja kanë shkaktuar qytetarëve kinse të bëjnë të harrohen, por ju kujtojmë se të kota janë tendencat e tilla ngase shkeljet e juaja akoma po i paguan qytetari gjilanas dhe këtë duhet mos ta harroni ngase së shpejti do të dalin në shesh të gjitha të zezat e juaja dhe qytetari do të mësoj se nga kush dhe për çka kanë ndodhur keqpërdorimet.
Të freskëta janë shkeljet e juaja dhe aspak të harruara ngase sot prokuroria e shtetit po merret me investigime të atyre shkeljeve që qytetarit i sollën varfëri kurse juve pasuri, andaj mos të jeni fare të qetë sepse mëkatet e juaja siç e dini fare mirë s`ju lënë të jeni të denjët për “kurban”.
LDK, inkurajon veprimet ligjore të prokurorisë së shtetit dhe gjithë sistemit të drejtësisë që të zbatojnë me rreptësi ligjin, të veprojnë të pandikuar nga asnjë presion politik, por me transparencë dhe ligjshmëri, të hetojnë çdo rast që ka të bëjë me keqpërdorim pushteti apo shfaqje të korrupsionit, andaj duke njohur qeverisjen tonë të pastër thellësisht besojmë se e drejta është në anën tonë thuhet në reagimin e degës së LDK-së në Gjilan./rajonipress.


