Uji Dea

LDK s’heq dorë nga posti i kryeministrit, pavarësisht nga Blloku

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Posti i kryeministrit duket se do t’i ndaj partnerët e koalicionit LDK-AK-Nisma. As LDK, e as AAK nuk po heqin dorë nga pretendimi për postin e parë të Qeverisë. LDK edhe një herë ka përsëritur se qëndron pranë vendimit të Kryesisë së partisë, për të marrë postin e kryeministrit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. E, në anën tjetër AAK nuk dëshiron të heq dorë nga marrëveshja e 10 qershorit, me të cilën Ramush Haradinaj është nominuar për kryeministër.

Megjithatë, LDK-ja pritet që nesër ta mbajë mbledhjen e Kryesisë, në të cilën do të diskutohen të gjitha hollësitë dhe të vendoset rreth kësaj çështje.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi, tha se ata vazhdojnë të qëndrojnë pranë vendimit të Kryesisë, me të cilin shprehet qartë qëndrimi se LDK duhet të udhëheqë Qeverinë, meqë është shumicë në koalicionin e Bllokut.

“Siç e dini është vendim i Kryesisë që LDK-së t’i takojë pozita e kryeministrit, pasi që ka edhe shumicën në këtë koalicion, dhe ne mbetemi pranë këtij qëndrimi. Në qoftë se AAK merr ndonjë qëndrim tjetër apo lëviz, ne do të konsultohemi me strukturat tona”, tha Abrashi.

Hidromorava

Duke komentuar akuzat e zyrtarëve të AAK-së, ai shtoi se janë akuza individuale. Abrashi theksoi se edhe sot do të takohen liderët, apo disa nga liderët dhe do të përfundojë kjo çështje, por ata mbesin pranë qëndrimit të Kryesisë së LDK-së.

I pyetur se cili do të jetë vendimi i tyre nëse AAK vendosë të gjejë partner tjetër, Abrashi tha se është vendim i tyre.

“Është vendim i AAK-së, nëse ata mendojnë që mund të bëjnë, ose gjejnë partner tjerë, mund të shkojnë… Ne nesër kemi mbledhje të Kryesisë, do të bisedojmë edhe për këtë qëndrim të AAK-së dhe do të marrim qëndrim… Nuk duam të spekulojmë, pasi ende ka hapësirë për marrëveshje”, u shpreh Abrashi.

Takimet e liderëve të Bllokut për gjetjen e një zgjidhje rreth postit të kryeministrit janë zhvilluar edhe dy ditët e vikendit, derisa ato po vazhdojnë edhe sot. Megjithatë, ende nuk dihet se kur do ta kenë një qëndrim të qartë rreth këtij pozicioni./express/