LDK: Qeverisja në Kamenicë e papërgjegjshme ndaj qytetarëve!
Kamenicë – Jeta në qytet është bërë thuajse e padurueshme në këtë kohë vape, në katër lagjet e qytetit reduktimet e mëdha të ujit 12-12h po e pamundësojnë një jetë normale për banorët e qytetit. Sezoni veror e gjenë Komunën e Kamenicës të papërgatitur dhe me vetëm një baner mirëseardhje për bashkatdhetarët, por me mungesë të madhe të ujit të pijes dhe për pastrim, gjithashtu pa ndriçim publik në tri lagjet e qytetit dhe në disa pjesë të qendrës thuhet në reagimin e degës së LDK-së në Kamenicë.
Në reagimin e LDK-së thuhet se gjithashtu kemi mos mirëmbajtje të lumit dhe një administratë komunale jo efikase që po i japin një imazh të keq çdo bashkatdhetari dhe vizitori në komunën tonë. “Komuna e Kamenicës tash e disa muaj nuk po e sheh te arsyeshme të ndërmarrë veprime urgjente për përmirësimin e kësaj gjendje të vështirë dhe për më tepër kjo qeverisje ka hequr nga projektet prioritare planifikimin për shtimin e sasisë së ujit në lagjen Çamëria projekt që do ta zbuste furnizimin me ujë në qytet, në këtë mënyrë ato mjete të destinuara në sektor tjerë po e vështirësojnë një jetë normale me kushte elementare” thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Dega në Kamenicë./rajonipress/


