LDK në mbrojtje të Sadudin Berishës

Gjilan – Sipas LDK-së reagimi i Qemajl Mustafës është i kuptueshëm sepse vjen pas kaplimit të frikës se ky fundvit do jetë i fundit i të qenunit në skenën politike vendimmarrëse.
Dega e LDK-së në Gjilan ka reaguar ndaj sqarimeve që dha kreu komunal Qemajl Mustafa rreth akuzave që kishte bërë Sadudin Berisha në konferencën e fundit ku edhe njëherë ka folur e akuzuar qeverisjen komunale për dështime në shumë fusha.
Në reagimin e LDK-së mbrohet dhe sqarohet puna e Sadudin Berishës si këshilltar komunal dhe si nënkryetar i LDK-së. “Është humbje kohe të reagosh ndaj prononcimit të Qemajl Mustafës, të bërë kundër konferencës për shtyp të mbajtur ditën e shtunë nga LDK, dega në Gjilan përkatësisht zv. kryetari Sadudin Berisha, por këtë ë bëjmë për hir dhe respektin që duhet treguar ndaj qytetarëve të komunës , dhe zhvillimeve degraduese e keqqeverisëse tash e sa kohë në komunën e Gjilanit” thuhet në reagim.
Sipas LDK-së reagimi i Mustafës është i kuptueshëm sepse vjen pas kaplimit të frikës se ky fundvit do jetë i fundit i të qenunit në skenën politike vendimmarrëse. “Është gjykuesi kryesor vet qytetari Gjilanas, për keqqeverisjen tepër të dobët të kësaj qeverisje të udhëhequr nga ky njeri i cili me ironizimin e treguar edhe në këtë rast, tregon performancën e tij të ulët e degradues jo vetëm ndaj LDK-së, në këtë rast dhe ndaj zv. Kryetarit të Degës zotit Berisha, por mbi të gjitha ndaj qytetarëve të cilët i ka gënjyer dhe zhgënjyer thjeshtë se do të realizoj ato që i kishte premtuar tash e tri vite më parë, dhe si rezultat i këtij zhgënjimi është i dënuar për humbjen që do të pësojë në zgjedhjet e këtij viti dhe do jetë fundi i karrierës së tij politike e cila edhe kështu nuk është e hershme”.
Në reagim tutje thuhet se e vërteta e pa mohueshme dhe dëshmuese është se Qemajl Mustafa me pasurinë e komunës dhe asetet e saja që janë pronë e komunës dhe e qytetarëve sillet si të jetë pronë e tij private që është dëshmuar edhe me marrjen e vendimeve në kundërshtim me vendimet e Kuvendit te Komunës për Partneritetin Publiko – Privat në të cilat raste prona publike komunale nuk shfrytëzohet për nevojat e publikut dhe qytetarëve të komunës, por për interesa të tija personale dhe grupit të tij të interesit e në dëm të pronës komunale dhe në kurriz të qytetarit gjilanas, si dhe vendimeve te shumta kundërligjore e kundërkushtetuese të njohura tash e sa kohë , të cilat ende Qemajl Mustafa i mbanë në fuqi për t`i ndëshkuar qytetarët në këtë varfëri e skamje dhe papunësi të madhe.
“Është ironizuese poashtu tërheqja e paraleles mes tij dhe potencialit politik , intelektual, profesional e qytetarë të zotit Berisha i cili për tërë jetën e tij ka qenë është dhe do të jetë në nivel të përgjegjësisë së tij. Kjo mënyrë e reagimit të këtij njeriu na bën me dije se është nën ethet e humbjes që do të pësojë në zgjedhjet e ardhshme dhe goditjen më të madhe do e merr pikërisht nga ata që i ka pasur mbështes në fillim të mandatit të tij. Ky reagim nuk tregon asgjë më shumë e as më pak se ato që i ka thënë edhe më parë duke bërë një retorikë shterpe , jo përmbajtjesore dhe ironizuese ndaj LDK-së e qytetarëve, jo se nuk është i vetëdijshëm për dështimet e tij që i pranon edhe vetë , por këto reagime i bën nga frika e humbjes së pushtetit që e ka shfrytëzuar për veten e tij dhe vartësit e tij” mendon LDK-ja në Gjilan./rajonipress/