KKGJILAN

LDK mbështet ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi

/ 3 minuta lexim

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur takimin e radhës ku është diskutuar gjerësisht për procesin e ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës.

Kështu thuhet në njoftimin e LDK-së.

“Gjatë takimit, janë rikonfirmuar vendimet e të gjitha strukturave të LDK-së, të cilat i kanë përkrahur unanimisht deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës që të votojnë për ratifikimin e kësaj marrëveshje ndërshtetërore, të argumentuar nga ekspertët vendorë e ndërkombëtarë dhe të përkrahur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera partnere evropiane”, thuhet në njoftim.

Kryesia e LDK-së, duke iu referuar takimeve të Kuvendit të Punës, Këshillit të Përgjithshëm, takimeve me kryetarët e degëve dhe të Kryesisë Qendrore, ka shprehur mbështetjen e fuqishme të të gjitha strukturave për deputetët në votimin e marrëveshjes, duke shprehur qëndrimin unanim se të gjitha strukturat e LDK-së qëndrojnë fuqishëm pas vendimit të deputetëve për të votuar në favor të kësaj marrëveshje që forcon shtetësinë, sovranitetin dhe perspektivën e Republikës së Kosovës.

Uji Dea

“Gjatë takimit, u theksua po ashtu rëndësia që ka për LDK-në që nga ky proces të dalë edhe më e unifikuar dhe më e fortë në mbrojtjen e parimeve të saj institucionaliste, me përkushtim të pakompromis për rrugën euroatlantike dhe për miqësi të përhershme me SHBA-të. Duke votuar për ratifikimin e marrëveshjes, deputetët e LDK-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e interesave shtetërore, për liberalizimin e vizave, për fuqizimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës, për forcimin e partneritetit me SHBA-të, për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, etj”, thuhet më tej.

Kryesia e LDK-së vlerëson se ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e kufirit është një obligim ndërkombëtar, i cili duhet të përmbushet dhe se të gjitha alternativat tjera i shërbejnë skenarëve të dëmshëm për qytetarët dhe për shtetin e Kosovës.

LDK, po ashtu, kërkon nga Lëvizja VV, që të heq dorë nga format e dhunës psikologjike, të shantazheve me fotografi e me publikim të numrave të telefonit të deputetëve, të cilat po i aplikon, në mënyrë që të realizojë skenarët e saj antishtetëror dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/