LDK mbështet kërkesat e banorëve të Zhegrës

Gjilan – Duke e pasur parasysh situatën aktuale të rrugëve në fshatrat e Karadakut, LDK Dega në Gjilan mbështet pa rezervë kërkesat legjitime të qytetarëve të kësaj ane drejtuar institucioneve Komunale.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan kërkon nga organet kompetente komunale që urgjentisht të rishikohet lista e projekteve dhe investimeve në komunë, siç është rasti i rregullimit të rrugës, në këtë anë, shtratit të lumit, trotuareve, kanalizimit, ujësjellësit në Zhegër si dhe t`i jepet prioritet rrugës Lladovë-Nasalë-Remnik.
Gjithashtu LDK , dega në Gjilan, kërkon nga kryetari i Komunës që mos t`i etiketoj dhe ngjyros në baza partiake qytetarët e Karadakut, sepse ata fillimisht janë banorë të këtyre trevave dhe kanë të drejtë ligjore të kërkojnë të drejtat e tyre sepse janë taksapagues të këtij shteti dhe të kësaj komune.
LDK kërkon gjithashtu nga organet kompetente komunale që urgjentisht të largohen të gjitha kushtëzimet ndaj qytetarëve dhe biznesit, të shfuqizohen menjëherë vendimet diskriminuese që janë bërë barrë shumë e rëndë për qytetarin Gjilanas.
LDK me kohë ka tërheq vërejtjen për politikat diskriminuese që ky pushtet është duke bërë në bazë partiake përfundon reagimi./rajonipress/