LDK: Koalicioni qeverisës është stabil

Jo vetë partneri i koalicionit qeverisës, PDK-ja, është duke mbajtur takime. Në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot u mbajt takim me kryetarët e të gjitha degëve të LDK-së.
Në këtë takim, të cilin e udhëhoqi kryetari i LDK-së, njëherësh Kryeministër i vendit, Isa Mustafa, u diskutua lidhur me situatën aktuale politike në vend, të rrezikuar nga aktet e dhunshme të partive opozitare, sidomos të VV-së, që rrezikojnë shtetin e Kosovës dhe perspektivën euroatlantike të vendit, thuhet në njoftimin e LDK-së.
“Në ditët në vijim do të mbahen takime në terren me anëtarësinë dhe qytetarët, për t’i njoftuar lidhur me punën që po e bën Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, për të hapur perspektivë zhvillimore dhe integruese të Kosovës si dhe për rrezikun që i kanoset vendit nga përdorimi i dhunës si mjet politik”.
“LDK-ja përkrahu plotësisht kursin e qeverisjes së vendit, përcaktimin për zhvillimin dhe thellimin e partneritetit me SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian”.
“Stabiliteti i koalicionit qeverisës u tha se do të respektohet në mënyrë të plotë, si dhe të gjitha obligimet reciproke që rrjedhin nga marrëveshja e koalicionit”.
“Në takim, po ashtu, u theksua se zgjidhje për vendin mbetet dialogu i cili duhet të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës ndërmjet pozitës dhe opozitës, kurse legjitimiteti dhe legaliteti i institucioneve të dala nga vota e lirë është i padiskutueshëm dhe i pakontestueshëm në mandatin e plotë që ka kjo Qeveri dhe ky koalicion qeverisës”, thuhet në njoftim.