LDK kërkon nga kryeministri Kurti transparencë për propozimin franko-gjerman

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, thotë se nuk e kanë parë propozimin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo kërkon nga kryeministri Albin Kurti të jep qartësime për përmbajtjen e këtij propozimi. Megjithatë, thekson se pozicioni i LDK-së, është i palëkundur se çfarëdo marrëveshje me Serbinë, duhet të përmbajë njohjen reciproke.

Lidhur me dialogun me Serbinë, Mjekiqi kërkon diskutime të mirëfillta ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Nënkryetarja e LDK-së, në një intervistë për KosovaPress, thotë se mirëpresin intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi, mirëpo e konsideron të domosdoshme kalimin nga dialogimi për çështje teknike në diskutime politike për ujdinë finale.

“Duhet të kalohet nga aspekti teknik në atë politik, në kuptimin e diskutimit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse e cila për Lidhjen Demokratike të Kosovës, kemi thënë se duhet të bëhet me njohje reciproke të dy vendeve. Sa i përket propozimeve të ndryshme të cilat kanë qarkulluar, do të thoshim se ne kemi mungesë të informatave, siç kanë edhe qytetarët e Kosovës.

Nuk kemi dëgjuar dhe parë asgjë sa i përket propozimeve të mundshme për këtë marrëveshje. Është jashtëzakonisht me rëndësi të diskutohet për pikat e një marrëveshjeje përfundimtare që çon në njohjen reciproke të dy vendeve, por që nuk mund të flasim me saktësi sepse nuk kemi parë këto propozimet që janë përfolur në medie, nuk është që kemi ndonjë informatë më shumë se ju.

Por ajo çka dihet është se ka një intensifikim të akterëve ndërkombëtar që kjo çështje të përfundojë. Kjo është në interes të Kosovës, pasi mungesa e normalizimit të marrëdhënieve që do të qonte më pas në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve i ka shkaktuar pengesa Kosovës në arenën ndërkombëtar”, thotë ajo.

Mjekiqi thotë se partia në pushtet duhet të ketë një dialog të mirëfilltë me opozitën. Ftesat nga kryeministri Kurti i konsideron si takime ad-hoc, në rastet kur ka pasur vetëm një urgjencë për të diskutuar.

“Duhet dhënë qartësime sa i përket asaj se çfarë përmban ky propozim dhe të tjetra, duhet të informohet publiku i gjerë, gjithashtu edhe opozita përmes seancave të Kuvendit të Kosovës… Të ketë një dialog të mirëfilltë pozitë-opozitë.

Ajo çka kemi pa në të kaluarën, kryesisht takime ad-hoc ose ftesa kur në rastet kur pasur ndonjë urgjencë për të diskutuar, por jo një dialog të mirëfilltë të vazhdueshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës, në mënyrë që mos të na zë asgjë të papërgatitur”, thekson Mjekiqi.

Lidhur me draftet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ajo thotë se duhet të respektohet vetëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Sa i përket Asociacionit ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili duhet të respektohet. Në ta ardhmen ose kurdo që flitet për formimin e Asociacionit, duhet të ketë parasysh siç ka thënë Gjykata Kushtetuese që bie në kundërshtim me parimet kyçe të Kushtetutës. Është me rëndësi që këto dhe çfarëdo marrëveshje që del të jetë në harmoni me kushtetutshmërinë”, deklaron ajo.

Nga ana tjetër, Mjekiqi, është kritike ndaj ekzekutivit sa i përket politikës së jashtme.

“Politikën e jashtme në përgjithësi e karakterizon pasiviteti, pasi nuk kemi parë as njohje as anëtarësim në organizata. Ne e dimë që ka pengesa në këtë drejtim, por të paktën të shohim se Qeveria e Kosovës është e aktivizuar që të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare… Ajo çka kemi parë po ashtu se në emër të reformave të shërbimit të jashtëm kemi pa regres në këtë aspekt”, thekson Mjekiqi.

Sipas saj, Bashkimi Evropian nuk ka asnjë arsye për të vonuar liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.

“Vendet e BE-së të jenë unanime në heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, sepse është e padrejtë që Kosova të jetë e vetmja në rajon që nuk e ka të drejtën të lëvizë lirshëm. Kjo i pengon ata që i pengon të lëvizin në formë legale brenda BE-së.

Ne e dimë që është vendim që merret me konsensus, por tashmë është në kuadër të vendeve që hezitojnë brenda BE-së që t’i thonë po këtij procesi, pasi nuk ka asnjë arsye. Janë plotësuar të gjitha kushtet në vitin 2018, e ka përmend Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian po ashtu ka mbështetur”, përfundon Mjekiqi.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS