LDK kërkon nga Haradinaj t’i ndalë sulmet verbale e fizike

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj deklaratave të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili i entuziazmuar nga militantët e mbledhur nga partia e cila deri dje e quante “njeri të haraçit”, ka lëshuar deklarata etiketuese dhe shpifëse ndaj liderit të LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa.

Në reagimin e LDK-së thuhet se “Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje zotit Haradinaj që të tërhiqet nga shpifjet dhe akuzat, gjuhë të cilën siç duket e ka mësuar së fundi gjatë partneritetit me grupet radikale të majta në kuadër të ‘koalicionit të molotoVëVe’”.

“LDK-ja i bën të qartë zotit Haradinaj se ai është njeriu i fundit që mund t’i shes moral në këto aspekte kujtdo në Kosovë, e aq më pak LDK-së. Paraprakisht, zoti Haradinaj duhet të sqaroj prejardhjen e pasurisë së tij marramendëse, apo së paku aferën e fundit të privatizimit të qindra hektarëve tokë nëpër Kosovë”, thuhet në reagim.

“Për hir të së vërtetës, në mandatin e kësaj Qeverie filloi zbardhja e plotë e rasteve dhe uzurpatorëve të pronave publike e të atyre që privatizuan pasuri marramendëse nëpër Kosovë, tash e sa vite. Po ashtu, kjo Qeveri rriti më shumë se kurdo herë tjetër pensionet dhe përkrahjen sociale”, thuhet më tej në reagimin e LDK-së.

“LDK-ja kërkon nga zoti Haradinaj dhe mësuesit e tij të rinj në opozitë që të heqin dorë nga sulmet e ulëta verbale e fizike, si mjete për të synuar marrjen e pushtetit”.

Eco Higjiena

“LDK-ja fton të gjitha subjektet që ia duan të mirën Republikës së Kosovës që të jenë pjesë e përkushtimit të përbashkët për avancimin e proceseve integruese euroatlantike, në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe vendet tjera mike”, përfundon reagimi i LDK-së.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në tubimin mobilizues të opozitës së bashkuar para protestës së paralajmëruar për javën e ardhshme, ka akuzuar kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin në ardhje, Hashim Thaçi, për të cilët ka thënë se “e kanë kuptuar edhe miqtë e Kosovës se sa të këqij janë”.

Haradinaj kësaj radhe ka thënë se Thaçi e Mustafa e kanë shndërruar Kosovën në poligon të hajnisë dhe krimit, transmeton Koha.net.

“Hashim Thaçi e Isa Mustafa e kanë bërë Kosovën poligon të hajnisë e krimit”, duke shtuar se Kosova ka mbetur pa pensione e sigurim shëndetësor. /Telegrafi/