LDK-ja rritje absolute

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një postim në Facebook tregon për arritjet e partisë së tij.Sipas tij, këto ditë, shpesh i janë shtruar pyetje nga mediat, opinionistët por edhe ndërkombëtarët se cilat janë arsyet e rritjes së LDK-së në këto zgjedhje, puna në LDK apo rënia e e shënuar te subjektet e tjera politike.
“Rezultatet tregojnë se në LDK rritja është absolute dhe jo vetëm relative. Kanë aderuar shumë të rinj dhe femra. Nuk mund të them se aderimet kanë ndodhur nga subjektet të cilat po shënojnë rënie, prandaj sukeset tona i referohen një pune të madhe gjatë kësaj periudhe dhe më konkretisht hapjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj të rinjve dhe femrave. Në komunat, në të cilat do t’i fitojmë zgjedhjet, do të përfshijmë më shumë të rinj dhe femra, me dije dhe performansë profesionale, në krye të drejtorive komunale dhe të organizatave të tjera të pushtetit lokal dhe do të bëjmë ndryshime të praktikave të deritanishme.
Në Kuvendet Komunale në mënyrë të natyrshme është reflektur përfaqësimi popullor i LDK-së nga terreni. Ndërkaq në pjesën ekzekutive do të bëhet kombinimi i përvojës dhe ekpertizës me dinamizmin, dijen e re dhe diversitetin gjinor, sepse kjo është pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë për të ndërtuar një qeverisje të qendrueshme, të suksesshme dhe të lidhur ngusht me qytetarin”, ka shkruar Mustafa në Facebook. /Indeksonline/