LDK: Hapësirat shkollore nuk është dashur t`i jepen Universitetit të Gjilanit

Gjilan – Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Komisioni i Arsimit i Degës së LDK-së pati shprehur dilemat se Drejtoria e Arsimit nuk është e përgatitur që ky vit shkollor të ketë një nismë të mbarë. Dhe , s’do mend se nuk mund të ketë pasur nismë të mbarë kur hapësirat shkollore , edhe ashtu në mungesë të madhe për shkollat në qytet , ua falen Universitetit të Gjilanit, që në asnjë mënyrë e as me ligj nuk ka guxuar të ndodhë thuhet në një komunikatë të komisionit të arsimit në kuadër të LDK-së në Gjilan.
Komisioni i arsimit në kuadër të LDK-së vlerëson se nxënësit e shkollës së mjekësisë sorollaten nëpër objekte të tjera shkollore, dhe lëre që vetë nuk mund të bëjnë asfare mësimi e stabilitet të procesit mësimor , po kanë çrregulluar në masë të madhe punët në ato objekte , në të cilat me kohë është vu rendi dhe disiplina për një fillim të mirë të vitit shkollor.
Kjo vërehet në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, ku nxënësit e saj , për shkak të kalimit të një pjese të nxënësve të shkollës së mjekësisë , janë të detyruar që mësimin të mbajnë në tri ndërrime. Në vend se të merret shembull drejtori i shkollës teknike dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle për përgatitjen e mbarë e të mirë të këtij viti shkollor , Drejtoria e Arsimit , për shkak të moskryerjes së punëve të veta me kohë, edhe në këtë shkollë kthen ndërrimin e tretë të punës, që tanimë ka vite që kjo shkollë punon në dy ndërrime.
Mos kryerja e punëve në objektin e ri të gjimnazit , mungesa e inventarit dhe premtimet boshe për çdo shtator , se ky objekt do të jetë në funksion , po edhe mbetja e nxënësve të shkollës së mjekësisë ”Dr. Asllan Elezi” pa objektin e tyre , ka bërë të pamundshme një fillim të mbarë të këtij viti shkollor.
Moskryerja e punëve në këtë objekt të ri shkollor , sikundër edhe atij të shkollës bujqësore (Agrobiznesit) Komisioni i Arsimit i Degës së LDK-së e sheh si çështje politike. Udhëheqja komunale pret kohën e inaugurimit të objektit të ri të gjimnazit në prag të fushatës zgjedhore dhe nën prezencën e udhëheqjes se saj politike.
Duke synuar , kështu , synimin e përfitimit të votave dhe grabitjen e pushtetit , dëmtojnë interesat e fëmijëve tanë , prindërve dhe çrregullojnë procesin mësimor.
Komisioni i Arsimit i bënë thirrje Komitetit të Arsimit në Kuvendit Komunal dhe inspektorëve të arsimit që në këtë fillim të këtij viti mësimor tua bëjë një inspektim të gjitha shkollave në komunën tonë , Drejtorisë së arsimit dhe të vejnë në dukje shumë parregullsi , duke filluar që nga shpallja e konkursit për vende të lira të punës në arsim , pranimit të punëtorëve , fshehjes apo ruajtjes së vendeve të punës , përgatitjes së objekteve dhe infrastrukturës shkollor e deri të pajisja e shkollave me inventarë shkollor.
Arsimi nuk është pronë e asnjë subjekti politik , por është interes kombëtar , andaj edhe duhet të jetë në mënyrë permanente nën përcjelljen e Qeverisë komunale , organeve të Kuvendit , prindërve dhe shoqërisë civile thuhet në njoftimin e LDK-së . /rajonipress/