Hidromorava

LDK është po ashtu parti gangsterësh

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Arben Idrizi- Si përfundim, pyetja retorike se a është Sekiraqa gangster apo veprimtar politik, ka një përgjigje të lehtë: është të dyja. Pyetja më shqetësuese është: a është vetë LDK parti gangsterësh?

Pyetja, e parashtruar së pari nga Gazeta Jeta në Kosovë (e cila e kishte intervistuar sa duket disa ditë para se të dorëzohej në polici) dhe e përcjellë pastaj nga të gjitha portalet, se a është Enver Sekiraqa gangster apo veprimtar politik, me sa shihet, nga njëra anë i ka vënë në siklet dy subjektet më të mëdha politike në vend, LDK-në dhe PDK-në, përkatësisht disa nga personalitet e tyre që ai i përflet, e nga ana tjetër, në kampin e medieve, shoqërisë në përgjithësi, po besoj, ka nxitur ose do të mund të nxiste mjaft debate dhe arsye për të reflektuar.

S’do mend, sipas përshkrimit të policisë, dosjeve që posedon ndaj tij, ai është një kriminel. Akuzohet për vrasje, krim të organizuar ndërkombëtar, vjedhje, krime seksuale, etj. Do të thotë, nuk është vetëm një kriminel lokal, vendor, por edhe ndërkombëtar, andaj merret me të edhe Interpoli.

Nëse do të dyshonim se jemi informuar dhe edukuar keq nga filmat, ma ha mendja se do të duhej të dyshonim se jemi informuar dhe edukuar keq po ashtu edhe nga realiteti. E them këtë që të dal tek ajo se mua personalisht (nëse kjo ka ndonjë rëndësi), nuk më habit të mësoj, të më konfirmohet me fakte ajo që mund ta merrja me mend fare lehtësisht, në një moment të caktuar se Sekiraqa ka vepruar në të mirë të një subjekti politik, në këtë rast të LDK-së, duke mbledhur vota (në çfarë mënyre?; duke i blerë votat?, duke i kërcënuar votuesit?, duke i mashtruar në forma të tjera?), apo duke i kryer çfarëdo shërbimi tjetër. Pra, kemi parë aq filma e kemi lexuar aq libra që na e thonë se si shumë herë, në shoqëri si kjo jona, kriminelë të caktuar në një moment të caktuar përzihem me politikën, duke kryer shërbime në dobi të saj, ose duke e drejtuar tamam atë vetë nga prapaskena për qëllime personale. Kumbara arrin deri aty sa edhe ta zgjedhë Papën sipas dëshirës së vet. Nëse ky ju duket një moment fiktiv, atëherë momente fiktive janë edhe këto që ndodhin përreth nesh.

Përfaqësuesit e LDK-së, me kokën e zënë në dritare, po shpurdhitin shkelmat e fundit, duke u përpjekur ta mohojnë lidhjen e tyre me të. Sigurisht, nuk do të donin e pranonin ta inkriminojnë veten aq lehtë. Do të duhet më shumë kohë e mund e dëshmi e fakte të pamohueshme që edhe ata ta pranojnë se dikush ka mbledhur vota për ta, vjedhur, veçse për fatin e tyre të keq ato s’kanë mjaftuar ta marrin pushtetin, siç iu kanë mjaftuar atyre që i kanë vjedhur dhe e kanë marrë pushtetin. Kjo gjë na bën po ashtu të pyetemi: cilët kriminelë të kërkuar ose jo nga policia kanë mbledhur vota për ata që i kanë “fituar” zgjedhjet?

Dikush nga LDK, zyrtarë të lartë, mund të supozohet pas këtyre deklaratave të Sekiraqes, do ta ketë angazhuar atë të “veprojë politikisht” në të mirë të LDK-së. Dikush që do ta ketë ditur fare mirë se ai ishte një kriminel në kërkim nga policia. Me fjalë të tjera, dikush që nuk e kishte për asgjë të kërkonte dhe të merrte shërbime kriminale. Kjo, duke ndjekur një logjikë të thjeshtë, lë të kuptohet se ata që kërkonin dhe merrnin ato shërbime kriminale, janë po ashtu të inkriminuar; janë, bashkëpunëtorë në krim dhe, në fund të fundit, po aq kriminelë.

Kjo po ashtu na e bën më të lehtë të kuptojmë dhe besojmë se të gjitha ato vjedhje, keqpërdorime të kryera nga zyrtarë të LDK-së, tërë ai korrupsion, tërë ato dyshime për marrje të ryshfetit, plaçkitje, reket, janë të vërteta.

Tani, një pyetje e këtillë, ma ha mendja mua, nuk kufizohet vetëm te një person i atillë, si i lartpërmenduri.

UBT

Pyetja, të cilën në të vërtetë e kemi parashtruar shumë herë deri më sot, e për hir të përgjegjësive tona qytetare e intelektuale duhet ta përsëritim, është se politikanët tanë a janë politikanë apo gangsterë?

Unë personalisht vazhdimisht jam shprehur se shumica e tyre, e kam folur edhe me emra, janë asgjë më shumë se gangsterë, kriminelë.

Politikanët mund të jenë fare lehtë gangsterë. Ashtu siç gangsterët mund të bëhen fare lehtë politikanë.

Pra, gjërat nuk janë edhe aq të ngatërruara për t’u shpjeguar. Kemi nga njëra anë gangsterë të njohur që në një moment përzihen më politikën dhe kemi politikanë të njohur që përmes politikës bëhen gangsterë. Ose, që në të njëjtën kohë e nisin veprimtarinë politike dhe kriminale, duke i përdorur secilën (politikën dhe krimin) në të mirë të secilës.

Vetë Sekiraqa, për shembull, akuzon deputetë të Kuvendit të Kosovës për vepra kriminale, vrasje. Disa sish, deri më tani. Sepse nesër pas nesër kushedi edhe sa emra e për çfarë veprash do të dyshohen. Kemi, nga ana tjetër, politikanë të lartë që janë përndjekur nga gjykata të ndryshme për krime lufte. Kemi politikanë të lartë që dyshohen për krim të organizuar, trafikim me qenie njerëzore, drogë dhe armë. Kemi deputetë që dyshohet të kenë kryer pas lufte vrasjet e figurave të njohura të LDK-së. Kemi SHIK-un që dyshohet të jetë i rrasur në krim deri në fyt e ish përfaqësues të tij sot janë deputetë ose zyrtarë të ndryshëm të lartë. Kemi Sigurimin e Atdheut që ende s’e dimë çfarë mund të ketë bërë e sot ish përfaqësues të tij mund të jenë deputetë. E çka nuk kemi tjetër se.

Si përfundim, pyetja retorike se a është Sekiraqa gangster apo veprimtar politik, ka një përgjigje të lehtë: është të dyja.

Pyetja më shqetësuese është: a është vetë LDK parti gangsterësh?

Unë them se po.