LDK e shqetësuar edhe për sektorin e kulturës

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Shpresa Kurteshi kryetare e komisionit për kulturë në kuadër të LDK-së tha se fatkeqësisht Kuvendi dhe Komiteti injorohen, nuk konsultohen, nuk raportohet e aq më pak nuk njoftohet për të shumtën e aktiviteteve dhe ndodhive që bëhen, çka do të thotë se, edhe ne si anëtarë të Komitetit për KRS njoftohemi siç njoftohen qytetarët në përgjithësi, përmes medieve dhe nga ajo që vetë interesohemi.

Komisioni për Kulturë Rini dhe Sport në kuadër të LDK-së të shtunën në një konferencë shtypi ka dhënë shumë kritika e akuza për punën që po bëhet në sektorin kulturës, rinisë dhe sporteve. Shpresa Kurteshi udhëheqëse e këtij komisioni tha se i shohim me shqetësim të madh zhvillimet e fundit dhe ngjarjet që kanë ndodhur në përgjithësi e që kanë të bëjnë me kulturën, sportin, rininë dhe qasjen e qeverisjes aktuale rreth angazhimit për përmirësimin e ambientit të zhvillimit të aktiviteteve dhe ngritjen në cilësi.

Kurteshi tha se fatkeqësisht Kuvendi dhe Komiteti injorohen, nuk konsultohen, nuk raportohet e aq më pak nuk njoftohet për të shumtën e aktiviteteve dhe ndodhive që bëhen, çka do të thotë se, edhe ne si anëtarë të Komitetit për KRS njoftohemi siç njoftohen qytetarët në përgjithësi, përmes medieve dhe nga ajo që vetë interesohemi.

“Tërë këto veprime neve na lënë të kuptojmë dhe të shohim se kjo qeverisje autoritare, nuk po jep shembuj të mirë për të rinjtë, për komunitetin e Kulturës dhe atë të sportit, se si qeveriset në frymën e demokracisë” tha Kurteshi.

Sipas saj me ardhjen e Drejtorit të ri në kulturë nuk janë vërejtur suksese, përveç deklaratave pompoze të cilat janë lëshuar herë pas here. “Ka pas disa angazhime por të zbehta, pa arritur rezultatet e dëshiruara, së pari konsideron rininë si prioritet të drejtorisë që ai e drejton, duke e përkrahur në veçanti “vullnetarizmin”, dhe mbështetjen e mëtejme, me pak ndihma si klubeve sportive, përkrahje të Ansambleve të valleve, pa përmendur asnjëherë klubet e tjera të cilat aktualisht zhvillojnë aktivitete në komunën tonë, duke përjashtuar plotësisht shumë sporte e sportist. Nuk ka takime me të rinj, nuk ka pasur organizim të tryezave për trajtimin e temave që sot e rrezikojnë rininë, mos luftimi i dukurive negative, nuk ka takime me të rinjtë nëpër shkolla, ku fatkeqësisht atje paralel me shkollimin po përvetësojnë edhe elemente negative, çka do të thotë se kanosja e rreziqeve nga droga, alkooli, e devijime të tjera po konsiderohen si pjesë e “civilizimit” pasojat e së cilave barten me pas dhe hendikepojnë tërë shoqërinë”, ka shtuar Kurteshti.

Shqetësim tjetër sipas Kurteshit është edhe mënyra se si shfrytëzohet salla e Teatrit sot. “Ajo shfrytëzohet kryesisht për aktivitete të komunës e institucioneve të tjera, edhe pse teatri ka një rregullore ku nuk lejon aktivitete të tjera përveç në raste të jashtëzakonshme, pasi që po pengon shumë punën e teatrit. Ne kërkojmë që për Teatrin e Qytetit të respektohet rregullorja dhe të mos pengohet puna në të dhe të lejohet ky institucion ta bëjë punën e vetë në kushte normale”.

Mobi Casa

Ajo mendon se Drejtoria nuk duhet të ketë rol sponsorizues , por të bëjë politika të mirëfillta për kulturën, sportin veçanërisht rininë, pasi që rinia përbën grupmoshën më të madhe në vend dhe aktualisht është mjaft e pashpresë falë politikave të gabuara të udhëheqësve politikë të Komunës.

Gjithashtu edhe Salla e Sporteve ‘‘Bashkim Selishta”, nuk po mirëmbahet fare, është në një gjendje të mjerueshme dhe me të hyrë kundërmon erë e rëndë, për ç’gjë apelojmë nga kompetentët që të ndërmerren masa për përmirësimin e gjendjes aktuale, sepse ajo palestër, si shume objekte tjera kulturore e sportive, meritojnë më shumë.
Asnjë cent në kulturë për vitin 2013

Një çështje tjetër e rëndësisë së veçantë është buxheti për DKRS-në për vitin 2013. “Paramendoni , Qeveria e Republikës së Kosovës, për këto tri segmente shumë të rëndësishme nuk ka ndarë as edhe një cent për vitin 2013. Kjo nuk ka emërtim tjetër pos mosangazhim të Kryetarit të Komunës i cili nuk është i denjë të kërkoj buxhet edhe për kulturën, sportin dhe rininë gjilanase”. Ndërsa në buxhetin e komunës për vitin 2013 janë ndarë gjithsej 456.160,00 € .

Së fundi, Strategjia për Zhvillim Kulturor të Komunës së Gjilanit, të cilën ne e kemi vlerësuar pozitivisht dhe si të tillë në komitet e kemi mbështetur, si ndër të paktat gjëra të mira që kanë ndodhur për kulturën. Sugjerimet tona të mëhershme, që të njëjtat përfshihen dhe në strategji, fatkeqësisht nuk janë përfillur, për vënien në pozita udhëheqëse të personave të kualifikuar, e që në Drejtorin e Kulturës aktualisht ka të tillë që udhëheqin sektore të rëndësishme pa kualifikime profesionale.

Komisioni për Kulturë, Rini dhe Sport, i bashkohet reagimit të Kryetari të LDK-së rreth monografisë së Gjilanit me rrethinë. “Ne vërejmë se në këtë monografi haptas është shprehur një lloj subjektivizmi, përmes lartësimit të disa figurave deri në pietet dhe mos përmendjes fare të shumë figurave të merituara nga regjioni ynë për kontributin e tyre rreth lirisë sonë të përbashkët. Lirinë mund ta quajmë liri të plotë, kur të gjithë të ndjehemi të barabartë, dhe ta shijojmë ajrin e lirisë njëjtë, dhe mos të ndodh margjinalizimi i shumë familjeve dhe intelektualëve nëpërmjet anashkalimit apo kufizimit të mundësive të barabarta si në punësim, shkollim, apo edhe pozita tjera në shoqëri” tha Kurteshi./rajonipress/