LDK e Gjilanit ka mbajtur Konventën Programore

Gjilan – Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, mbajti Konventën Programe, të cilën e shpalli të hapur nënkryetari i parë i LDK-së, njëherësh kryetar i degës i kësaj komune, Lutfi Haziri, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë.

Në fjalën e tij, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se LDK është gardian i demokracisë dhe i zhvillimit të shtetit.

Ai tha se edhe përkundër faktit që në Gjilan janë në opozitë, në mënyrë të vazhdueshme po ofrojnë këshilla dhe sugjerime, mirëpo ato nuk po dëgjohen nga pushteti i sotëm në Gjilan, për të cilin tha se ky pushtet e fituar një zyre por e ka humbur qytetarin.

Ndër të tjera, ai tha se LDK do ta bëj rikthimin e madh, në krye me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Sot, në këtë Konventë madhështore, e konfirmojmë kështu bashkë e me unitet të plotë se ne nuk bëhemi kurrë ‘kukulla’ të pushtetit sepse nga qendra e investimeve më të mëdha publike, VV e futi Gjilanin në depresion të thellë politik e ekonomik. Është shqetësues fakti që asnjë investim i ri brenda dhjetë muajve nuk ka ndodhur deri sot në Gjilan nga kjo administratë. Po administrojnë me Komunën siç po administron me Republikën shefi i tyre politik. Është fatkeqësi dhe zhgënjim i madh për qytetarët se ky vit është i humbur për Gjilanin. Interesi ynë është që ky vit i humbur të kompensohet me bashkëpunim e aktivizëm, duke u bazuar në rregullore dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale”, tha Haziri.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij, pasi që e vlerësoi organizimin e Konventës, tha se nga Gjilani po e nisim ciklin e takimeve me njerëzit tanë gjithandej Kosovës, ndërsa shtoi se qytetarët tashmë po njohin qartë energjinë e re dhe ndryshimin e shumëkërkuar në LDK.

Abdixhiku, theksoi se shumë njerëz të rinj, profesionistë të rinj, burra e gra më të mirë të vendit po i bashkohen lidhjes sonë politike, ndërkaq, nënvizoi se përkundër progresit të jashtëzakonshëm në këtë kohë të shkurtë, duhet të përmirësohemi e rritemi edhe më tutje.

Sa i përket sfidave që po përballen qytetarët, Abdixhiku theksoi se jemi në krizë dhe kapërcimet politike i bëjmë nga kriza në krizë.

Ndër të tjera, ai tha se Kosova nuk ka Qeveri, ngase në vend të gjetjes së zgjidhjeve për çdo problem, nga greva tek energjia, inflacioni, ikja e shëndetësia, dëgjojmë narracione të 14 shkurtit, fajësimeve për 20 vjet, e konspiracione të ndryshme.

Abdixhiku, specifikoi se LDK ka një plan dhe ekip që po ndërtojnë programin në bashkëbisedim me qytetarët, ku do t’i japim përgjigje dhe vizione të qarta e të guximshme problemeve të vendit tonë.

Ai, në fund të fjalës së tij, bëri thirrje që të gjithë rugovistët, të gjithë besimtarët e djathtë dhe patriotët e Republikës së Kosovës të bashkëngjiten në rrugëtimin e madh, ku theksoi se Kosova ka nevojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, e ne kemi nevojë për njerëzit më të mirë të vendit.

Pas Konventës, Haziri dhe Abdixhiku kanë qëndruar në vizitë te fabrika për prodhimin e vajit “Floil”, për të vazhduar në fshatin Zhegër, ku kanë vënë kurora lulesh te varri i heroit Idriz Seferi dhe te lapidarët e Shaban dhe Sami Ukshini, ndërkaq kanë qëndruar në familjen e heroit, Agim Ramadani dhe kanë zhvilluar takim me strukturat e partisë./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS