LDK e ftohtë ndaj listës “Dr.Ibrahim Rugova”

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Lidhja Demokratike e Kosovës mund ta marrë në konsideratë bashkëpunimin me “Listën Dr. Ibrahim Rugova”, por subjekti më i madh opozitar në vend, nuk ka shfaqur ndonjë entuziazëm për deklaratat e Bujar Bukoshit, pasi sipas tyre, kjo listë nuk mund t’i ndihmojë shumë.

Duke u përgjigjur në deklaratat e Zëvendëskryeministrit Bujar Bukoshi, i cili edhe pse pjesë e Qeverisë Thaçi tha se do ta mbështesë LDK’në gjatë zgjedhjeve të ardhshme, Deputeti Armend Zemaj, tha se çdo bashkëpunim është i mirëpritur. Por, sipas tij, Lista e Bukoshit nuk ka ndonjë fuqi të madhe.

“Çdo vullnet i mirë për bashkëpunim është i mirëpritur edhe pse varet tash në cilat procese, tash jemi në pritje të zgjedhjeve lokale, dhe sigurisht që fuqia e tyre politike nuk është ndonjë reflektim i madh në terren, por sidoqoftë mbetet të shohim pas raundit të parë të zgjedhjeve dhe nevojave eventuale për bashkëpunim pastaj do të kanalizohet se çfarë gjykimi do të jetë” ka thënë Zemaj të dielën për Express.

Hidromorava

Megjithatë Zemaj, ka theksuar se nuk beson që do të ketë pengesa për të bashkëpunim eventual me Bukoshin.

“Nuk besoj që do të ketë ndonjë pengesë jo për Bukoshin dhe të tjerët por për askënd që është i afërt me programin politik të LDK’së dhe me njerëzit të cilët do të udhëheqin komunat pas zgjedhjeve të 3 nëntorit” ka thënë ai.