LDK e AAK akuzojnë Gërvallën: Merr vendime arbitrare që dëmtojnë shtetin

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë adresuar akuza ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për vendime arbitrare që po dëmtojnë shtetin e Kosovës. Deputeti Anton Quni nga LDK solli rastin e diplomatit Viskont Jakupi ndërsa deputetja Time Kadrijaj e AAK për gjobën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi ndaj MPJD-së në vlerë 13 mijë euro pasi ka refuzuar të ofrojë qasje në faturat e shpenzimeve të diplomatit, njëherisht bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu.

Deputeti Quni tha se ka shumë shembuj se si zyrtarët abuzohen nga ministrat apo stafi i tyre i ngushtë politik, me presione, shantazhe, transfere e deri tek ndëshkimet e padrejta. Ai përmendi rastin e diplomatit Viskont Jakupi, i cili ishte caktuar si Sekretar i Parë i Ambasadës së Kosovës në Londër, e më pas ishte rikthyer në Kosovë pasi kishte dërguar gabimisht adresën e banesës në të cilën do të jetonte e që ia kishte gjetur Ambasada e Kosovës në Londër.

“Këshilli (i Pavarur Mbikëqyrës) ka konstatuar se vendimi i ministres është i jashtëligjshëm dhe kundërthënës. në vendimin e Këshillit thuhet se znj. Gërvalla ka vendosur në kundërshtim me Ligjin 03L122 dhe në kundërshtim me rregulloren 02/2019 për shërbimet e jashtme. Kolegji ka konstatuar se ministrja në asnjë rrethanë nuk ka kompetencë të tërheq përfaqësuesit diplomatikë për supozimet e saja. Në shtete ku ka kulturë institucionale, ministrat që shkelin ligjin japin dorëheqje, e besa ndiqen edhe penalisht. Kur vendimet e organeve të ankimit janë në favor të saj ajo i respekton, por ku ato nuk janë në favor të saj, ajo hesht sepse ka si të arsyetohet”, tha Quni.

Ndërsa deputetja Time Kadrijaj deklaroi se Gërvalla është pajtuar të paguajë 13 mijë euro gjobë Agjencisë për Informim dhe Privatësi sesa të tregonte se ia paguante derivatet bashkëshortit të Vjosa Osmanit, Prindon Sadriut.

“Sa për rikujtim MPJD me taksat e qytetarëve kosovarë paguante derivatet për udhëtimin e Sadriut nga Kosova në Maqedoni, aty ku shërbente si zëvendësshef i misionit. Pavarësisht legjitimitetit së kërkesës se medias për qasje në dokumente zyrtare MPJD është pajtuar që më mirë të paguajë 13 mijë euro gjobë sesa t’i bëjë publike të dhënat e shpenzimeve të këtij diplomati që po shihet se është i paprekshëm. Pavarësisht skandaleve dhe shkeljeve të vazhdueshme…. Ministrja të jap llogari para deputetëve, të na tregojë se a do të merren masa pas këtij dënimi. Kush duhet të jap llogari? Apo ky Zotëria i Parë është mbi shtetin, mbi ministrat, e mund të bëjë çfarë të dojë, e mbi qeverinë. Kujt i shërben ky diplomat? Deri kur do të lejohet që një diplomat që paguhet me taksa të shtetit të fyejë e të sulmojë mediat, të shkaktojë skandale e keqpërdorime financiare e të mos merren fare masa për të”, tha Kadrijaj.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS