LDK do të prijë, kë do ta marrë si partner?
Nga Xhemal Ahmeti – Përtej prognozave e studimeve të vetësajuara portaleve e gazetave që kanë nën kontroll disponimi, terreni dhe analizat eksterne e kanë një gjuhë: Për momentin duket që PDK dhe AKR do të jenë humbëset e radhës!
Jahjaga e shpalli një datë të ditur qëmoti. Një muaj tash e tutje qytetari do të jetë pre e shout masmedial me protagonistë partitë, të cilat do të kujdesen edhe të tëhuajësohen për t’u treguar kozmetikisht sa më simpatike e politikisht sa më të besueshme. Presioni ndaj gazetarëve do të rritet edhe në ato media ku nuk kanë diktat të drejtpërdrejtë oligarkë e primatë të llojeve të ndryshme.
Faza elektorale tashmë ka nisur moti. Së paku për kryeministrin e vendit. Sa fer dhe sa cilësore do të jenë zgjedhjet e radhës, sidomos kur kihet parasysh koha e shkurtër?
Nëse nuk do të ndodhin tepër tërmete – kështu shumica e analizave – muajit që vjen LDK do të prijë. Mirëpo, jo në formën a la Gruevski – me aq vende në parlament saqë të mos bëhet nevojtare e ndonjë partneri po ashtu të fortë. PDK ka gjasa të radhitet madje në vijën e tretë, sepse pavarësisht vetëbesimit të zotëri Thaçit, Nisma e Limajt dhe Krasniqit i heq copa të mëdha në terren. Ata të zhgënjyerit me PDK por që nuk duan të rreshtohen te NISMA, tashmë e kanë zgjedhur adresën: Vetëvendosjen! Pa llogaritur këtu madje bazat e organizatave të ndryshme të luftës dhe ato që nuk e konsiderojnë veten parakapitaliste apo liberale. AAK ka gjasa t’i shtojë ca numra nëse arrin që agjendën ta zërojë edhe më shumë dhe nëse ka fat e mediet sillen po aq fer ndaj saj sa edhe ndaj të tjerëve. Është bërë zakon që mediet t’i preferojnë më të fortët e radhës së shkuar, kështu duke ua kufizuar padrejtësisht terrenin të ardhshmëve të mundshëm. Vetëvendosje duket se do të mbetet sërish opozitë por më e fortë se që duket. AKR duhet të sjellë në gjirin e saj emra të rinj në mënyrë që të krijojë pasqyrë tjetër dhe të hyjë sërish në Kuvend, në të kundërtën rrezikon të tkurret.
Kur kihet parasysh se votuesit, mediet dhe shoqëria civile nuk kanë ende ndonjë forcë për të rikonfiguruar diçka më të madhe, ato do të rrotullohen rreth dy alternativave, ndërmjet:
Asaj që dështoi – siç perceptohet masivisht në vend, nuk është mendim personal – PDK-së apo
Asaj që mbetet më e madhja por edhe që – sipas gjitha gjasave – do të ofrojë më së shumti teknokratë e specialistë për të cilën ka nevojë Kosova, e të cilat i pari as i ka as mund t’i ketë, LDK-së.
Si do të reagojnë mediet secila veç e veç? A ka gjasa të ndryshojë situata në favor të kësaj apo asaj partie.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


