LDK dhe VV, të gatshme për zgjedhje të parakohshme

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk fshehin dëshirën e tyre për organizimin më të shpejtë të zgjedhjeve të përgjithshme.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Demolli, theksoi se partia e tij është e gatshme që të hyjë në zgjedhje – në çdo kohë.

“Jemi ithtarë të asaj që reforma zgjedhore të miratohet sa më shpejt që është e mundshme”, thotë ai për Telegrafin. “Megjithatë, nuk e kushtëzojmë mbajtjen e zgjedhjeve nacionale me kalimin e reformës zgjedhore”.

Sipas tij, LDK-ja ka shënuar suksese në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ndaj është i bindur se ky sukses do të përcjellë edhe në zgjedhjet nacionale.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha për Telegrafin se VV-ja qysh në shtator të vitit 2011, kërkoi dorëheqjen e kësaj Qeverie.

Eco Higjiena

“Për këtë angazhohemi edhe sot, pasi që çdo ditë e Qeverisë Thaçi është ditë e humbur për Kosovën dhe qytetarët”, tha ajo, duke shtuar se sa më parë që organizohen zgjedhjet, aq më mirë do të jetë për vendin.

Sipas saj, deri sot nuk ka pasur vullnet politik për të bërë reformë zgjedhore në aspektin e administrimit të zgjedhjeve.

“Ndaj nuk presim një qasje serioze të subjekteve karshi këtij procesi. Pastaj, është e rëndësishme të dihet se çka nënkupton Thaçi me reformë, meqë mendjen e kanë në vazhdimin e vendeve të rezervuara për serbët. Çështja duhet të kthehet në institucione e jo t’ju lihet liderëve politikë të bëjnë pazare”, shton Haxhiu.

Në bazë të asaj që kanë deklaruar liderët në media, zgjedhjet nacionale nuk do të mbahen qershorin e këtij viti, sepse duhet së paku edhe një muaj që reforma zgjedhore të përfundojë. /Telegrafi/