LDK – AKR në Kamenicë synojnë marrëveshjen e koalicionit

Gjilan – Të martën është mbajtur një takim mes LDK-së dhe AKR-së në Kamenicë, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje tha për rajonipress Jeton Biqkaj. Ne do të jemi neutral ndaj dy partive politike LDK-së dhe PDK-së, derisa të mos merret ndonjë vendim nga kryesia dhe këshilli i përgjithshëm i AKR-së tha Fatmir Krasniqi.
Jeton Biqkaj zëdhënës i LDK-së tha se takimi ishte në përbërje të përfaqësuesve të dy degëve dhe të niveleve qendrore të dy partive politike. “Ishte një takim në të cilin dominoi fryma e tolerancës dhe e mirëkuptimit të ndërsjellë, e cila shprehej me vullnetin për arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët brenda pak ditësh për ta qeverisur së bashku Komunën e Kamenicës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar” tha Biqkaj.
Kurse , Fatmir Krasniqi nënkryetar i degës së AKR-së në Kamenicë tha për rajonipress se është e vërtetë se jemi takuar me përfaqësuesit e LDK-së, por ende s`kemi as qëndrim as vendim.”Ne do të jemi neutral ndaj dy partive politike LDK-së dhe PDK-së, derisa të mos merret ndonjë vendim nga kryesia dhe këshilli i përgjithshëm i AKR-së” tha Krasniqi.
Krasniqi tha se për ne nuk janë me rëndësi pazaret, por projektet tona dhe implementimi i tyre.”Programet tona duhet të përputhen dhe të gjejnë vend në programin qeverisës të atij subjekti politik me të cilin mendojmë të hymë në koalicion” tha Krasniqi.
Ndryshe në Kamenicë PDK tashmë ka lidhur koalicion me AAK. /rajonipress/