Fundamenti

Lavdi poshtërimit!

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Aleksandar Jablanovic dhe të tjerë si ai vazhdojnë të tallen me ne dhe të provokojnë, sepse kështu dëshirojnë Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Ata janë pajtuar të bashkëjetojnë me poshtërimin. A duhet të pranojmë edhe ne që të jetojmë si ata?

Nuk mund të ketë veprime poshtëruese më të mëdha se këto të fundit të Serbisë në Kosovë. Së pari “Lugina e Diellit”, më pas Car Lazari e Kosharja. Ndërkohë, institucionet kosovare ose heshtin, ose reagojnë me vonesë, duke treguar gjithë paaftësinë dhe joseriozitetin e kësaj klase qeverisëse karshi këtyre provokimeve që cenojnë funksionimin normal të shtetit dhe identitetin shtetëror.

Të nisesh nga Beogradi dhe të mbërrish në Koshare pa therrë në këmbë, për t’i nderuar me kurorë lulesh ushtarët serbë që u vranë atje gjatë luftës, është më tepër se provokim. Jo pse ata ushtarë nuk duhet pëkujtuar nga shteti i tyre, por se të tilla veprime bëhen brenda një kornize rregullash të qarta që i vendos shteti i Kosovës. Siç do të duhej të ndodhte edhe me vendosjen e shtatores së Car Llazarit tash në Mitrovicën e Veriut dhe më parë asaj të Mbretit Milutin në Graçanicë. Siç do të duhej të ndodhte me projektin e lagjes “Lugina e Diellit” në Zveçan. Siç do të duhej të ndodhte me festimet për Vidovdanin në Gazimestan.

Të gjitha këto veprime poshtëruese të Serbisë në Kosovë dikush mund t’i quajë edhe simbolika. Por, ato janë shumë më shumë se kaq. Ato e nxjerrin cullak shtetin e papaftë të udhëhequr nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Në vend se të reagojnë seriozisht dhe t’iu japin përgjigjen e duhur, ata janë strukur për gjynah duke u bërë kinse po qeverisin, ndërkohë që në një pjesë të madhe të vendit qeveris dikush tjetër. Qeveris shteti me të cilin ata kanë dialoguar e dialogojnë, qeveris shteti që rrezikon qenien e Kosovës së pavarur.

* * *

Aleksandar Jablanovic është tallur me ne dhe me viktimat tona dhe për këtë është ndëshkuar pas reagimit të vendosur të qytetarëve. Ai vazhdon të tallet me ne sërish – tash nga Beogradi. Dhe nuk ka faj. Sepse, talljen e tij me ne e lejojnë Hashim Thaçi e Isa Mustafa.

I pari asnjëherë deri më tash nuk e ka dërguar një buqetë lulesh në nderim të të rënëve në Koshare. I dyti e ka përmendur Kosharen kur i është dashur të fitojë poenë politikë.

I pari na ka thënë se sovraniteti i vendit është i pacenueshëm dhe i shtrirë në tërë territorin. I dyti vazhdon ta përsërisë këtë gënjeshtër.

Aleksandar Jablanovic dhe të tjerë si ai vazhdojnë të tallen me ne, sepse kështu dëshirojnë Thaçi e Mustafa. Ata janë pajtuar të bashkëjetojnë me poshtërimin.

KKGJILAN

Kryeministri poshtërohet çdo ditë nga vartës të tij, ministra serbë, të cilët në Kosovë e realizojnë agjendën e Beogradit. Ata paguhen me paratë tona, e i shërbejnë Serbisë.

Andaj, tingëllojnë qesharake deklaratat e ndonjë tipi nga kabineti i kryeministrit se Qeveria e Kosovës qenka e përkushtuar në respektimin e kulturës dhe trashëgimisë së të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe se Qeveria nuk po dashka të ndikojë a të dirigjojë të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve të vendit. Fjalë koti që nuk thonë gjë.

Sepse, nuk po bëhet fjalë këtu për respektim kulture, por për agresion të Serbisë në Kosovë. Nuk po bëhet fjalë këtu për respektim trashëgimie, por për respektim sovraniteti e integriteti – respektim shtetësie.

* * *

Të mos reagosh për të tilla veprime të Serbisë në Kosovë don të thotë të nënshtrohesh ndaj një politike dhe një shteti që synim kryesor e kanë pengimin dhe minimin e shtetësisë së Kosovës. Të provosh që t’i relativizosh veprimet e tilla don të thotë të tregosh gjithë dobësinë karshi provokimeve dhe ndërhyrjeve në shtetin tënd.

Të mbash mbledhje qeverie, e të mos denjosh që në asnjë fjalë të vetme t’i përmendësh këto veprime të Beogradit, don të thotë të çosh duart lart e të dorëzohesh me vetëdije. Don të thotë të kapitullosh përballë një politike të udhëhequr nga manarë të Slobodan Milosevicit.

Të provosh të tërheqësh paralele ndërmjet heronjve serbë dhe atyre shqiptarë është budallaki e llojit të vet. Është përpjekje e kotë për të minimizuar ndikimin e Serbisë në Kosovë, përpjekje për t’iu hedhur hi syve të gjithë atyre që kthjellët po e shohin çfarë po ndodhë.

Nëse ndër dekada janë bërë përpjekje për ta hequr Serbinë nga Kosova, nuk duhet lejuar askënd që ta kthejë atë në Kosovë nëpërmjet veprimeve të tilla. Paaftësinë e tyre për të qeverisur e mbrojtur vendin, Hashim Thaçi e Isa Mustafa të mos përpiqen t’ia mveshin tjetërkujt. Aq më pak jo me çmimin e cenimit të shtetësisë së Kosovës nga Serbia.

Nëse ata kanë vendosur të lejojnë për t’u poshtëruar, qytetarët nuk kanë nevojë ta pranojnë një gjë të tillë. Ata nuk duhet lejuar t’i brohoritet “lavdi” poshtërimit.