Latifi: Jemi të trishtuar nga sulmi që ju bë mjekut dhe teknikut
Gjilan – Abdylatif Latifi drejtor i spitalit në Gjilan për rajonipress tha se menaxhmenti i spitalit shpreh indinjatën e thellë me rastin e sulmit ndaj dy punëtorëve tanë gjatë orarit të punës.
Latifi tha se menaxhmenti është i trishtuar nga ky sulm nga persona të dehur. “Kjo tregon se vërtet mjekësia dhe personeli shëndetësor ende janë të rrezikuar nga njerëz të pandërgjegjshëm. Ne e gjykojmë ashpër një sjellje të tillë nga qytetarët e pandërgjegjshëm dhe ftojmë organet tona të hetuesisë dhe gjyqësisë që të merren seriozisht me rastet e tilla, në mënyrë që mos të përsëriten më në të ardhmen”.
Latifi tha se përkundër këtij sulmi tinzar menaxhmenti dhe tërë personeli shëndetësor merr obligim para qytetarëve që në vazhdimësi të japim shërbim cilësor në bazë të të gjitha kapaciteteve tona profesionale.
Ndryshe policia ka arrestuar dy të dyshuar meshkuj shqiptar pasi që të njëjtit në gjendje të dehur kanë sulmuar fizikisht në vendet e tyre të punës dy viktima meshkuj shqiptar, njëri mjek dhe tjetri punëtor medicinal në spitalin rajonal të Gjilanit.
Mësohet se mjeku i sulmuar është Halim Hajdari kurse tekniku Alban Murtezi. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /rajonipress/


