Latifi drejtor i Spitalit edhe për katër vite, premton reforma dhe përkrahje

Gjilan – Abdylatif Latifi është zgjedhur drejtor në spitalin rajonal të Gjilanit edhe për katër vite. Latifi tha për rajonipress se ka një projekt plan afirmativ për të ndihmuar kuadrot e reja, për të vazhduar me edukimin profesional, për të përkrahur mjekët e rinj, për të ngritur shërbimet shëndetësore dhe cilësinë, disiplinën në punë dhe për të luftuar të gjitha keqpërdorimet e mundshme në spitalin e Gjilanit.
Abdylatif Latifi do të jetë në krye të spitalit të Gjilanit edhe për katër vitet e ardhshme. Ai tashmë është zyrtarizuar si drejtor i spitalit derisa zgjedhjen e tij për rajonipress e ka konfirmuar edhe Faik Hoti zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë raporton rajonipress.
Latifi tha për rajonipress se zgjedhja e tij në këtë mandat është një privilegj dhe përgjegjësi dhe ka premtuar reforma dhe shërbime cilësore në të gjitha nivelet shëndetësore në këtë spital.
Latifi thotë se ka një plan të veprimit duke filluar me edukimin profesional të stafit mjekësor, me theks të veçantë për të përkrahur mjekët e rinj. “Ne do të përkrahim ata mjek të rinj që paraqesin tema autoktone në simpoziume dhe konferenca dhe do të angazhohemi që me kuadrin e shëndoshë që kemi të rrisim cilësinë e shërbimeve, disiplinën në punë, përmirësimin e kushteve të punës, furnizim edhe më të mirë me barna”.
Latifi ende është optimist se gjendja në sektorin e shëndetësisë mund të kthehet në binar të shëndoshë. “Unë jam përpjekur edhe më herët dhe do të vazhdoj të luftojë të gjitha keqpërdorimet e mundshme në spital. Normalisht kjo “luftë” e jona do një përkrahje nga të gjitha institucionet si ato komunale e në veçanti bashkëpunim presim nga qytetarët”.
Kreu i spitalit thotë se në spitalin e Gjilanit do të ketë aparaturë moderne mjekësore derisa do të ndërtojmë në të ardhmen një emergjencë e cila kushton rreth 800 mijë euro. “Ky investim kapital do të zgjidhte për një kohë të gjatë çështjet hapësinore sidomos për emergjencën dhe diagnostikon” tha Latifi./rajonipress/