UBT

Largoni retë e zeza mbi Kosovën, formojeni Gjykatën Speciale

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka deklaruar në Zubin Potok se formimi i Gjykatës Speciale për krime të luftës para së gjithash është në interes të Kosovës, ndërsa tha se pret që bisedimet për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe të fillojnë ashtu siç janë paraparë me Marrëveshjen e Brukselit.

Ai nuk ka dashur të spekulojë se çfarë do të ndodhte nëse në Kuvendin e Kosovës nuk merret vendimi për formimin e Gjykatën Speciale, por ka siguruar se tani është koha për formimin e saj. “Nuk dua të spekuloj me atë se çfarë do të ndodhë nëse nuk merret vendimi, sepse mendoj se kjo Gjykatë është në interes të Kosovës dhe se deputetët e Kuvendit të Kosovës më në fund do të shohin se kjo vërtet është zgjidhja më e mirë dhe se ajo Gjykatë në mënyrën më të shpejtë të mundshme do t’i shkojë në fund këtij tregimi nga raporti i Këshillit të Evropës”, u ka thënë medieve pas përfundimit të ceremonisë së përurimit të objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Zubin Potok, për ndërtimin e të cilit BE-ja ka investuar 600 mijë euro.

Zhbogar ka siguruar se tani është koha e duhur që të fillohet me përgatitjet për formimin e Gjykatës Speciale në Kosovë. Sipas tij, vendimi për formimin e Gjykatës Speciale nuk është i lehtë për Kuvendin e Kosovës, por ripërsëriti se ka ardhur koha për miratimin e amendamenteve kushtetuese që e mundësojnë formimin e saj.

Fundamenti

“Sa i përket asaj se si ne e shohim, kemi përshtypjen se gjithçka është gati për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë shqyrtuar edhe në Këshillin Gjyqësor, ndërsa edhe ligji është gati. Ne e kuptojmë se një vendim i tillë nuk është i lehtë për Kuvendin e Kosovës dhe se duhet pak kohë që njerëzit të mendohen dhe në fund të vendosin. Pikërisht për këtë ne kuptojmë se për ç’arsye ndoshta kjo po zgjat më shumë se sa kemi menduar”, ka sqaruar Zhbogar.

Për shefin e BE-së në Kosovë tani është koha për të vendosur. “Ne mendojmë se tani është koha që duhet të vendoset për Gjykatën Speciale, tani është momenti që të shkohet edhe më larg, që të largohet ajo, siç them unë “re e zezë mbi Kosovën”, në mënyrë që të shkohet më larg me përgatitjet për formimin e Gjykatës”, ka thënë ai.

Ndryshe, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, në aktin e përurimit të objektit të QKMF-së në Zubin Potok, tha se BE-ja ka investuar 600 mijë euro për objektin, i cili ka tri nivele dhe është i përshtatshëm edhe për invalidë, gjë që ndërtesën, bashkë me sistemin energjetik e bëjnë të jetë me standarde evropiane. /Zëri/