RCCOLA

Larg nga Kosova

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ibrahim Rexhepi – Aferat e shumta korruptive e kanë ngulfatur zhvillimin ekonomik dhe kanë zbehur shpresat se do të vijnë investitorë serioz. Sinjal më i besueshëm për ta është problemi me pasaportat bimetrik, targat e automjeteve, se sa ngritja e Kosovës në listën “Doing Business”.

Kompania “Daimler Chrysler” e kishte ndaluar që veturat e saja t’iu shiten institucioneve publike e shtetërore të Kosovës për shkak të korrupsionit dhe dallavereve me tenderë.

Kompania austriake OeSD nuk i mori 1,4 milionë euro për punën që kishte bërë për shtypjen pasaportave biometrik, ndonëse paratë kishin rrjedhë nga kontoja e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sllovenët nga kompania KIG kot kishin punuar në shtypjen e targave për automjetet e Kosovës, meqenëse 200 mijë euro “tretën” gjatë transferim.

Kosovarët që përmes firmës londineze ”Fox Marble” u listuan në Bursën e Londrës, nuk i kanë më ambiciet që kishin për eksploatimin mermerit në Kosovë, meqenëse mbetën pa katër licenca. Ato i humbën, pasi që, sipas menaxherëve të saj, nuk deshën të paguajnë reket.

Dy shtetas të huaj, investitorë të mundshëm në Kosovë, dëbohen nga Aerporti i Prishtinës, meqenëse, sipas autoriteteve policore, nuk kishin në rregull letrat për hyrje në vend.

Pas këtyre tregimeve shqetësuese për vendin që mbanë shpresa se nivelin e zhvillimit do ta rritë përmes investimeve të huaja, vijnë edhe disa dromca pak më optimiste. Në listën e Bankës Botërore për bërjen e biznesit Kosova radhitet në vendin e 98 –të, kurse një vit më parë ishte në vendin e 117. Ndërkaq, për perceptimin e korrupsionit organizata “Transparency International” e radhitë në vendin e 105-të. Sado që vjet Kosova radhitej në vendin e 113, këtu është vështirë të bëhet një krahasim , apo të flitet për zhvillimet pozitive, meqenëse TI ka ndryshuar metodologjinë e hartimit të raportit. Pra, krahasimi me vitin e kaluar nxjerr pamje joreale. Mirëpo, kur thuhet se në këtë listë Kosova qëndron pas të gjitha vendeve të rajonit, pos Shqipërisë, del shumë qartë se sa keq qëndron Kosova.

Tash, kur një investitorë serioz ka parasysh të gjitha këto zhvillime, atëherë e ka të qartë se çfarë rreziku i nënshtrohet çdo cent i investuar në Kosovë. Atij nuk do t’i bëjnë shumë përshtypje tabelat e Bankës Botërore, apo ato të “Transparency International”.

Hidromorava

Ai fillimisht do ta ketë të qartë se shumë lehtë mund ta regjistroj biznesin, por njëkohësisht duhet të jetë i vetëdijshëm se kostoja e investimit do të jetë shumë më e lartë se zakonisht për shkak të “tallit” që duhet të paguaj, apo për të ngopur zhvatësit nga nivelet qeveritare, pastaj, lehtë mund të humbë licencat, pa marrë parasysh se kanë një garanci ligjore, ose paratë mund t’i “humbin” rrugës prej një banke te një bankë tjetër. Kjo është pamja reale e ambientit për investime në Kosovë.

Se kjo është gjendja reale e tregojnë shifrat. Deri në fund të qershorit të këtij viti si investime të huaja direkte Kosova përfitoj 86,2 milionë euro, përderisa një vit më parë erdhën 100 milionë euro më shumë. Trendi i rënies së IHD-ve ka nisur kaherë, prandaj nuk është aq optimist fakti se vjet ato ishin për 28,8 milionë euro më të larta se parvjet.

Koston për shkak të dëbimit të investitorëve të huaj do ta paguaj popullata, meqenëse do të vazhdoj të jetoj në varfëri përderisa me shtetin udhëheqin ata që të shtetasin e huaj e vlerësojnë si potencial për plaçkitje, apo për përfitime mbi baza korruptive.

Madje, pa pasur frikë se mund të ndëshkohen. Të tillët kanë fuqinë që vet të dirigjojnë me mënyrën e zbatimit të ligjit dhe të funksionimit të institucioneve “të pavarura” të gjyqësisë.

Ndërkaq, potencialet e brendshme për zhvillim janë solide. Së pari, biznesi privat nuk ka burime të financimit, pasi që bankat kanë reduktuar dhënien e kredive për ndërmarrjet, por në të njëjtën kohë ato janë të padëshirueshme për shkak të normës së lartë të interesit. Së dyti, janë të kufizuara burimet e financimit të zhvillimit përmes parasë publike, meqenëse ato janë të fokusuara për ndërtimin e autostradave, si edhe për përfundimin e punëve të filluara para një, apo dy vjetëve. Ndonëse ka pohime se pikërisht investimet e këtilla kanë ngritur normën e zhvillimit gati 5 për qind, por kjo gjendje mund të harrohet shpejt, meqenëse ajo nuk ka gjeneruar vende të reja të punës, apo nuk vjen si rezultat e forcimit dhe i rregullimit të ambientit për biznes. Sivjet, ta zëmë, do të ketë probleme që të arrihet një normë e tillë e zhvillimit, meqenëse nuk ka asnjë projekt të ri, e as që priten ndryshime esenciale pas privatizimit të sektorëve strategjik – energjetikës dhe telekomunikacionit.

Është vështirë të pritet se brenda një kohe të shkurtër mund të ndodhin kthesat. Së pari për fajin e Qeverisë së Kosovës, e cila nuk ka vizion të qartë se si t’i joshë investitorët e huaj. Kjo mund të arrihet lehtë, meqenëse ka indikacione se baza ligjore është solide.

Mirëpo, nuk ka gatishmëri për një luftë të pa kompromis dhe të vërtetë ndaj të korruptuarve dhe zhvatësve pikërisht brenda institucioneve qeveritare. Kjo punë nuk kryhet vetëm përmes deklaratave, apo duke formuar grupe të punës, të cilat deri më sot nuk sollën asnjë ndryshim. Sado që kjo nuk është një betejë e lehtë dhe që mund të kryhet për një ditë, megjithatë qeveria duhet të dëshmoj seriozitet dhe qëndrueshmëri në përballje me këto të liga. Fakti se nuk u ndërmor asgjë për rastet e përmendura, e as që dikush prej kabinetit qeveritar ka shfaqur gatishmëri për dorëheqje, si paku për shkak të përgjegjësisë morale që ka.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës, nëse nuk e ka të qartë mënyrën se si të sjell investitorë nga jashtë, mund të kopjoj modelet më të mira të vendeve në rajon. Nk mund të themi se atje nuk ka korrupsione zhvatje, por së paku shteti ka një përkushtim më të madh në luftë kundër këtyre dukurive. Apo, që investitorin ta trajtojnë në mënyrë shumë më dinjitoze dhe t’i ofrojnë kushtet që vërtetë ai meriton. Për këtë po përmendim se Maqedonia i ofron shtetësi secilit biznesmen që investon 400 mijë euro, ndërsa Bullgaria – 500 mijë euro. Me këtë respekt që tregojnë ato ka rrezik që të përfitojnë investitorët, të cilët dëbohen në hyrje të Kosovës.