UBT

LAN-i, (jo) unik rreth marrëveshjes!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se realiteti që ka krijuar Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj, po e imponon që partnerët e koalicionit të ulën për të gjetur zgjidhjen më të mirë.

Beqiri thotë se diskutimet e reja që do t’i bëjë blloku paszgjedhor, do të kenë si synim ruajtjen e koalicionit të krijuar dhe gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin e bllokadës për formimin e institucioneve.

“Sigurisht që ne do të ulemi dhe të shohim se çka më tutje. Janë liderët tanë, të subjekteve politike, që vendosin se cilat janë hapat që duhet t’i ndërmarrim që të realizojmë synimin tonë”, ka deklaruar Beqiri.

Rishikimi eventual i marrëveshjes mund të prek sidomos ndarjen e posteve ndërmjet liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj – i kandiduari i bllokut për postin e kryeministrit.

Kjo çështje Beqiri thotë se tash nuk mund të paragjykohet, pasi bëhet fjalë për bisedime që do të iniciohen.

“Ka qenë që ta zgjedhim edhe kryetarin e Kuvendit, por mbi të gjitha ta ndërrojmë këtë qeverisje të keqe; të bëjmë ndryshime dhe ta formojmë qeverinë, për çka i kemi edhe numrat edhe vullnetin”, ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër, Avni Arifi, këshilltar i parë i Haradinajt, ka thënë se nuk mund t’i komentojë nismat politike të liderit të LDK-së. Por, shprehet se nuk e sheh të nevojshme rishikimin e marrëveshjes së 10 qershorit.

Eco Higjiena

“Ne nuk kem asnjë indikacion që kjo marrëveshje të anulohet dhe nuk shohim asnjë shenjë apo indikacion që ndonjëri prej partnerëve të tërhiqet nga kjo marrëveshje”, ka deklaruar Arifi.

Sipas tij, kohët e fundit PDK dhe “mjetet e saj të informimit janë ato që kanë ndërmarrë një fushatë të egër në përpjekje të qarjes së bllokut të partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje”.

Ndaj këtyre akuzave, në PDK nuk kishte interesim që të reagojnë. Ndërkaq, Arifi thotë se “e kemi një marrëveshje dhe po punojmë për zbatimin e saj deri në fund”.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit po vonon që nga 17 korriku, kur ishte thirrur seanca konstituive e cila nuk ka përfunduar ende. Pa konstituimin e Kuvendit nuk mund të fillojë faza e formimit të qeverisë së re.

Këto vonesa, po e çojnë Kosovën drejt krizës jo vetëm politike, por edhe financiare e buxhetore, ka thënë presidentja Atifete Jahjaga, e cila kishte paralajmëruar partitë politike se “mund të përballen me zgjedhje të reja nëse kriza vazhdon”.

Subjektet e përfaqësuara në Kuvend janë para marrjes së vendimeve. duke mos e përjashtuar as opsionin e tërheqjes së tyre nga pozicionet fillestare. Në të kundërtën, ato mund të ndodhen edhe para opsionit të fundit: zgjedhjeve të reja të parakohshme. /REL/