Lakmia për Pushtetin….
Nga Flamur Dërmaku – Kosova nuk është i vetmi vend ku e mira e përgjithshme kërkohet nga qytetarët, por është nga vendet e pakëta në Botë, që mund të rrezikohet nga krijimi i grupi të ngushtë interesi në krye të institucioneve.
Politika, në brendësi njeh shumë rrugë rreth arritjes të së mirës së përgjithshme, por arritja deri në këtë pikësynim përbënë në vete shumë rreziqe të prodhimit të sistemeve të pakontrolluara nga qytetari.
Sot në vendin tonë jemi dëshmitarë të thirrjeve për protestë, protesta në vete është mekanizëm i shprehjes së kërkesave. Por para se të arrijmë tek vet protesta, duhet të dimë në qoftë se janë përdorur gjitha mekanizmat tjerë institucional, përgjigja sigurisht se është JO. Partitë opozitare, duket sikur edhe pas 1 viti nuk kanë arritur të bëjnë raportet e brendshme, analizat e brendshme, Sot në përbërje të partive politike opozitare kemi individë të cilët ndër vite kanë humbur besimin nga elektorati, besimi nuk është humbur në formën e “harxhimit” por në formën e “ndytjes”.
Në vendet e rajonit, e sidomos në vendet perëndimore, çdo individ pyet veten se kur duhet të largohet nga gara për të hyrë në institucione, kjo ngaqë ata provojnë brenda pak vitesh që të bindin qytetarët se janë zgjidhja për vendin, në momentin që përgjigjja është negative, sigurisht se marrin vendimin për “pensionim” nga garat. Kosova si vend i veçantë, në vete përbënë parti të veçanta, parti të cilët thirren në “reformë” (lexo: jo-reformë).
Të bëshë reformë do të thotë shumë më shumë se të largosh dy individ, e kandidati për Kryeministër të jetë po i njejtë. Këta individë partiak, janë shumë rregull me veten, duke qenë se po këta nuk kuptojnë përgjigje negative, nuk kuptojnë nocionin e “votës”.
Shoqëria, sot duket sikur u ka krijuar shumë hapësirë këtyre individëve që të thirren në emër të tyre, kjo nuk vjen si pasojë e sistemit zgjedhor, e as nga sistemi politik, por vjen nga fakti se këta individë thirren në emër të kërkesave tona. Kërkesat tona shfrytëzohen, nga këta pseudo-Lider të 100 personave, të cilët sy-mbyllurazi besojnë tek e “mira e përgjithshme”, kjo nga fakti se raportet shoqërore të krijuara me këta individë do t’u shpërblehet më një pozitë të mirë në tashmë të njohur në Kosovë, Botën e ëndrrave.
Arritja në këtë “Botë të ëndrrave” nuk nënkupton mirëqenie kolektive, por në realizimin e ëndrrave personale të po këtyre individëve. Këtyre ëndërrimtarëve duhet t’u themi MJAFT, duhet t’i ndalim, e ndalesa nuk vjen duke u dhënë primat në thirrje të kërkesave. Lakmia e tyre e madhe për pushtet e për realizim ëndrrash klanore, vërehet në momentin që përgjigjja negative që qytetari i ka dhënë ndër vitesh shpërfillet. Qytetari këtyre, individëve u dha përgjigje një vit më parë në rrugë institucionale, sot ata pretendojnë që këtë përgjigje negative, ta kthejnë në pozitive duke u thirrur në kërkesa tona, për të marrë pushtet në rrugë jo-institucionale.
Këta individ lakmojnë pushtetin dhe botën e ëndrrave, duke shpërfillur qytetarët, këta nuk duken si opsion për ndryshim të gjendjes socio-ekonomike. Disa nga këto parti opozitare kanë arritur aq “shumë” të ndryshojnë veten e tyre, saqë po aq shumë mund të ndryshojnë qeverisjen. Ky është shembulli më i mirë se sa mund të ndryshojnë gjendjen këto parti. Reformat fillojnë nga vetja.
Personalisht, shohë një lakmi të pashterur për pushtet nga kjo opozitë, përderisa shpërfillin përgjigjet negative, nuk ndryshojnë brenda vetes dhe shpërfillin rrugët institucionale. Të dëgjoshë thirrjet për ndryshim, nga kandidaturat e pandryshuara, nga strukturat partiake të pandryshuara, nga rrugët e pandryshuara, për mua janë thirrje për ndryshim pushtetarësh e jo për ndryshim të gjendjes socio-ekonomike. Këto parti synojnë botën e ëndrrave të tyre e jo të popullit./rajonipress/


