Lajm i trisht, tragjikisht humb jetën veterani i arsimit Mehmet Vranovci

Gjilan – Tragjikisht paska përfunduar jetën veterani i arsimit Mehmet Vranovci nga Cernica, njëri ndër mësuesit e rrallë jo vetëm shqiptar, që ishte shembull i dijes, shkrimit, këndimit, bashkëbisedimit, interpretimit, stilit të veshjes, pedantërisë, bujarisë e mirëkuptimit. Goditja e një vetureje në afërsi të spitalit rajonal të Gjilanit, paska qenë fatale për ish kolegun, artistin e mësimdhënies, burrin e fjalës e besës, njeriun që nxirrte mjaltë nga goja ka shkruar Nehat Ramadani drejtor shkolle në Gjilan.
Postimi i plotë i Nehat Ramadanit:
(Por, “të Allahut jemi, tek Ai do të kthehemi”!)
Tragjikisht paska përfunduar jetën veterani i arsimit Mehmet Vranovci nga Cernica, njëri ndër mësuesit e rrallë jo vetëm shqiptar, që ishte shembull i dijes, shkrimit, këndimit, bashkëbisedimit, interpretimit, stilit të veshjes, pedantërisë, bujarisë e mirëkuptimit.
Goditja e një vetureje në afërsi të spitalit rajonal të Gjilanit, paska qenë fatale për ish kolegun, artistin e mësimdhënies, burrin e fjalës e besës, njeriun që nxirrte mjaltë nga goja!
Pata fatin, që me mësuesin Mehmet të punoja plot 25 vite dhe të ndaja të mirën dhe të keqen, fatin dhe fatkeqësinë, dashurinë dhe hidhërimin, sepse jetuam kohë të vështira, por asnjëherë dështimin.
Mehmet Vranovci ishte pedant, i kuptueshëm, tolerant me miq, i pakompromis dhe bazuar në fakte me armiq… Gjeneratat që përcolli kolegu, i gjejmë kudo nëpër institucione të Republikës së Kosovës për të cilat me përkushtim punoi dhe sakrifikoi.
Ishte model për gjithë neve që ishim më të rinjë, veshja, lustrimi i këpucëve në të cilat mund të shiheshe si në pasqyrë, vija e hekurit në pantollona, kravata, shkrimi në tabelë, fletore të përgatitjeve, planet mujore e vjetore, thjeshtë një normalist i lindur për MËSUES.
Allahu e mëshiroftë Mësuesin e kolegun Mehmet Vranovci, Vajzën Meritën e forcoftë, të gjithëve n’xhennet na bashkoftë, ndërsa kujtimi për Te i përjetshëm qoftë!