Fundamenti

Lajçak: S’po shkoj askund, jam i fokusuar në dialogun Kosovë-Serbi dhe përgatitjen e hapave të ardhshëm

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak tha se nuk është afër fundit të mandatit të tij si i ngarkuar për t’u marrë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Puna ime vazhdon” dhe “nuk do të shkoj askund”, i tha ai platformës “sbunker”, ku tregoi se po punon për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut.

“Ndoshta nuk jam aq afër fundit të mandatit tim sa mendohej fillimisht. Pra, ajo që mund të them është se puna ime vazhdon. Unë nuk do të shkoj askund së shpejti. Nuk jam ende në disponim për t’i dhënë këshilla pasuesit tim”, tha Lajçak.

Ai tha se pasuesi i tij në këtë detyrë do të vijë “herët a vonë”, por shtoi se “procesi nuk ka filluar ende”.

“Dhe pasi të zgjidhet pasardhësi, atëherë sigurisht që do të kemi shumë për të ndarë. Por për momentin, ka vetëm një Përfaqësues Special të BE-së dhe ju po flisni me të tani, dhe ekipi është këtu. Dhe, siç thashë, ne jemi vërtet plotësisht të fokusuar në punën tonë dhe përgatitjen e hapave tanë të ardhshëm”, tha Lajçak.

Eco Higjiena

Të martën e javës së kaluar Lajçak erdhi të martën në Kosovë, nga ku njoftoi se do të mbetet në pozitën e të dërguarit për dialogun deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Megjithëse mandati i tij i rregullt përfundon në fund të gushtit dhe nga 1 shtatori do të duhej ta niste punën si ambasador në Zvicër, ai ka thënë se i është kërkuar që të mbajë edhe pak pozitën që ka dhe se ka shumë punë për të bërë deri sa të largohet përfundimisht.

Vizita e fundit në Prishtinë, e më pas edhe në Beograd, ai tha se “ka të bëjë me mënyrën e ripërqendrimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë hapash konkret do të ndërmarrim”.

“Nuk mendoj që është vizita ime e fundit në Prishtinë pasi që më është kërkuar që të vazhdojë deri në fund të janarit. Pra ka ende mjaft kohë dhe punë që duhet të bëjmë”, tha ai në Prishtinë, pas një takimi që e pati me zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi.