Uji Dea

Lajçak për masat ndaj Kosovës: Duhet të hiqen, por gjithçka varet nga diskutimet e nesërme

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Pas gati dy orësh diksutimi, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje para mediave për takimin me zv/ministrin Besnik Bislimi.

Ai ka thënë se arsyeja e vizitës së tij sot në Prishtinë është për të diskutuar rifokusimin në procesin e normalizmit dhe se çfarë hapa konkretë duhet të ndërmirren në këtë.

Më tej theksi se në takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi folën për përshpejtimin e Marrëveshjes Bazike, por edhe për çështjen e Planit të Rritjes.

“Çështja e dytë që e diskutuam ishte Plani i Rritjes, që është një instrument i ri financiar i BE-së që po ofrohet me 6 miliardë euro investime”.

“Por, për Kosovën e Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe këtu jam unë ai që duhet të bëjë këtë vlerësim për konstruktivitetin. Mu për këtë kemi diskutuar se si të arrijmë te vlerësimi pozitiv”, u shpreh Lajçak.

Lajçak foli edhe për raportin që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ia ka dërguar shteteve anëtare në lidhje me heqjen ose jo të masave.

“Për aq sa di unë, ky raport do të diskutohet nesër në Komitetin për Politikë dhe Siguri dhe kjo varet nga rezultati i diskutimit”.

“E kam bërë të qartë qëndrimin tim për sa i përket masave, që në shtator, kur kam rekomanduar që këto të hiqen. Por siç e thashë, nuk jam pjesë e këtij procesi, ky është vendim i shteteve anëtare. Qëndrimi im personal është që ato duhet të hiqen. Kryeministri Kurti nuk është brenda vendit, për këtë s’kemi pasur takim”, deklaroi Lajçak para gazetarëve.

Ka nisur takimi në mes të zv/kryeministrit Besnik Bislimi dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimi po ndodh në kohën kur autoritetet në Prishtinë janë në pritje të raportit te Josep Borrell-it, i cili është dorëzuar te vendet e BE-së.

RCCOLA

Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna që një vit për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.

Para takimit me Bislimin, gjatë ditës Lajçak, foli për hapjen e Urës së Obrit.

Në një intervistë për Kosovo Online, ai tha se hapja e pakoordinuar e Urës së Ibrit mund të çojë në incidente dhe ta komplikojë sitautën e dialogut edhe më tej.

Tutje theksoi se hapja e Urës është objekt i marrëveshjeve të arritur anë Bruksel dhe se hapja duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe dakorduar.

Ai ka shprehur gatishmëri që ta vendos në axhendë të takimit të radhës në Bruksel nëse Kosova dhe Serbia kanë gatishmëri.

“Ne vazhdimisht i kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i adresojnë çështjet në dialog dhe të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara. Nuk është kurrë mirë nëse partnerët ndërkombëtarë befasohen. Në këtë rast, hapja e pakoordinuar e urës kryesore të Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë dhe të komplikojë më tej procesin e normalizimit. Hapja e urës në Mitrovicë është objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja – nga viti 2015 dhe 2016. Edhe pse jam dakord që ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe të dakorduar. Çdo vendim në lidhje me urën duhet së pari të konsiderohet dhe të merret në dialog. Nëse palët janë të interesuara, me kënaqësi do ta vendos këtë çështje në axhendën e takimit të radhës të kryenegociatorëve”, ka deklaruar Lajçak.

Lajçak viziton Kosovën një ditë pas një takimi në Athinë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Pas takimit me zyrtarin serb, Lajçak ka thënë në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se me Vuçeviqin ka biseduar për situatën e dialogut me Kosovën dhe për marrëdhëniet BE-Serbi.

Lajçak do të duhej të niste mandatin e si ambasador në Zvicër prej 1 shtatorit të këtij viti, por diçka e tillë nuk do të ndodhë derisa të emërohet një zyrtar i ri në pozitën që ai aktualisht mban.

Vizita e Lajçakut në Kosovë, është vazhdimësi e përpjekjeve të tij për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane./Telegrafi/