Fundamenti

Lajçak me fjalë të forta si Escobari: Asociacioni do të krijohet

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar ishin shumë herë bashkë në Kosovë dhe Serbi kur tensionet mes dy vendeve rriteshin herë pas here. Në synimin për arritjen e një marrëveshjeje, Escobar e ka bërë të qartë se formimi i Asociacionit është kërkesë e prerë për Kosovën. Tani, pak ditë para takimit të nivelit të lartë në fundjavë, si kurrë më parë, edhe Lajçak ka ashpërsuar retorikën duke thënë se Asociacioni “do të krijohet”.

Gazeta Express

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të koordinuara në përpjekjet e tyre për t’i bërë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që ta nënshkruajnë marrëveshjen bazë, të mbështetur në propozimin europian.

Pas takimeve me Kurtin në Prishtinë dhe Vuçiqin në Beograd, i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak tha për televizionin publik serb se Asociacioni do të krijohet. Paraprakisht, kjo u bë kërkesë e qartë e SHBA-së, por në Bruksel nuk është folur më qartë se këtë javë për çështjen më delikate aktualisht në bisedime.

“Autoriteti më i lartë i BE-së thotë se duhet të krijohet Asociacioni. SHBA thotë që Asociacioni duhet të krijohet. Pra duhet të krijohet Asociacioni dhe do të krijohet”, ka thënë ai.

Lajçak e ka precizuar qartë synimin ndërkombëtar dhe tha se tani do ta përgatisin planin e zbatimit, të cilin do t’ua prezantojnë palëve të shtunën në Ohër. Ai thotë se “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje dhe nuk ka normalizim”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për modelet e Asociacionit, Lajçak tha se ajo që u nënshkrua në vitin 2013 dhe 2015 nuk u zbatua, por theksoi se “këtë herë duhet të ndodhë”.

Ajo marrëveshje e nënshkruar 10 vjet më parë, nuk është braktisur, tha Lajçak.

Modelet e propozuara nga Brukseli për Asociacioni, diplomati sllovak tha se janë si frymëzim, “jo si alternativa”.

Në Kosovë ka frikë se Asociacioni mund ta dëmtojë funksionimin e shtetit.

Uji Dea

“Duam t’u tregojmë se nuk duhet të kenë frikë, se ka shumë modele të tilla në Evropë dhe funksionojnë mirë”, thotë Lajçak.

Escobar e pati thënë të njëjtën

Pavarësisht se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk dëshiron që Asociacioni të jetë pika thelbësore e marrëveshjes, SHBA-ja tashmë ia ka bërë të qartë se duan themelimin e kësaj bashkësie komunash. Në përgatitjet për takimin e fundjavës, edhe i dërguari amerikan, Gabriel Escobar do të vijë në Kosovë dhe Serbi, sikurse Lajçak.

Amerikanët këtë vit i kanë shtuar përpjekjet më këtë drejtim dhe ndonëse Kosova ka rezistuar deri tash, SHBA-ja pret që diskutimet për këtë çështje të nisin menjëherë.

Ambasada Amerikane në Prishtinë në fund të shkurtit organizoi një diskutim për këtë çështje dhe më pas ambasadori Jeffrey Hovenier i mblodhi disa përfaqësues politikë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në rezidencën e tij për të diskutuar më tej rreth kësaj.

Pas takimit të fundit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se “kemi shumë punë për të bërë” dhe të nesërmen foli për Asociacionin. Ai tha se ky është obligim që duhet zbatuar.

“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët”, ka thënë ai në një bashkëbisedim virtual me gazetarë më 28 shkurt.

I pyetur për afatet e mundshme, Escobar tha se pyetja është se sa shpejt do të formohet.

“Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë [Asociacionin]. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Escobar pati thënë se “ne do ta kemi Asociacionin. Nëse nuk zgjidhet kjo çështje, ai beson se do të ekzistojë një cikël i vazhdueshëm krize.