Fundamenti

Lajçak: Jemi partnerë, nuk vijmë me kërcënime apo ultimatume – propozimi është më i miri

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Emisari special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se pret nga Kosova dhe Serbia që ta pranojnë planin e ofruar për marrëveshje dhe ta nënshkruajnë atë.

Lajçak u shpreh se nuk vijnë me kërcënime apo ultimatume, rreth kësaj çështjeje, “për shkak se qëllimin e kemi drejt normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd”.

”Jemi duke zhvilluar diskutime ndaras me palët dhe kur t’i bashkojmë do të presim që planin ta pranojnë, ta nënshkruajnë dhe ta zbatojnë natyrisht, pra të sigurohemi që ajo që do të nënshkruhet edhe të zbatohet”, tha Lajçak, për Klan Kosova.

”Ne jemi partnerë, nuk vijmë me kërcënime ose ultimatume, besoj se është një grup vërtetë serioze dhe kemi qëllimin më të mirë që me të vërtetë të zhvendosim cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel më të lartë”.

Teksa ai ka komentuar edhe raportimet e mediumit serb, Danas, i cili publikoi ditë më parë një version të planit të propozuar për të dyja palët.

”Është i afërt por nuk është i njëjti, mos të luajmë me këtë, kjo është filozofia”.

Megjithatë Lajçak nuk ndërron qëndrim, teksa thotë se propozimi është më i miri i mundshëm.

”Nuk do të komentoja të njerëzit tjerë, por kemi pasur një diskutim shumë serioz se përse ky propozim është i mirë. Vërtetë besojmë se është propozimi më i mirë i mundshëm dhe çfarë do të sjellë? Cilat do të jenë pasojat e arritjes së marrëveshjes dhe çfarë mund të presim nëse nuk arrihet marrëveshje”.

”Jam kthyer për të vazhduar diskutimet”, tha ai.

RCCOLA

Ai ka thënë se propozimi përmban 11 pika, teksa kanë prezantuar versionin e parë duke iu kërkuar të dyja palëve ta japin komentin e tyre.

”Mënyra më e mirë për ta quajtur është propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë e kam prezantuar planin në shtator dhe pastaj kishim diskutime me kryeministrin Kurti fillimisht dhe pastaj në dhjetor ia kam prezantuar një plan të azhurnuar me disa komente që i kemi pranuar nga Qeveria e Kosovës. Dhe gjatë javës së kaluar kishim diskutimin e parë substancial lidhur me planin. Siç e dini takimi zgjati dy orë e gjysmë dhe ishte një diskutim i gjerë dhe i gjatë dhe ambiciet janë që të ndalet cikli i krizave që të përqendrohemi në normalizim”.

”Janë 11 pika”, tha ai.

Ai nuk ka komentuar qëndrimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për çështjen e propozimit evropian.

Megjithatë ka thënë se Aleksandar Vuçiq ka dhënë dy deklarata nga takimi i tyre që kishin, dhe sipas tij kjo e qartëson qëndrimin e tij në këtë çështje.

”Ai i ka dhënë dy deklarata që nga takimi ynë dhe mendoj se e ka bërë shumë të qartë pozitën e tij. Do të kisha pasur dëshirë që të jetë e lehtë, vërtetë është e rëndësishme që jemi në rrugën e duhur edhe me Qeverinë e Kosovës edhe me Qeverinë e Serbisë, kjo është shumë e rëndësishme”, tha ai.

Teksa ngjashëm pa ndonjë koment ka reaguar edhe ndaj deklaratave të kryeministrit, Albin Kurti, duke u arsyetuar se procesi është në zhvillim e sipër.

”Nuk mund të prisni të përgjigjem në këtë pyetje, sepse procesi është në zhvillim, kam thënë atë që kam thënë në emër të grupit dhe donim të dërgonim disa sinjale dhe jam këtu për të vazhduar orvatjet tona sepse me të vërtetë jam këtu për të vazhduar me nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe me zbatimin e saj”, tha Lajçak.