Mobi Casa

Lajçak flet pas takimit me Kurtin: Diskutuam për rrugën drejt normalizimit, energjinë dhe targat

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se vizita e tij sot në Prishtinë është pjesë e komunikimeve të tij të rregullta me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bisnik Bislimi.

Lajçak para mediave pas takimit me Kurtin tregoi se temë diskutimi ishte rruga drejt normalizimit dhe çështja e energjisë e targave.

“Ne kishim dy tema në agjendë, e para kishte të bëjë me rrugën drejt normalizimit dhe vazhdimin e diskutimeve tona që kemi filluar së fundi duke përfshirë këtu edhe përfshirjen e presidentit Emmanuel Macorn , kancelarit Olaf Schloz dhe sekretarin Antony Blinken dhe tema e dytë e takimit ishte çështja e energjisë dhe targave”, tha Lajçak.

Për çështjen e targave Lajçak theksoi se 31 tetori është afati i fundit kur edhe skadon vendimi për to, derisa theksoi se bashkësia ndërkombëtare dëshiron të shoh se si të vazhdoj tutje dhe të shmangin ndonjë përshkallëzim të mundshëm të situatës.

Sa i përket energjisë, Lajçaku ka theksuar rrezikun që t’i tërhiqet licenca Elektroseverit, ndërsa ka shtuar se për të njëjtat tema do të diskutojë të hënën edhe në Serbi.

“Për energji jemi në proces të konsultimit, ka rrezik t’i tërhiqet licenca Elektroserverit, e nuk duam të ndodhë kjo. Për këtë ftuam në Bruksel gjithë aksionarët, si KEDS e Elekstroserver të hënën, ku kemi kaluar ditën duke diskutuar situatën. Ka qenë me rëndësi për mua t’i sjelli konkludimet e diskutimit te kryeministri e të bisedojmë rrugën para. Do të jem në Beograd të hënën me të njëjtin synim dhe agjendë. Dua të gjej zgjidhje”, ka thënë Lajçak.

Eco Higjiena

Ai ka refuzuar të komentojë deklaratat e Komisionerit evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi i BE-së, Oliver Varhelyi, që një ditë më herët kritikoi Kosovën për veprime të njëanshme. Lajçaku u shpreh se “ai e ka mandatin e tij dhe unë e kam timin”.

Për takimin Kurti-Lajçak kanë njoftuar edhe nga Kryeministria.

Në njoftim thuhet se në takim u bisedua për ecurinë e mëtejshme të procesit të bisedimeve në Bruksel, dhe për përgatitjet për takimet e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo, e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke.

Gjatë takimit u potencua Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i pranuar dje, si dukshëm më i mirë sesa vitin e kaluar dhe si një ndër raportet më të mira në rajon. U tha se ky raport tregon qartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për agjendën e BE-së dhe dëshmon arritjet e shënuara në shumë fusha, që kanë kaluar një hap më lart në shkallët e progresit.

U bisedua për çështjet aktuale, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/