RCCOLA

Lajçak deklarohet pas takimit me Kurtin: Po përgatitemi për takimin e nivelit të lartë në shtator

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë qëndrimit të tij në Bled, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Me anë të një postimi në platformën “X”, Lajçak ka thënë se temë kryesore e takimit ishte përgatitja e takimit të radhës në shtator, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Zhvillova një takim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së 3 qershorit”, shkroi Lajçak.

Nga ana tjetër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se me Lajçakun diskutuan për procesin e dialogut dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj pa kushtëzime.

Mobi Casa

Kryeministri tha në dritën e fjalimit të presidentit të Këshillit Evropian për integrim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është e rëndësishme që të ketë avancim drejt normalizimit të plotë me njohje reciproke.

“Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, Kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të de-eskaluar e cila nuk duhet të ri-eskalohet. Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet të ju prij një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Me Lajçakun Kryeministri diskutoi edhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit./Telegrafi/