RCCOLA

Lajçak: Asociacioni duhet të jetë brenda marrëveshjes

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak tha se kishte shenja të përgatitjes për konfrontime serioze, përpara arritjes së marrëveshjes për targat. Në një intervistë me RTV21, Lajçak tha se askush në Evropë dhe në botën demokratike nuk mund ta kuptojë dhunën për shkak të targave dhe se do të ishte e papërgjegjshme nëse do të lejohej vrasja e njerëzve. Miroslav Lajçak tha se tani në radhë janë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se të dyja palët e kanë kuptuar se të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen.

Intervista:

Një periudhë intensive e bisedimeve me Prishtinën dhe Beogradin në javët e fundit. Ju jeni përballur me palët që kanë reaguar me kryeneçësi në qëndrimet e tyre rreth disa çështjeve. Çfarë niveli të vullnetit kanë treguar ato për dialog?

Të dyja palët po e përsërisin se e kuptojnë se sa i rëndësishëm është dialogu për ta dhe duan që të bëjnë përparim në normalizim të marrëdhënieve. Të dyja palët e pranojnë se gjendja aktuale po merr shumë kohë dhe energji. Por natyrisht për të qenë në mundësi që të përqendrohemi në normalizim të marrëdhënieve nuk mund të konfrontoheni me krizën në terren. Për fat të keq, çështja e targave dhe e dokumenteve na mori shumë kohë dhe energji në muajt e fundit. Në fakt, që prej muajit qershor të këtij viti ne po punonim në mënyrë konstante me afate të fundit, për të cilat kishim nevojë për të shtendosur situatën, sepse secili nga këto afate, që kishim prej 1 gushtit, 1 shtatorit, 1 nëntorit dhe pastaj më 21 dhe 23 Nëntor dhe secili prej atyre afateve nëse nuk do të shtendosej kërcënonte me pasoja serioze në terren, siç është dhuna. Prandaj jam i kënaqur që tani nuk ka një afat të fundit dhe ne mund të përqendrohemi në fotografinë e madhe të normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja që ne e arritëm të mërkurën e kaluar është një konfirmim për mua se palët e kanë kuptuar seriozitetin e situatës.

Zoti Lajçak, ju është thënë se kishte kërcënime serioze të sigurisë në veri, përpara se të arrihej marrëveshja për targat?

Ju e dini se ne kemi praninë tonë atje. Kemi praninë diplomatike Misionin e EULEX-it, atje është KFOR-it që bashkëpunojnë shumë ngushtë, prandaj unë besoj se e kuptojmë shumë mirë gjendjen atje. Dhe po, kur po i afroheshim disa prej këtyre afateve të fundit në muajt e kaluar ne pamë shenja të përgatitjes për konfrontime serioze. Ne e bëmë të qartë se kjo është e papranueshme.

A mund të jetë korrekte të themi se angazhimi amerikan ishte vendimtar për të arritur një marrëveshje për targat?

Kjo nuk është e drejtë të thuhet përballë Bashkimit Evropian. Jam krenar për një bashkëpunim të shkëlqyer që kemi me SHBA-në. Sinqerisht nuk mund të jetë më mirë. Dhe them se kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë kurdo. Ne punojmë krah për krah, shumë ngushtë në baza ditore, duke e informuar njëri-tjetrin për çdo gjë duke shkëmbyer informacione dhe gjithashtu një marrëveshje e qartë se BE-ja është në udhëheqje të këtij procesi kurse Shtetet e Bashkuara po e përdorin fuqinë dhe autoritetin e tyre për të mbështetur udhëheqjen tonë. Kjo është si funksionon dhe kjo është duhet të funksionojë. Unë asnjëherë nuk do të provoja që të luaj se kjo është vetëm Bashkimi Evropian duke neglizhuar rolin e SHBA-në, por që të pohohet e kundërta nuk do të ishte ideale.

Ka pasur një presion të madh mbi Prishtinën. Ishte e nevojshme që të bëhet ky presion mbi ta?

Unë seriozisht mendoj se do të ishte shumë e papërgjegjshme nga të gjithë ne nëse do të lejonim që të shtihet mbi njerëzit ose madje edhe të vriten. Ne kemi luftë në Ukrainë dhe ne presim nga partnerët tanë në Ballkan të tregojnë se janë në anën tonë dhe se janë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit. Askush në Evropë dhe në bashkësinë demokratike nuk do të kuptojnë dhunën për shkak të çështjes së targave. Prandaj na u desh që të punojmë shumë dhe jam i lumtur që e kemi parandaluar atë.

Mund të më thoni nëse çështja e targave është e mbyllur apo ende po zhvillohen negociata për to?

KKVITI

Tani për tani çështja e targave është e mbyllur. Është pajtuar, çështjen e kemi adresuar dhe e kemi zgjidhur, si pjesë e bisedave për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo nënkupton se ajo që është planifikuar në muajt e kaluar tani nuk do të vazhdojë. Por natyrisht se çështja do të adresohet së bashku me shumë çështje të tjera që do të adresohen si pjesë e diskutimeve për normalizim.

Por, çështja e targave prodhoi dorëheqjet e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës. Prishtina thotë se tani kjo është çështje ligjore. Por Serbia thotë se nuk do të ketë kthim në Institucione të Kosovës përpara se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të jetë zbatuar. Tani, do t’i bëni presion Prishtinës sërish për këtë çështje?

Kjo çështje është shumë lartë në agjendën tonë. Natyrisht. Sepse tani realiteti është se kemi një boshllëk. Kemi boshllëk kur bëhet fjalë për sigurinë në veri, kemi pothuaj 600 policë që kanë dorëzuar dorëheqjet dhe janë 50 të tjerë që kanë mbetur. Është e qartë se nuk mund të zëvendësojnë këta 600. E njëjta është edhe me drejtësinë. Njerëzit kanë nevojat e tyre, duan që të adresojnë çështjet në gjykata dhe nuk ka personel. Prandaj unë besoj se është në interes të Kosovës dhe të Serbisë që të rikthehen në gjendjen kur kishim serbë të Kosovës pjesë të institucioneve të Kosovës edhe në Polici edhe në drejtësi. Boshllëku nuk duhet të zgjasë shumë dhe na duhet ta adresojmë çështjen përpara se të bëhet vonë. Po planifikoj që të vij në rajon, në Prishtinë dhe Beograd, në ditët e ardhshme dhe kjo çështje do të jetë në agjendën time dhe unë dua të dëgjoj nga kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq se cili është plani dhe cilët janë hapat e ardhshëm. Dhe si mund ne si BE të ndihmojmë. Sepse kjo nuk është një situatë normale.

Zoti Lajçak, kryeministri Kurti ju ka fajësuar juve dhe z. Borrell se jeni të anshëm. A e humbët paanësinë tuaj gjatë gjithë këtyre ditëve?

Unë nuk e kam vërejtur se unë jam fajësuar. Kam parë se z. Kurti ka bërë disa komente për Përfaqësuesin e Lartë. Sërish, ne përfaqësojmë BE-në dhe nëse do të ishim të anshëm nuk do të mund të bënim punën tonë. Puna jonë është nën analizë ditore nga vendet anëtare. Natyrisht se na duhet një mbështetje e plotë e vendeve anëtare të cilën nuk do ta kishim sikur vendet anëtare të kishin dilema për paanësinë tonë. Çështja tjetër që dua të theksoj është se ne dëgjojmë këtu e atje kritika ndaj BE-së që vijnë nga rajoni, jo vetëm nga Kosova por edhe nga pjesë të tjera të rajonit. Mund t’ju them se…

Lajçak a ishte z. Kurti shumë kryeneç dhe pengesë për marrëveshjen deri më 23 Nëntor?

Ne kishim 8 orë të negociatave. Ne si lehtësues prezantuam dy propozime dhe unë besoj shumë të balancuara. E para ishte më gjithëpërfshirëse e dyta përqendrohej në shtendosjen e situatës. Ne përfunduam pa një marrëveshje. Z. Borrell dha vlerësimin e tij për këto 8 orë në konferencën e tij me gazetarë. Kjo është e tëra që mund të them. Jam i lumtur që kur i ftova kryenegociatorët, Bislimi dhe Petkoviq, dy ditë më vonë dhe kaluam 8 orë të tjera dhe jam i lumtur që kësaj radhe arritëm një marrëveshje dhe e shtendosëm krizën.

Çka është në radhë? Asociacioni apo marrëveshja përfundimtare, apo të dyja së bashku?

Në radhë natyrisht janë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne duam këtë proces dhe jemi pajtuar që keto diskutime të bazohen në dokumentin që ia kam prezantuar Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq më 9 shtator me mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës., Ky dokument ka adresuar një numër çështjesh. Natyrisht se ne kërkuam nga të dyja palët që të japin komentet e tyre të cilën edhe e bënë. Në këtë bazë ne duam të ecim përpara. Në të njëjtën kohë që është shumë e rëndësishme të theksohet ajo që është konfirmuar nga të dyja palët gjatë takimit të mërkurën e kaluar dhe është në marrëveshje, se palët e kutojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen. Kjo ka të bëjë me të dyja palët dhe gjithashtu për të gjitha marrëveshjet e kaluara.

A do të jetë Asociacioni brenda marrëveshjes përfundimtare apo do të trajtohet veçantë?

Është një përkushtim i hershëm për Kosovën, është pajtuar që në vitin 2013. Duhet të adresohet në përputhje me këtë përkushtim. Pozicioni i Serbisë tani për tani është se duhet të krijohet si një parakusht për vazhdimin e procesit. Pozicioni ynë, i BE-së, është se duhet të jetë pjesë e paketës dhe se do të ishte mirë të adresohet sa më shpejtë dhe gjithsesi se nuk mund të kushtëzohet nga asgjë tjetër sepse ky është një përkushtim tashmë ekzistues.