Lagjja “Arbëria” shfaqi shumë shqetësime para Kurteshit

Gjilan – Kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi, prezantoi dy kandidatët për asamble komunale, të cilët janë në listën për zgjedhjet lokale nga lagjja “Arbëria”. “Përkrahja e kandidatëve nga pika e juaj është mbështetje edhe për lagjen tuaj, sepse dy kandidatët si Ardian Azemi dhe Alban Hyseni, janë kandidatë të rinj, plot energji dhe me shumë vullnet për ta ndryshuar lagjen dhe qytetin e Gjilanit” ka thënë Kurteshi para pjesëmarrësve.
Kurteshi ka vazhduar të kërkojë aktivizimin dhe mobilizimin e të gjithëve pa dallim, për ta ndalur keqqeverisjen në Gjilan. “Kërkojmë nga ju që ta përkrahni Lëvizjen VV dhe të kërkoni përkrahjen familjare, të banorëve tjerë të lagjes, të miqve dhe të gjithë që i njihni e nuk i njihni. Po ua përkujtojmë edhe premtimet të cilat janë dhënë nga kryetari aktual dhe se si nuk janë realizuar fare. Ne po bëjmë analizën financiare edhe të programit tonë premtues të projekteve lokale dhe premtimet tona do të jenë të përmbushura sepse nuk bëhen me petkun e mashtrimit elektoral apo të adrenalinës paraelektorale” –është shprehur Kurteshi.
Ardian Azemi ka thënë se ne kemi votuar për asambleistët e lagjes sonë, por ata asgjë nuk kanë bërë për këtë lagje, as për qytetin dhe as për fshatrat e komunës së Gjilanit. “Do të jemi zë i fuqishëm në asamblenë komunale dhe do t’i përfaqësojmë interesat e juaja. Lagjja “Arbëria” është dëmtuar rëndë nga taksat për banorët e Luginës së Preshevës, pasi që shumica prej tyre vinin dhe shpenzonin në këtë lagje, ndërsa tani kjo ka shënuar rënie të fluksit të ardhjes së tyre dhe ne do të përpiqemi të bëjmë presione për ta hequr këtë taksë e cila jo vetëm po dëmton banorët e Luginës së Preshevës, por po dëmton edhe dobinë ekonomike që rrjedhte nga bashkëkombësit tanë. Kjo pa dyshim se do të bëhet duke ardhur edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Lëvizja VV, për të marrë fuqinë për të ndryshuar këto politika qendrore që po dëmtojnë shqiptarët nga Lugina e Preshevës dhe rrjedhimisht bizneset në këtë lagje” u shpreh Azemi./rajonipress/