Fundamenti

Labinotë Demi: Isha e privuar nga politika për shkak të shamisë

/ 9 minuta lexim
KKVITI

Deputetja e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi ka shkruar një tekst të gjatë për të mbrojtur PD dhe Ferid Aganit. Në të njëjtën kohë, ajo ka shkruar edhe për shaminë. Ka thënë se pikërisht për shkak të mbulesës është privuar nga politika komunale dhe shtetërore. Për këtë arsye, ajo ka premtuar se do të angazhohet për të mos lejuar të diskurminohen kjo shtresë e shoqërisë.

Lexojeni te plote reagimin

Partia e Drejtësisë, politikat e saj dhe vota për koalicionin

Të nderuar njerëz të mirë të shtetit tim të dashur. Edhe ju jeni dëshmitarë se kohëve të fundit njëra ndër Partitë që po sulmohet më së shumti me terma shumë banalë (talebanë, islamistë, arabë) dhe të pahijshëm për njeriun e shek.XXI, domosdoshmërisht ta imponojnë të reagosh kundër këtij mendimi më shumë se mesjetar dhe përkundër kësaj qytetaria e përgjithshme dhe ajo e angazhimit politik, nuk na lejon të biem në nivele të tilla. Mirëpo për hir të korrektësisë dhe transparencës, përmes këtij shkrimi do të mundohem që për lexuesin e shqipes sadopak të hedh dritë mbi Partinë e Drejtësisë, simotrave të saj nëpër botë, politikat e saj, si dhe do të shfrytëzoj rastin të sqaroj arsyen e votës sime për koalicionin “Misioni i Ri”, që kohëve të fundit po përflitet shumë, me qëllim të denigrimit të personalitet tim dhe kryetarit tim Dr.Ferid Agani.

Partia e Drejtësisë organizohet dhe vepron mbi bazën e ideve dhe parimeve të demokracisë konservatore, si parti politike e qendrës, që ngrihet mbi vlerat e identitetit kombëtar e fetar të qytetarëve dhe parimet e shtetit të fuqishëm e të drejtë, e mbështetur në moral të shëndoshë, individual dhe kolektiv. Partia e Drejtësisë kundërshton çdo ideologji ekstreme, çdo doktrinë e praktikë politike ateiste, kundërnjerëzore, totalitare, raciste dhe diskriminuese, si dhe çdo lloj veprimtarie që bie ndesh me konventat ndërkombëtare përkitazi me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Partia e drejtësisë sheh bashkëpunimin dhe tolerancën nderfetarë si shtyllë të veprimit politik në funksion të përparimit të çështjes kombëtare dhe shtetërore, promovon stabilitetin dhe unitetin shoqëror, kulturën e përgjegjësisë, integrimit, dialogut dhe bashkëpunimit. Partia angazhohet që institucionet e Republikës së Kosovës të realizojnë partneritet parimor dhe konstruktiv me përfaqësuesit politikë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe jashtë saj. Ajo synon që çështja kombëtare shqiptare të zgjidhet me mjete jo të dhunshme, në pajtim me të drejtën e popullit për vetëvendosje dhe normat ndërkombëtare. Partia e drejtësisë angazhohet fuqishëm që bashkëveprimi kombëtar të jetë detyrë patriotike, synim i përgjithshëm dhe veprim i organizuar konceptual dhe profesional i shqiptarëve kudo që jetojnë. Ajo mbështetet në qëndrimin se përkushtimi për çështjen kombëtare është e drejtë historike dhe detyrim ndaj të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes së kombit dhe në bazë të statusit të PD-së kufijtë që e ndajnë kombin shqiptar shihen si kufij të padrejtë, ndërsa zgjidhjen e çështjes kombëtare e sheh në kuadër të integrimeve të shteteve ku jetojnë shqiptarët, në Bashkësinë Evropiane, NATO dhe strukturat e tjera veri-atlantike dhe ndërkombëtare.

Është me interes të theksohet se të gjitha partitë janë organe që padyshim zënë një vend të veçant në jetën sociale të qytetarit të Kosovës. Dhe kjo vjen si shkak i programeve që ofrojnë ato për zgjidhjen e problemit kryesor të qytetarit, duke përfshirë programet ekonomike, sociale, politike, kombëtare, fetare dhe fusha të tjera. Andaj faktori kryesor që e mban të gjallë dhe i jep jetë një partie, pa dyshim që është Filozofia e Drejtë që përfaqëson ajo. Dhe përkundër politikave programore të cilat shumë leht gjinden në faqen zyrtare të PD-së, mediat e shkruara vendore sikur mundohen ta krijojnë një opinion për PD-në, duke e seleksionuar dhe paraqitur si një parti e cila merret vetëm me çështjet fetare në Kosovë, përkatësisht vetëm me problemin e shamisë, e që kjo do të ishte mungesë programi për një parti cilado qoftë ajo. Kjo nuk ka të bëj aspak me të vërtetën për vet faktin se puna e suksesshme në udhëheqjen e sektorit të shëndetësisë nga Kryetari i PD-së prof.dr.Ferid Agani, ka dëshmuar se përkundër prolongimeve nga ish ministra të shëndetësisë të lidhur ngusht me grupet e interesit në shëndetësi, e që jemi dëshmitarë nga debatet në seancat parlamentare pikërisht nga këta ish udhëheqës të shëndetësisë, qe fatkeqesishte qëllimin e tyre e arritën duke e kthyer ligjin dhe duke hequr pikat e ndjeshme për ta, pika të cilat do t’ju mundësonin atyre që të kenë fushëveprim në sektorin e shëndetësisë. Megjithate vigjilenca dhe përkushtimi i madh politik i Ministrit Aganit, u arrit që për herë të parë në shëndetësi për vetëm një mandat të realizohen suksese të mëdha, suksese që nuk ia dolën ta bëjnë ministrat paraprak për një dekadë siç janë: miratimi i Ligjit për shëndetësi, Ligji për kontrollin e duhanit, Ligji për odat e profesionistëve të Kosovës, Ligji për transplantimin e Indeve dhe Qelizave, si dhe mbi të gjitha Ligji i sigurimeve shëndetësore, i cili është përkrahur nga FMN-ja dhe Banka Botërore Ndërkombëtare.

KKVITI

Të gjitha sukseset që u cekën dhe ato që nuk u cekën këtu, janë dëshmi se PD-ja është parti e konsoliduar mirë dhe ka idenë se si duhet ndërtuar një shtet mbi bazën e së drejtës për një jetë më të mirë në Kosovën e varfër. Duke u nisur nga paragjykimet dhe tentativa e mediave të caktuara që PD-në ta paraqesin si Parti me program fetar, do të doja këtu të tërheq një paralele rreth programeve të dy partive me programe konservatore mu sikur edhe Partia e Drejtësisë, parti këto të cilat sot i kanë sjellur vendeve të tyre jetë të kënaqshme ekonomike, sociale dhe juridike, sikur edhe janë shembuj për botën në respektimin e të drejtave të komuniteteve fetare dhe nacionale ne vendet e tyre. Bëhet fjalë për shtetin mik Gjermaninë, e cila udhëhiqet nga partia konservatore CDU (Christlich Demokratische Union Deutschlands-Unioni Kristian Demokratik Gjerman) dhe Turqinë, e cila udhëhiqet nga partia AKP (Adalet ve Kalkınma Partisi- Partia për Drejtësi dhe Zhvillim).

Pa u zgjatur shumë, do të doja t’u drejtohem votuesve të mi në lidhje me votën time për koalicionin “Misioni i Ri”. Është e vërtetë se PD-ja ka një marrëveshje tripikëshe parazgjedhore me partnerin e saj PDK-në, e që pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe shfuqizimi, përkatësisht kuptimi i drejtë i urdhëresës administrative, e cila si e tillë ndalon bartjen e shamisë në shkolla, me arsyetimin se ajo është uniforme fetare. Këtë kusht për marrëveshje ne e bëmë duke u bazuar në deklaratën zyrtare nga Bashkësia Islame e Kosovës se: “mbulesa nuk është uniformë por normë fetare”, dhe në anën tjetër bazuar në ligjet kushtetuese të Republikës së Kosovës se “askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj”, neni 38. Si pikë e mbetur pezull për shkak të kësaj gjendje të tranzicionit politik në vend, ajo që na gëzon në këtë kohë është fakti se shumica e nxënëseve me mbulesë vijojnë mësimin në mënyrë të rregullt, ndërsa numri i atyre që po pengohen është reduktuar në dy komuna, përkatësisht tri shkolla.

Prapëseprapë, ne nuk presim lëmoshë as nga partneri i koalicionit dhe as i ndonjë partie tjetër. Kemi angazhuar juristin për këto çështje, personin i cili ka fituar shumë beteja të tilla. Në anën tjetër, edhe pse mediat e kanë heshtur, unë personalisht kam kërkuar konsultim në ambasadën amerikane, për këtë çështje. Me idenë e zyrtarëve të lartë të kësaj ambasade, alternativat e tejkalimit të këtij problemi do t’i konsultojmë me ambasadën e Turqisë, Francës dhe Gjermanisë, ngase janë shtete evropiane që i kanë tejkaluar këto sfida. Po ashtu, do doja t’ua përkujtoj të gjithë qytetarëve se unë vetëm për shkak se kam bartur shaminë, plot dhjetë vite kam qenë e privuar nga politika komunale dhe shtetërore e Kosovës. Ndërkaq njëra ndër arsyet që sot unë jam në politikë padyshim që është kjo, përballja me këta njerëz që shkelin Kushtetutën e Kosovës duke nxjerrë drafte të posaçme, për të bërë ndalesa vetëm pse bien ndesh me ideologjitë e tyre të shekullit të kaluar. Andaj vota ime është për konstituimin e Parlamentit të Kosovës, në mënyrë që zgjidhjen e shkeljes së të drejtave të njeriut (siç është rasti edhe me shaminë), ta realizojmë me anën ligjore, ashtu siç ndodh në gjithë botën e qytetëruar. Konsideroj se largimi nga fusha e mejdanit politik duke abstenuar, paraqet dobësinë e karakterit të një partie a politikani për t’u përballur me luftën e tij/saj politike, ose mungesën e alternativës për të realizuar programin e vet.

Labinotë Demi-Murtezi

Deputete e Partisë së Drejtësisë në Kuvendit të Kosovës