Labinot Tahiri dhuron gjak në Spitalin e Gjilanit

Gjilan – Vazhdon edhe në Spitalin Rajonal të Gjilanit aksioni vullnetar për dhurimin e gjakut nga këngëtari i mirënjohur Labinot Tahiri.
Sot në njësinë e Transfuzionit të Gjakut në SRGJ ka vazhduar aksioni humanitar për dhurimin e gjakut, aksion ky i organizuar nga këngëtari Labinot Tahiri, raporton rajonipress.
Labinot Tahiri organizator i këtij aksioni, tha se ideja për një aksion të tillë ka lindur duke ditur nevojat e mëdha për gjak që pacientët të shtrirë në spitale kanë nevojë.
Ai tha se aksioni do të shtrihet në tërë Kosovën, duke filluar nga Mitrovica, Ferizaji, Gjilani, Vushtria dhe Podujeva.
“Qëllimi është që të senzibilizohet opinioni i gjerë në Kosovë për rëndësinë e dhurimit të gjakut, ku një dozë gjak do të thotë shpëtimi i jetës për pacientin” tha Tahiri.
Po ashtu ai zotohet që ky aksion i filluar do të vazhdoj edhe viteve të tjera.
Aksionit për dhurimin e Gjakut në SRGJ i është përgjigjur një numër i konsiderueshëm i dhuruesve vullnetar.
Drejtori i SRGJ-së Abdylatif Latifi falënderon dhe njëherit i është mirënjohës këngëtarit Labinot Tahiri për këtë iniciativë shumë të qëlluar dhe humane, duke marrë parasysh që Labinot Tahiri përveç këngës është i njohur edhe si njeri me humanitet të lartë./rajonipress/