“Ky zinxhir komandues: Florim Ejupi, Kadri Veseli, Hashim Thaçi” – Ja si i ankohej Nazim Bllaca prokurorit serb

Në vazhdim të zbulimeve të emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini për figurën kontraverse të Nazim Bllacës, janë publikuar dokumente dhe komunikime të reja që ndërlidhen me rastin “Bllaca 4”, ku përfshihet edhe emri i ish-komandantit të UÇK-së dhe ish deputetit Azem Syla.
Sipas dokumentit nr. 10, i cili përmban korrespondencë ndërmjet Bllacës dhe prokurorit serb për krime lufte, Dragolub Stankoviq, mësohet se aktakuza ndaj Azem Sylës dhe 13 personave të tjerë, përfshirë tre serbë që pretendohet se kanë bashkëpunuar me grupin e tij, ishte planifikuar të ngrihej brenda marsit.
Bllaca, në këtë komunikim, pohon qartë se ka marrëveshje me Prokurorinë e EULEX-it vetëm për të dëshmuar kundër këtij grupi dhe se dëshmia e tij është thelbësore për çështjen e njohur si “Bllaca 4”.
Në një email të dërguar më 9 mars 2016, Bllaca refuzon çdo bashkëpunim me EULEX-in apo Gjykatën Speciale për krimet e luftës pa u takuar paraprakisht me prokurorin serb.
Ai i shkruan Stankoviqit se nuk ka bërë asnjë kompromis për të dëshmuar në Hagë dhe se dëshmia e tij është kushtëzuar me një takim mes tyre.
“Z.Stankoviq, unë nuk dëshmoj apsolut pa u takuar me ju”, thuhet në një nga grafikat e prezantuara në emision.
Më tej, Bllaca pretendon se është i vetmi dëshmitar që mund ta lidh Azem Sylën me periudhën e pasluftës, përfshirë vrasjet politike, të kolaboracionistëve dhe dëshmitarëve të Hagës.
Ai deklaron se EULEX-i dhe hetuesit e Task Forcës synojnë ta përdorin dëshminë e tij dhe tri aktgjykimet “Bllaca 1, 2 dhe 3” në Gjykatën Speciale, për ta implikuar Sylën si figurë kyçe gjatë dhe pas luftës.
Në përgjigje të menjëhershme, Stankoviqi i shkruan Bllacës në shqip:
“Kjo është e gjitha e drejtë. Unë jam me ty.”
Ky komunikim i pazakontë vazhdon edhe më tutje. Në një tjetër mesazh, prokurori serb i referohet një arrestimi në Shkup, ndërsa në emailin e dërguar më 26 shtator 2014, Bllaca flet për rastin “Nish Express”, ku përmend emra të lartë të UÇK-së dhe politikës si Florim Ejupi, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, të cilët pretendohet se janë të përfshirë në këtë çështje.
Në këtë kontekst, Bllaca thotë se ka në dorë një dëshmitar kyç që është i gatshëm të dëshmojë në këmbim të disa kushteve. Ai përmend edhe një takim me prokurorin e EULEX-it, Charles Hardaway, i cili sipas Bllacës, ishte interesuar për rastet e dhunës kundër minoritetit serb në Kosovë, përfshirë Nish Express dhe masakrën në Grackë.
Zbulimet e publikuara në “Debat Plus” hedhin dritë mbi rrjetin e ndërlikuar të marrëdhënieve ndërmjet Bllacës, strukturave të drejtësisë ndërkombëtare dhe prokurorëve serbë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi besueshmërinë, motivet dhe trajtimin institucional të këtij dëshmitari bashkëpunues.
Ndërsa opinioni publik po përballet me të dhëna tronditëse, mbetet për t’u parë se si do të reagojnë institucionet gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare pas këtyre publikimeve./RTV Dukagjini/