ARKATANA

Ky version i demarkacionit nuk duhet të votohet

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Behxhet Sh. Shala – Bajgora – Dita e refuzimit apo dita e kapitulimit: Më 1 shator 2016 deputetët e Kuvendit të Kosovës janë para një sfide jetësore kur duhet t’i thonë jo një versioni krejtësisht të paqartë të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që do të ishte krejtësisht e arsyeshme dhe detyrim ndaj qytetarëve të Kosovës, interesin e të cilëve, në bazë të votës së fituar, do të duhej ta përfaqësonin apo t’i nënshtrohen një diktati politiko-partiak të liderëve të tyre të cilët i janë nënshtruar një presioni të tmerrshëm ndërkombëtar, të vet ndërkombëtarëve që për interesa të tyre politike dhe strategjike nuk u bëhet vonë dhe pa asnjë dhimbje ia falin tokën e Kosovës një shteti i cili, edhe më parë vazhdimisht është rritur territorialisht, duke marrë toka të Kosovës, duke e votuar këtë demarkacion që pastaj bëhet i pakthyeshëm dhe nuk mund të përmirësohet. Është gabim i madh nëse votimi bëhet për ta forcuar pozitën apo për ta dobësuar opozitën sikur edhe për t’i shuar zërat kundërshtues duke përdorur kërcënime dhe fjalor përjashtues.

Për një çështje me interes kombëtar dhe shtetëror, çdo votim që nuk mbështetet në një konsensus është i pavlefshëm dhe i dëmshëm. Në rastin konkret, partia as që do të duhej të përmendej dhe askush nuk ka të drejtë që, për shkak të interesit partiak të bëjë presion për ta votuar apo kundërshtuar votimin për demarkacion. Nuk ka të drejt as presidenti, as kryeministri e as kryeparlamentari që, duke shfrytëzuar pozitën që e kanë të ndërhyjnë në vullnetin e deputetit dhe ta përcaktojnë se si duhet të votohet. Bisedimet për demarkacion me Malin e Zi nuk kanë qenë transparente dhe publiku i gjerë ka qenë i përjashtuar nga vendimmarrja apo dhënia e kontributit për ndërtimin e një konsensusi.

I kemi, së voni, pasi është nënshkruar mosmarrëveshja për demarkacionin dy qëndrime krejtësisht të kundërta dhe që nuk e kanë asnjë pikë afrimi! Komisioni shtetëror në krye me Murat Mehën nuk e lë asnjë mundësi se ata mund të kenë gabuar, qoftë në procedura apo edhe në përmbajtje të marrëveshjes dhe se Kosova, sipas këtij, Komisioni nuk e humbë as edhe një centimetër të territorit gjë që e kundërshton ekipi i ekspertëve në të cilin thirret opozita dhe ata që nuk pajtohen me demarkacionin duke deklaruar se Kosova humbë së paku 8 000 hektarë të territorit.

Tash kujt t’i besohet?!

Komisioni shtetëror ka qenë jotransparent prandaj i ka forcuar dyshimet për rregullsinë e tërë procesit. Opozita, kundërshtuese e demarkacionit thuaja një vit të plotë, duke kundërshtuar demarkacionin, e ka paralizuar punën e Kuvendit dhe është krijuar një situatë e përshkallëzimit të lartë, deri në shpërthim. Kjo është bërë për shkak të mungesës së përgjegjësisë dhe ndjenjës së mosndëshkueshmërisë, për pozitën dhe Komisionin Shtetëror nëse e ka dëmtuar territorin e Kosovës duke i dhënë Malit të Zi një pjesë të saj dhe opozitës dhe Komisionit të Ekspertëve, që, nëse nuk i argumentojnë pretendimet e tyre, kanë kontribuar në paralizimin e jetës institucionale, tensionimin e situatës dhe përshkallëzimit të dhunës! Për këtë arsye deputetët duhet të votojnë sipas vullnetit të tyre, mandatin që ua ka dhënë votuesi dhe pa iu nënshtruar asnjë presioni, vendor apo ndërkombëtar! Arsyetimi se, nëse nuk votohet për demarkacionin, atëherë do të përjashtohemi nga procesi i liberalizimit të vizave, kjo është demantuar nga vetë ndërkombëtarët që kanë thënë se, edhe nëse votohet për demarkacionin nuk ka garancion se do të ketë liberalizim të vizave! Arsyeja tjetër se pa demarkacion nuk ka formim të FAK-ut është krejtësisht i pavërtetë, aq më parë që formimi i ushtrisë së Kosovës kushtëzohet me votat e 2/3 të pakicave dhe serbët do ta bllokojnë maksimalisht këtë që edhe e kanë bërë të ditur. Po të ishte kjo në rregull, vet Mali i Zi do të kërkonte të përsëriten bisedimet, deri në sqarim përfundimtar, sepse asgjë nuk humbë me këtë.

Apo, vet Mali i Zi do të kërkonte që rasti të dërgohet në arbitrazh duke qenë i sigurt se do të ndahej si fitues dhe pas vendimit të arbitrazhit askush nuk do ta kundërshtonte demarkacionin. Ndërkombëtarët po nguten sepse duan që sa më shpejt ta heqin nga rendi i ditës. Mund që edhe ta lënë si vatër të krizës për të ardhmen të cilën do ta aktivizonin kur paraqitet nevoja. Brukseli dhe Uashingtoni i kanë futur në gërshërë politikanët e Kosovës të cilët pastaj ua kanë vënë mbi kokë të deputetëve shpatën e Demokleut dhe ata tash janë në futur të probleme të mëdha, nëse nuk e votojnë cilësohen si antiamerikan, kundër miqve ndërkombëtarë, kundër NATO-s dhe kundër KFOR-it i cili ka paralajmëruar se mund të intervenojë nëse nga ata kërkohet, jo nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli, por nëse nga ata e kërkon EULEX-i! Në këtë mënyrë Kosovën po e llogarisin si një koloni tipike ku pushtetin real e ka EULEX-i dhe ndërkombëtarët, kurse pushtetin fiktiv e kanë të përmendurit më lartë! Ka shumë raste ku ka pasur probleme rreth përcaktimit të kufijve dhe madje këtë probleme kanë qenë të theksuar kryesisht te vendet me një demokraci të zhvilluar të cilat kanë luftuar dhe luftojnë për çdo milimetër të tokës së tyre, kurse neve na urdhërojnë të votojmë sipas projekteve të tyre politike e strategjike. Derisa nuk sqarohet i tërë procesi deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet ta votojnë në asnjë mënyrë këtë version të demarkacionit.

Hidromorava

Vëlla Ramizi këtu, vëllau Boro mungon: Ramiz Kelmendi, një biznesmen i kamur i hyri politikës përmes AAK-së dhe PDK-së në ndërkohë që u pavarësua së voni! Ai nuk po e kundërshton demarkacionin por po solidarizohet me anësitë e tij të Dukagjinit që nuk më duket aspak në rregull. Disa deputetë, të varur dhe të pavarur, sa më shumë që po e kundërshtojnë demarkacionin, po i vënë një çmim, fillimisht të lartë por të negociueshëm, për votën e tyre. Aspak nuk është kjo në rregull, e moralshme dhe njerëzore! Ramizi, si mikpritës i traditës dukagjinase, i ftoi rreth sofrës liderët e Kosovës për të bërë përpjekje të zgjidhet lëmshi demarkacional. E ftoi edhe presidentin Thaçi i cili, sipas Kushtetutës duhet të ketë rol unifikues dhe nuk duhet të ketë rol anues. Duke e ditur qëndrimin e Thaçit rreth demarkacionit dhe kërkesave të tij që të votohet pro, atëherë ftesa e Ramizit drejtuar Thaçit është krejtësisht huq. Për një zgjidhje institucionale, institucionet janë vendi i adresimit të përpjekjeve për zgjidhje e jo vilat dhe sofra me pjata të mbushura e të stërmbushura! Prandaj, kjo përpjekje ishte e dështuar sepse mungonte edhe vëllai
Boro nga Lista Srbska!

Regjionalizimi i votimit: Kërkesa për mosvotim të demarkacionit u drejtohet kryesisht deputetëve të Dukagjinit dhe nga ata kërkohet ta bëjnë sakrificën sublime thuaja se ky na qenka problem i mëhallës dhe shtëpisë e jo problem kombëtar dhe shtetëror! Nëse këta e kundërshtojnë (dukagjinasit) demarkacionin do të bëhen heronj dhe nëse e votojnë do të bëhen tradhtarë! Realisht dhe logjikisht, arsye për ta kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi e kanë më tepër deputetët e Anamoravës, Llapit, Mitrovicës dhe të Drenicës sepse, në këtë mënyrë do ta krijonin një pozicion shumë më të fuqishëm përballë Serbisë kur të vjen koha e decentralizimit me Serbinë! Nëse tash deputetët e Kosovës, me votën kundërshtuese nuk e parandalojnë kalimin e një procesi jotransparent, të paqartë dhe të dyshimtë siç ishte ky me Malin e Zi, demarkacioni me Serbinë do të shndërrohej në masakrim të territorit të Kosovës!

Duhet ta keni parasysh që Mali i Zi i ka dërguar forcat speciale policore në një territor kontestues pas një ratifikimi të njëanshëm në Kuvendin e Malit të Zi të knjaz Nikollës, ndërkaq që marrëveshja hynë në fuqi pas ratifikimit të të dyja shteteve! Tash, xhandarmëria e Serbisë, hynë në territorin e Kosovës sikur në bahçe të babës pa u caktuar fare kufiri dhe mund ta merrni me mend se si do të sillet gjatë dhe pas demarkacionit! KFOR-i ka shfaqur gatishmëri të intervenojë në Prishtinë dhe qytetet tjera, me kërkesë të EULEX-it dhe duke injoruar institucionet vendore kurse, sigurisht, me kërkesë të EULEX-it nuk intervenon kurrë xhandarmeria e Serbisë, në mënyrë flagrante e shkelë kufirin e Kosovës, duke hyrë thellë në territorin e saj! Kjo është arsye shtesë që të mos votohet demarkacioni, pa u qartësuar i tërë procesi dhe pa u arritur një konsensus midis forcave politike dhe qytetarëve të Kosovës!

Tradhtarët dhe patriotët: Në Kosovë është bërë një rregull që, më me lehtësi e shpallë dikë patriot apo tradhtar se sa e pinë një kafe. Kush është i mandatuar dhe i jep veti të drejtë ta bëjë listën e tradhtarëve dhe patriotëve në Kosovë kur i kemi ligjet dhe Kushtetutën dhe duam të bëhemi vend i ligjit dhe i rendit! Kjo dukuri skajshmërisht e mbrapshtë, etiketuese dhe përjashtuese po nxirret nga kutia e Pandorës për të shpëtuar kokat tuaja dhe për të prerë kokat e të tjerëve, sipas nevojës. Në këtë kontekst po i përmend edhe fyerjet që po i bëhen Granit Xhakës sepse e ka zgjedhur kombëtaren e Zvicrës, para asaj të Kosovës. Kjo fyerje është çmenduri aq më parë që Xhakajt janë larguar nga Kosova për shkak të dhunës së Serbisë, kurse Zvicra ia ka krijuar të gjitha mundësitë për një jetë të dinjitetshme, zhvillim, afirmim dhe mirëqenie ekonomike. Xhakajt e kanë shfrytëzuar këtë mundësi të shtetit zviceran por e kanë ruajtur identitetin kombëtar, krenarinë kombëtare të cilën e theksojnë gjithmonë dhe gjithkund por edhe janë qytetarë lojal të shtetit të Zvicrës, që është krejtësisht normale dhe e arsyeshme!

Prandaj, ata janë patriotë më të mëdhenj se të gjithë kritikuesit e tyre dhe e shumicës së politikanëve në Kosovë që e kanë degraduar çmendurisht të tashmen e mos të flasim për ardhmërinë e të rinjve në Kosovë! Suksese, shëndet, lumturi për Granit dhe Taulant Xhakën, familjen Xhaka, Shaqiri, Ajeti, Rama dhe për të gjithë talentët e të gjitha fushave e që, në fakt, janë ambasadorë shumë më të mirë të kombit dhe vendit nga e kanë prejardhjen se sa shumë ambasadorë injorantë dhe politikë të cilët, më shumë do t’i sillnin dobi vendit dhe kombit po të mos ishin në ato pozita! Respekt!