Hidromorava

Ky është plani MASHT-it për fillimin e mësimit më 1 shtator

/ 6 minuta lexim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e Kosovës është duke planifikuar që viti i ri shkollor të fillojë me pjesëmarrje fizike në shkolla dhe me mësim të rregullt. Aktualisht janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, që nis më 1 shtator, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie dërguar Radios Evropa e Lirë.

Edhe përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) thonë se mësimdhënësit janë të gatshëm që të fillojnë procesin mësimor në shkolla. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, megjithatë thotë se kjo varet nga situata epidemiologjike me koronavirus.

Por, për të siguruar një kthim të sigurt në shkolla, MASHTI, SBASHK-u dhe Këshilli i Prindërve u kanë bërë apel mësimdhënësve dhe prindërve që të vaksinohen kundër sëmundjes COVID-19.

Jasharaj thotë se përpjekjet e të gjitha institucioneve të arsimit në nivel lokal dhe qendror, janë që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, vitin e ri shkollor, ta nisin me prani fizike në shkolla.

“Për momentin ne mbesin te vendimi i MASHTI-it që viti i ri shkollor të fillojë në institucionet arsimore. Por, e gjitha varet nga situata e përgjithshme në nivel vendi me të infektuarit me sëmundjen COVID-19, sidomos me variantin Delta. I mbetet Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të analizojnë mirë situatën dhe të japin vendimin e fundit”, thotë ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300.000 mijë nxënës që vijojnë shkollimin fillor dhe atë të mesëm.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërije Nagavci, më 6 gusht, ka thënë se “ministria është duke i marrë të gjitha masat që viti i ri shkollor të nisë me prezencë fizike në shkolla”. Më 6 gusht, në Kosovë kanë qenë të regjistruar vetëm 271 raste të reja me koronavirus.

Por, ditëve të fundit, është rritur dukshëm numri i të infektuarve, sidomos te fëmijët. Autoritetet shëndetësore të mërkurën (18 gusht) kanë regjistruar katër viktima dhe 2.110 persona të infektuar me koronavirusin e ri. Nga kjo shifër, 194 janë persona të moshës 10 deri në 19 vjeç.

Ministria e Arsimit, thuhet në përgjigje, “është duke e përcjellë situatën me COVID-19 dhe është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK-në, të cilat japin rekomandimet përfundimtare andaj, për detaje tjera do të njoftoheni me kohë”.

Si pasojë e numrit të të infektuarve me koronavirus, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka propozuar që të ndërmerren masa të reja për luftimin e pandemisë.

Sipas tij, kufizimet e reja do të përfshijnë orar të kufizuar të bizneseve të gastronomisë, meqë shpërndarja më e madhe e virusit ka thënë të jetë pasojë e organizimeve në ambiente të mbyllura, por nuk është përmendur fillimi i vitit të ri shkollor.

Reshitaj: Mësimi duhet të nisë në shkolla

Fidanishtja

Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkon që viti i ri shkollor të nisë me prezencë të nxënësve në shkolla, kurse nxënësit e infektuar, ta ndjekin mësimin nga distanca, derisa të shërohen.

Ymret Reshitaj, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga 1 shtatori, mësimi duhet të zhvillohet me prezencë fizike me normë të plotë dhe me rrethana normale sepse, sipas tij, mësimi nga distanca, apo online, ka qenë i dështuar.

“Ne si Këshill i Prindërve asnjëherë nuk jemi pajtuar dhe nuk do të pajtohemi nëse mësimi zhvillohet online për fajin e mësimdhënësve, të cilët nuk kanë marrë vaksinën. Ndërsa, në rastin tjetër, nëse ka fëmijë të infektuar një, dy, tre ose pesë në një klasë, mund të shkohet në mësim online dhe kjo është më pak e dëmshme sesa mësimi online që organizohet në rastin kur mësimdhënësit janë të infektuar për arsye se një mësimdhënës i një klase mundet që paradite të mbajë mësim me një pjesë të klasës, kurse pasdite të mbajë mësim nga distanca me nxënësit e infektuar”, thotë ai.

SBASHK dhe Këshilli i Prindërve kërkojnë vaksinimin e mësimdhënësve dhe prindërve

Por, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se punëtorët e arsimit tashmë kanë treguar interesim të madh për t’u vaksinuar kundër COVID-19. Ai beson se deri në fund të këtij muaji, një numër i madh i punëtorëve shëndetësore do të jetë i vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës. Megjithatë, ai shprehet se prindërit duhet të tregojnë kujdes dhe të imunizohen.

Një adoleshente duke marrë një dozë të vaksinës Pfizer-BioNTech kundër COVID-19, në Izrael, më 23 janar 2021.

Vaksinimi i fëmijëve dhe mësimdhënësve – kusht për kthim në shkolla

“Unë besoj se punëtorët e arsimit do të përfundojnë obligimin e tyre, por është obligim është që edhe prindërit dhe të tjerët të vaksinohen, ngase në shkolla, COVID-19 nuk mund ta sjellin vetëm mësimdhënësit, por edhe prindërit”, thekson ai.

Ndërkaq, edhe Këshilli i Prindërve kërkon nga prindërit të vaksinohen.

“Apeli i Këshillit të Prindërve është që menjëherë, pa hezitim prindërit të shkojnë t’i marrin vaksinat sepse do ta mbrojnë vetveten, fëmijët, familjet e tyre dhe të gjithë të tjerët. Ne si prindër duhet të jemi shembull i mirë për të tjerët sepse vërtetë vaksina shpëton jetë e COVID-19 merr shëndetin dhe jetën. Është momenti që prindërit ta dëshmojnë vendosmërinë dhe përgjegjësinë e tyre si qytetarë të këtij vendi dhe dashurinë ndaj fëmijëve të tyre”, thotë Ymret Reshitaj nga Këshilli i Prindërve.

Që nga 16 gushti, Kosova ka lejuar edhe personat nën 18 vjeç të imunizohen kundër COVID-19.

Sipas vendimit të ri, u lejohet vaksinimi i personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer ndërsa për grupmoshën 12-15 vaksinimi “do të bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.