RCCOLA

Kuvendi voton me porosi, kopjon legjislacionin e Serbisë

/ 4 minuta lexim

Prishtinë – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar Raportin dymujor nga monitorimi i punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për muajt mars – prill 2012. Përfaqësues të KDI-së, në një konferencë për media kanë prezantuar një varg të gjeturash për këtë periudhë, e që sipas tyre ndikojnë në punën e legjislativit të vendit.

Driton Selmanaj. nga KDI, ka thënë se akti i fundit i votimit me porosi të disa amendamenteve për projektligje të caktuara ka cenuar rëndë integritetin e Kuvendit dhe ka vënë në pikëpyetje dinjitetin e vet deputetëve dhe përgjegjësinë e tyre para qytetarëve të Kosovës.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës jo rrallë herë deri më tani kanë dëshmuar se votojnë projektligje, amendamente apo akte tjera, jashtë vullnetit të tyre duke u diktuar ose nga lidershipi i partisë ose nga adresa tjera politike. Shembull eklatant për ta dëshmuar këtë fakt, ishte seanca e 20 prillit 2012, kur po votoheshin amendamentet për Projektligjin për Hoqën e Madhe. Deputetët përpos që kishin para vetes amendamentet që ishin propozuar për votim gjatë leximit të dytë, atyre iu ishte bashkangjitur edhe një dokument jo i zakonshëm, i cili në fund të çdo amendamenti shkruhej pohimi ‘PO’ dhe mohimi ‘JO’. Kjo paraqet një akt të shëmtuar për integritetin e deputetëve si dhe është në kundërshtim me mandatin e lirë të deputetëve të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 70, ku thuhet: Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”, ka thënë Selmanaj.

Në konferencë është folur edhe për Rezolutën të cilën e kishte nxjerr Kuvendi i Kosovës me iniciativën e grupit të PDK-së, në të cilën kërkohej nga Qeveria e Kosovës që të mos lejoj mbajtjen e kurrfarë lloj zgjedhjesh serbe në Kosovë. Sipas Selmanajt, pa kaluar as dy muaj nga nxjerrja e këtij dokumenti , i njëjti po shkelet nga ekzekutivi duke i toleruar këto zgjedhje sipas një “marrëveshje” me OSBE-në.

“Qeveria e Kosovës edhe njëherë dëshmoi se për të vendimet e Kuvendit të Kosovës nuk janë të obligueshme dhe janë vetëm të karakterit fakultativ”, thotë Selmanaj.

UBT

Në anën tjetër, Halil Matoshi (analist në KDI), ka thënë se Kodi Penal i Kosovës i miratuar së fundi në Kuvend, përkatësisht dispozitat të cilat rregullojnë veprat penale të cilat kryhen nga mediat, janë kopjuar fjalë për fjalë nga Kodi Penal i Republikës së Serbisë, nga ekspertët ligjor të Ministrisë së Drejtësisë. Në Kodin Penal të Kosovës, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, në “Dispozitat e posaçme mbi përgjegjësinë penale për veprat penale të kryera me anë të medias” është kopjuar edhe vetë emërtimi i këtij kapitulli nga Kodi Penal i Serbisë.

KDI, duke u nisur nga rëndësia që liria e shtypit të mbrohet me çdo kusht po ashtu vlerëson se liria e shprehjes (Neni 40 dhe liria e shtypit plural (neni 42) garantohen me Kushtetutën e Kosovës dhe se censura (pika 2 e Nenit 42) është e ndaluar. KDI mban qëndrimin se asociacionet e gazetarëve dhe as shoqëria civile nuk duhet të negociojnë as me Ministrinë e Drejtësisë e as me Presidenten e vendit, sepse liria e shprehjes është e pa negociueshme dhe nenet kontestuese – përkatësisht neni 37 dhe 38 – nuk duhet të amandamentohen dhe riformulohen por si të tilla duhet të hiqen krejtësisht nga Kodi Penal;

Në konferencë është ngritur shqetësim edhe për shkeljen e pavarësisë së agjencioneve të pavarura të cilat janë kategori kushtetuese. Kështu Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, Auditorit të Pavarur dhe Agjencisë për Mbrojtjen e të dhënave personale, madje edhe janë fyer dhe ofenduar në mbledhje të komisioneve parlamentare!

KDI konsideron se kjo qasje e deputetëve të Kuvendit të Kosovës karshi agjensioneve të pavarura ka për qëllim që t’ua degradojë dhe devalvojë rëndësinë dhe kompetencat kushtetuese që i kanë, qoftë në kontrollin e menaxhimit të fondeve publike, mirëqeverisjen, llogaridhënien e institucioneve tjera ekzekutive. /Telegrafi/