Mobi Casa

Kuvendi t’i japë fund anarkisë së pagave

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Debati parlamentar për rritjen e pagave nuk ka sjellë asgjë të re, përveçse e ka irrituar opinionin edhe më shumë. Analistët, ndërkaq, pas këtij debati vlerësojnë se deputetët, pozitë e opozitë, po flasin vetëm sa për sy e faqe, sa për t’i hedhur hi syve të opinionit të gjerë publik, sepse kur është fjala te rrogat, privilegjet, mëditjet, bonuset, nafta për vetura zyrtare dhe automjetet luksoze, mbushjet telefonike dhe telefonat me çmimin më të lartë në treg, drekat e darkat me pije super të shtrenjta, të gjithë janë bashkë. Andaj, sipas analistëve, të gjithë deputetët dhe partitë e tyre i bashkojnë gjithnjë paraja dhe interesat e ngushta, korruptive, klanore,partiake, kriminale. Si mund të shpjegohet fakti se si një këshilltar i kryeparlamentarit merr rrogë mujore, aq sa merr një familje në gjendje të rënde sociale për dy vjet?!

“Puna më e mirë e deputetëve do të ishte miratimi urgjent i Ligjit për Paga të funksionarëve publikë, i cili njëherë e mirë në mënyrë unike do të rregullonte dhe do të sistematizonte pagat e funksionarëve publikë sipas një sistemi hierarkie”, tha analisti Ymret Reshiti për ” Kosova Sot”

Analisti Ymret Reshiti, për ” Kosova Sot”, tha se Kuvendi i Kosovës para se t’i japë kritika Qeverisë për rritjen enorme të pagave të qeveritarëve, është mirë që së paku një herë që të kryejë detyrën e tij. “Puna më e mirë e deputetëve do të ishte miratimi urgjent i Ligjit për paga të funksionarëve publikë, i cili njëherë e mirë në mënyrë unike do të rregullonte dhe do të sistematizonte pagat e funksionarëve publikë sipas një sistemi hierarkie. Në maje të kësaj hierarkie duhet të jetë paga e Presidentit të shtetit si organ reprezentativ i shtetit ,dhe pastaj pagat e zyrtarëve të tjerë të shtetit sipas pozitës që kanë në hierarkinë e pushtetit shtetëror”, u shpreh ai.

Dallime drastike

Sipas Reshitit, vetë deputetët kanë heshtur, kur u janë rritur pagat e tyre, ndërsa injorojnë kërkesat për rritjen e pagave të shërbyesve civilë, mjekëve, arsimit. “Si nuk reaguan deputetët për rritjen minimale prej 4 për qind të pagave për kategoritë e lartcekura që kanë pagën minimale 250 euro, ndërsa drejtori i Agjencisë së Pronës e ka mbi 4000 euro”, pyeti ai . “Vetëm në Kosovë me ligje të veçanta janë rregulluar pagat e disa zyrtarëve publikë pa asnjë kriter ligjor. Ka diskriminim ekstrem në paga brenda vetë sektorit publik, ndërsa Avokati i Popullit nuk është marrë me këtë çështje”, vijoi më tutje Reshiti.

“Shumica e qytetarëve janë bërë rrogëtarë të pakicës në pushtet, e cila po i zotëron të gjitha të mirat e këtij vendi, të varfëruar nga oligarkët politikë -financiarë, nga njerëzit e parapolitikës etj.”, theksoi Skënder Mulliqi për “Kosova So

“Ky kaos i mosrregullimit të pagave me një ligj unik bëhet me qëllim nga deputetët, sepse ata dhe familjarët e tyre të vendosur në pozita të larta publike përfitojnë paga dhe mëditje të majme duke ia kaluar Sllovenisë,e bile edhe Japonisë”, tha ai. Ndërsa, analisti Skënder Mulliqi, për ” Kosova Sot “, tha se pagat duhet të rriten me shkallën e rritjes ekonomike . “Për të pasur paga të tilla çfarë i kanë qeveritarët dhe kuvendarët krejt pas luftës, jo vetëm tash, së paku duhet të kemi mbi 10 për qind të rritjes ekonomike. Këto paga plus shumë benefite te tjera, të cilat po i gëzojnë në komisione e borde të ndryshme, janë larg standardit dhe pagës mesatare, të cilën e kemi në shkallë vendi”, u shpreh ai.

ARKATANA

“Kjo klasë politike, natyrisht jo të gjithë, kanë krijuar pasuri përrallore në kurriz të popullit, i cili po jeton keq. Pa u këputur zinxhiri i klientelizmit, korrupsionit dhe keqpërdorimeve të tjera të mëdha, nuk mund të presim ndryshime për të mirë në Kosovë. Familje të grupeve të caktuara politike, të parapolitikës dhe të qarqeve biznesore, sot po kontrollojnë çdo pasuri shoqërore”, tha Skënder Mulliqi për “Kosova Sot”

Injorim i mjerimit social

Analisti Arsim Haziri, për ” Kosova Sot”, tha se edhe kjo legjislaturë në pothuaj tërë veprimtarinë e më shumë i ka shërbyer ambicieve dhe tekeve të nivelit pozitar dhe opozitar sesa fuqizimit dhe sistematizimit pozitiv të aparatit shtetëror. “E tëra kjo është parë si gjatë ditës kur edhe u diskutua kinse për ngritjen e pagave nga ana e kreut të Qeverisë, po ashtu edhe vendimeve të tjera”, u shpreh ai. “As niveli opozitar dhe pozitar nuk janë të dhënë pas konsolidimit të përgjithshëm social, këtu bie në sy moshartimi dhe zbatimi i politikave që mund të ndikojnë në rritjen e sferës ekonomike-materiale”, tha më tej Haziri.

Analisti Ilir Fetahu tha se Kosova ka nevojë që sa më parë ta ketë miratimin e Ligjit për Pagat për të gjithë zyrtarët e lartë. “Pagat duhet të rregullohen në atë mënyrë që të bëhet nivelimi i tyre nëpër ndërmarrjet publike, sepse ato janë thuajse burim i krimit”, u shpreh ai. Ndërkaq, deputetët e opozitës janë të zhgënjyer me kryeneçësinë e Qeverisë “Haradinaj” që mos të ulen pagat e ngritura të kësaj Qeverie.

Deputeti Arban Abrashi (LDK) thotë për ‘Kosova Sot”, se ndonëse ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, me kërkesën e opozitës, u zhvillua një debat që kishte të bëjë me vendimin skandaloz të Qeverisë “Haradinaj”, që ia dyfishoi vetes pagat dhe të cilin debat opozita e shfrytëzoi rastin për të paraqitur qëndrimet nga ajo që u pa dhe qëndrimet e Qeverisë së kryeministrit Haradinaj, ky debat nuk është fare shpresëdhënës për qytetarët e Kosovës. “Nuk pajtohem me vlerësimet se edhe nëse opozitarët do të ishin në vendin e kësaj Qeverie do të vepronin njësoj. Në qeverisjen tonë neve nuk kemi lejuar rritje të tilla të pagave “, potencoi ai.

Ndërkaq, deputeti tjetër opozitar, Ali Lajqi(LVV) thotë se partia e tij po të ishte në pushtet do t’i reduktonte shpenzimet e sotme enorme për paga e mëditje. “Ka qenë vetëm subjekti ynë politik, i cili që nga fillimi ka kundërshtuar gjithmonë vendimet kur është fjala te rrogat, privilegjet, mëditjet, bonuset, nafta për vetura zyrtare dhe automjetet luksoze, mbushjet telefonike dhe telefonat me çmimin më të lartë në treg,drekat e darkat me pije super të shtrenjta”, u shpreh ai.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.