ARKATANA

Kuvendi të miratojë Gjykatën Speciale për krimet e luftës!

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës nuk do të ndodhë pa u përfunduar disa punë, thotë Ramush Tahiri, në një intervistë për gazetën Tribuna.

Ndër tjera, ai pret vendimin e Kuvendit për mandatin e EULEX-it, themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë, miratimin e ligjit të ri të zgjedhjeve, votimin e ribalancit të buxhetit për gjashtë muajt e ardhshëm, ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës si dhe vendimin për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për komunitetet. Intervista me Ramush Tahirin është realizuar në cilësinë e analistit dhe politologut.

Tribuna: Aktualisht po zhvillohet një debat me faktorin ndërkombëtar për themelimin e një Gjykate Speciale për krimet e luftës. Pse është e nevojshëm një gjykatë e tillë në rastin e Kosovës?

Tahiri: Secili vend që e ka përjetuar luftën e ka të domosdoshme të përballet me pasojat e saja dhe një ndër më të rëndësishmet është nxjerrja përpara drejtësisë e të gjithë atyre personave që kanë bërë krime. Kjo është e rëndësishme si për politikën e pajtimit, por gjithsesi është një obligim i shtetit ligjor që t’i hulumtojë të gjitha rastet për krimet e pretenduara dhe që duke siguruar edhe mbrojtjen e dëshmitarëve të garantojë një proces të drejtë dhe të pavarur gjyqësor. Ky është edhe një nga parakushtet e përparimit të proceseve demokratike të Republikës së Kosovës, që ka bërë shumë në respektimin e parimit të shtetit ligjor dhe të sundimit të ligjit, që ka ndërtuar polici profesionale dhe prokurori dhe gjykata të pavarura. Tash duke i marrë parasysh përmasat e krimeve të luftës në Kosovë, që në numrin e njerëzve të vrarë, të plagosur, të dhunuar, duke i theksuar edhe djegiet, shkatërrimet, plaçkitjet… edhe në numër edhe në përqindje janë më të rënda se sa në Republikën e Kroacisë. Ky fakt dëshmon egërsinë e pushtimit dhe të pashpirtësisë ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë ndaj popullsisë civile dhe ndaj pasurisë në Kosovë. Po të pyesni sot secilin qytetar, ai do të shprehet se është i pakënaqur me zbardhjen e krimeve dhe me nxjerrjen përpara drejtësisë të personave përgjegjës edhe për faktin se mbi një milion e popullsisë ishte shpërngulur me dhunë në politikën e spastrimit etnik dhe tokës së djegur dhe që edhe sot 15 vjet pas luftës janë mbi 1700 persona të pagjetur. Të mos harrojmë se me krimet në Kosovë u mor edhe Tribunali i Hagës, krahas rasteve që u shqyrtuan në gjykatat në Republikën e Serbisë, dhe rastet që u shqyrtuan nga gjykatat në Republikën e Kosovës. Ne në Kosovë kishim UNMIK-un, mandej EULEX-in krahas gjykatave të vendit, por duket se as ne, e as miqtë tanë ndërkombëtarë nuk jemi të kënaqur me rastet e proceduara dhe tash po paraqitet nevoja e urgjentimit dhe të krijimit të një gjykate speciale.

Tribuna: Pas deklaratës së Presidentes Jahjaga se rastet e dyshuara kanë të bëjnë me individë dhe jo me luftën çlirimtare, dëgjuam edhe kritika, ndër to edhe nga kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi. Konsideroni se e dëmtoi me deklaratat e saj procesin Presidentja?

Tahiri: Është qëndrim i yni i përgjithshëm që ka të bëjë me të vërtetën se lufta e lavdishme e popullit të Kosovës e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një luftë e drejtë për liri dhe pavarësi, se programi ishte çlirimtar dhe nuk ishte i orientuar kundër asnjë populli dhe kundër asnjë njeriu të nacionalitetit apo të besimit tjetër. Ishte luftë kundër pushtuesit dhe kundër strukturave policore, ushtarake, paramilitare e segmenteve të tjerë të këtij pushteti gjenocidal. UÇK-ja si formacion i pranuar edhe ndërkombëtarisht nuk bëri krime lufte. Secili krim është individual dhe asnjë person nuk mund dhe nuk duhet të fshihet prapa UÇK-së dhe prapa uniformës së luftëtarit. Pra gjykata merret me individë dhe me krime konkrete, edhe pse ka raste edhe sot në botë që organizata dhe grupacione të caktuara shpallen të jashtëligjshme dhe ndiqen ndërkombëtarisht. Konkretisht askush nuk mund të pretendojë se nuk ishte krim vrasja e fëmijëve në Gorazhdevc, vrasja e bujqve në Grackë, sulmi me eksploziv në autobusin e “Nish Expres” në Merdarë etj, të mos përmendi rastet gjatë luftës e pas luftës që pësuan popullsia civile. Në parimin juridik nuk ka barazim e as krahasim të krimeve. Krimi është krim pa marrë parasysh nga kush bëhet dhe pa marrë parasysh motivin e qëllimin që pretendohet. Edhe Jakup Krasniqi atëherë në cilësinë e Presidentit të Kosovës duke folur për raportin e Dik Martit pat deklaruar: “jemi të interesuar për të vërtetën, çfarëdo qoftë ajo. Edhe nëse është e dhimbshme e vërteta duhet të dihet” dhe “është në obligimin e palës shqiptare edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë, që të kërkojnë një hetim të pavarur ndërkombëtar. Këtë mund ta bëjë, qoftë Tribunali i Hagës, qoftë EULEX-i si trupë profesionale e BE-së në Kosovë dhe ne dëshirojmë që drejtësia evropiane ta japë fjalën e vet për këtë çështje”

Tribuna: Një çështje e ndjeshme debati është edhe miratimi i kësaj Gjykate apo Tribunali. Në rast se Kuvendi i Kosovës dështon, nga faktori ndërkombëtar ka ardhur paralajmërimi se mund të instalohet edhe përmes Këshillit të Sigurimit. Andaj, a prisni që Kuvendi të reflektojë në këtë çështje dhe ta miratojë themelimin e kësaj gjykate?

FIDANISHTJA

Tahiri: Ne përpara katër vjetësh u përballëm në raportin e senatorit Dik Marti i cili u miratua nga pothuajse unanimisht nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Vet Marti pat deklaruar se me miratimin e raportit “përfundon vetëm njëra fazë, se kjo punë duhet të vazhdojë dhe të arrijmë te drejtësia. Tash duhet të vihet në lëvizje sistemi juridik që të fitojë e drejta e vërtetë. Duhet të kryhet puna më e vështirë e kjo është mbrojtja e dëshmitarëve”
Të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë sugjerojnë që të themelohet një Gjykatë Speciale që punon sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që i hulumton rastet e krimeve të luftës në Kosovë, por që ka një sistem të veçantë të mbrojtjes së dëshmitarëve. Gjithsesi pres që themelimi i një gjykate të tillë do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, dhe nuk ka nevojë që një Gjykatë apo një Tribunal për Kosovën të instalohet nëpërmjet një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB, sepse kjo do t’i kthente proceset prapa pas shpalljes së pavarësisë së vendit dhe pas ardhjes së misionit evropian për sundim të ligjit. Për mendimin tim edhe pse Kosova synon të bëhet vend anëtar e OKB është më mirë që të mbetemi në kuadër të standardeve e misioneve të Bashkimit Evropian.

Si po shihet Gjykata Speciale ka mandat kohor, pesë vjet dhe ka mandat specifik të trajtimit të rasteve të luftës me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe me një bashkëpunim me EULEX-in dhe me institucionet e Republikës së Kosovës. Të mos harrojmë faktin se për pretendimet e Dik Martit tash e disa vjet është caktuar prokurori special Klint Vilijamson.

Tribuna: Një nga shqetësimet e vazhdueshme që dëgjojmë nga spektri politik në Kosovë është se me këtë gjykatë po njolloset imazhi i Kosovës. Shihni Ju ndonjë arsye për shqetësim në lidhje me imazhin e shtetit më të ri evropian pas themelimit të kësaj gjykate?

Tahiri: Paj do të ishte më mirë sikur misionet ndërkombëtare në drejtësi dhe sundim të ligjit dhe gjykatat tona të kishin proceduar e përfunduar me vendim të plotfuqishëm më shumë raste dhe të ishim më efikas. Për shembull Gjykata Komunale në Ferizaj ka proceduar dhe ka marrë vendim për rastin e Fabrikës së Gypave në Ferizaj, duke kërkuar nga shteti të kompensojë mbi tridhjetë milion euro punëtorëve që u larguan dhunshëm nga puna nga regjimi i Serbisë së Millosheviqit, mirëpo kjo gjykatë nuk arriti të procedojë vrasjen e civilëve, masakrat, në fshatin Manastircë , në Fshatin e Vjetër ose vrasjen e tetë qytetarëve të Ferizajt, ndër ta veprimtarin e demonstratave të vitit 1968 Ismet Ramadanin dhe gazetarin Haki Braha…

Tribuna: Për fund. Z.Tahiri. Miratimi i Tribunalit mund të jetë vendimi i fundit i institucioneve i cili do t’i hapte rrugën procesit të shpalljes së zgjedhjeve parlamentare. Cilat janë parashikimet e juaja për koalicionin e ardhshëm politik që mund të krijonte qeverinë e re të Kosovës pas këtyre zgjedhjeve?

Tahiri: Tashmë po shihet se kjo përbërje e Kuvendit nuk duhet të votojë shpërbërjen e vet pa i përfunduar disa punë, ndër të cilat mandatin e EULEX-it për periudhën e ardhshme, themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë, miratimin e ligjit të ri të zgjedhjeve. Kryetarja e Gjakovës e tha me të drejtë edhe votimin e ribalancit të buxhetit për gjashtë muajt e ardhshëm, ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, vendimin për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për komunitetet edhe për një mandat zgjedhor dhe unë do të thosha edhe shtimin e dy ulëseve në Kuvendin e Kosovës një për komunitetin kroat një për komunitetin malazez.

Sa i përket koalicioneve unë si politolog mundem me saktësi të madhe të masë trendet e votuesve duke parë rezultatet për asamblistë komunalë dhe për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale. Nuk e di a do të ndërtohen koalicionet e numrave si e kemi rastin tash apo do të ndërtohen koalicionet programore dhe parimore. Pavarësisht kësaj është e rëndësishme që në afatin ligjor dhe kushtetues të kemi zgjedhje parlamentare që do të ishin të ndershme, të lira dhe të drejta, që vota e qytetarit të respektohet dhe që të pranohet rezultati i zgjedhjeve nga partitë politike dhe të vlerësohet pozitivisht nga faktori ndërkombëtar. Ajo që vërehet është se ndryshimi i pushteteve nëpër komuna, ka sjellë entuziazëm dhe frymë e dinamikë të re, dhe që është më e rëndësishme respektim të ligjshmërisë dhe të kushtetutshmërisë në ndryshime.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.