Kuvendi të hetojë privatizimin kriminal
Sipas informatave zyrtare relevante rreth 76 mijë punëtorë kanë mbet pa punë si pasojë e këtij privatizimi.
Dyshohet se emra të pushtetit qëndrojnë pas aferave
“Kuvendi i Kosovës duhet që të fillojë një hetim detaj të procesit të privatizimit, por edhe nga organet e drejtësisë ky hetim duhet të bëhet doemos, në mënyrë që të zbardhet se kush ka qenë i implikuar t’i bartë pasojat”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” Ramadan Maloku
Për momentin mbetet një mister i madh se a janë në gjendje partitë politike kosovare që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës të bëjnë një hetim të plotë parlamentar për mënyrën se si u bë procesi i privatizimit në Kosovë. Sipas analistëve, tashmë po dihet se procesi i privatizimit ia dha të mbrapshtën ekonomike vendit.
Analisti i ekonomisë, Luzim Beqiri, tha për “Kosova Sot” se forma e tillë e privatizimit të NP-ve në Kosovë nuk ka qenë e duhur. “Jemi dëshmitar se si ka degraduar gjithçka dhe ato kompani që janë privatizuar kanë probleme të mëdha, disa nga to janë mbyllur dhe punëtorët e tyre kanë mbetur në rrugë, të vetmit që kanë përfituar nga ky lloj i privatizimit janë disa grupe kriminale.
Sipas informatave zyrtare relevante rreth 76 mijë punëtorë kanë mbet pa punë si pasojë e këtij privatizimi”, u shpreh ai. “Mendoj se nuk ka vullnet politik që të hetohet forma e privatizimit që ka ndodhur deri më tani, ka kundërshtim sidomos nga partitë qeverisëse që e kanë qeverisur vendin. Privatizimi i shumë bizneseve, siç mund t’i përmendi, Fabrika e Amortizatorëve, “Farmedi”, Fabrika e Tubave, “Tefik Qanga”, “Llamkosi”, “Feronikeli” e shumë kompani të tjera janë dëshmuar si një dështim”, vlerësoi ai. Sipas Beqirit, do të duhej të formohet një komision nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar formën e privatizimit, veçanërisht privatizimin e KEK-ut, Aeroportit, dhe tentimit të privatizimit të PTK-së.
Ndikimet e Serbisë
Eksperti i Financave, Xhevat Meha, tha për “Kosova Sot” se së pari kur është dizajnuar procesi i privatizimit është përcaktuar që ky proces të jetë sa më i lehtë për t’u zbatuar, nuk janë paraparë procedura dhe kritere për nxjerrjen e investitorit që siguron gjenerim të punësimit a investimeve të reja.”Procedurat janë përcaktuar të thjeshta, ku i vetmi synim ka qenë që të transformohet pasuria nga prona shoqërore në pronë private”, u shpreh ai.”Ekspertët pa hile që kanë përcaktuar këto procedura kanë pasur parasysh gjendjen e Kosovës dhe kanë menduar si më të mirë për Kosovën, që mos të forcohen kritere me qëllim që transformimi i pronës të kryhet sa më shpejt dhe të jetë blerësi që vendos pastaj për gjenerim të punësimit dhe të investimeve. Nuk përjashtohet mundësia që përveç ekspertëve pa hile ka pasur edhe hileqarë që janë veshur me petkun e ekspertit për të vendosur këtë formë të privatizimit”, potencoi analisti Meha.
Ai beson se edhe procesi i privatizimit është përdorur nga Shërbimi Sekret i Serbë për arritjen e synimeve të tyre në Kosovën e pasluftës së fundit.”Procedurat e thjeshta dhe të lehta të privatizimit janë shfrytëzuar nga Shërbimi Sekret Serb dhe grupet kriminale që lehtë dhe thjesht të bartin pasurinë e Kosovës nga pronësia publike në pronësi private. Niveli i kontrollit të institucioneve të Kosovës nga Shërbimi Sekret Serb i ka mundësuar që pronën publike të Kosovës ta bartin në pronë private të individëve të përcaktuar nga ky Shërbim Sekret i Serbisë”, vijoi më tutje Meha.
Procesi zhgënjyes
Deputeti i përbërjes së shkuar të Kuvendit të Kosovës, Salih Morina (LDK), tha për “Kosova Sot” se procesi i privatizimit në Kosovë nuk ka asnjë fije dyshimi se nuk i ka përmbushur pritjet që i kemi pasur nga ky proces.”Mendoj se kudo ku ka pasur lëshime dhe dyshime se ka pasur kurdisje apo moszbatim të ligjit duhet të bëhen këto hetime, në mënyrë që të zbardhen këto raste”, u shpreh ai.”Kurse toka e paprivatizuar, që ka mbetur pa u privatizuar për këto sipërfaqe toke, duhet që të bëhet një studim i fizibilitetit të saj dhe vetëm më pas mundet që të fillohet me privatizimin e saj”, vlerë- soi ai.
Ndërsa, deputeti i tashëm i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma), për “Kosova Sot” tha se botërisht tashmë dihet se ky privatizim i dha të mbrapshtën ekonomike vendit. “Në këtë aspekt Maqedonia e Mali i Zi vepruan ndryshe dhe sot shumë fabrika në këto vende janë gjeneratorë të ekonomisë, punësimit e zhvillimit të qëndrueshëm. Andaj nuk ka asgjë të keqe nëse edhe Kuvendi i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit e bëjnë një hetim të tillë parlamentar”, potencoi ai.
Pasuritë miliardëshe u falën
Afaristi Ramadan Maloku për gazetën “Kosova Sot” tha se ajo që ka ndodhur me procesin e privatizimit në Kosovë është një tmerr, sepse e tërë ajo pasuri që dikur kishte vlerën miliarda është shitur për pak para, kurse veç saj me këtë proces mbetën pa punë mbi 70 mijë veta.”Kuvendi i Kosovës duhet që të fillojë një hetim detaj të procesit të privatizimit, por edhe nga organet e drejtësisë ky hetim duhet të bëhet doemos në mënyrë që të zbardhet se kush ka qenë i implikuar t’i bartë pasojat”, theksoi ai. “Kushdo që ka rënë ndesh me ligjin dhe që ka bërë shkelje të ligjit pa asnjë mëshirë duhet që të hetohet dhe që të jap llogari para ligjit pa marrë parasysh se kush ka qenë në këto pozita, ngase para ligjit askush në çfarëdo pozite qoftë nuk është i mbrojtur dhe të gjithë ata që kanë bërë shkelje në këtë proces dhe që e kanë falur pasurinë e popullit duhet që të japin llogari”, ka potencuar ai. Maloku vlerëson se të gjithë aktorët që ishin të involvuar në këtë proces shkatërrues të ekonomisë sonë tani duhet kërkuar përgjegjësi e llogaridhënie para Qeverisë, Kuvendit, por edhe para drejtësisë.
Ndërsa, eksperti i fushës së inxhinierisë dhe ekonomisë, Aziz Sefedini, për “Kosova Sot” tha se nga ana e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës dhe nga organet e drejtësisë hetimi duhet të bëhet, ngase ka mjaft argumente dhe fakte se edhe njerëzit e politikës në pozita të larta shtetërore dhe partiake janë të përfshirë në këto afera skandaloze të procesit të privatizimit. Sipas tij, këto hetime duhen bërë sa më parë, ngase duke e hetuar tërë rrjedhën e procesit e mësojmë se a janë të involvuar njerëzit e politikës që janë me pozita të larta shtetërore në këtë proces.
(Kosova Sot)


