Kuvendi miraton raportin e kryetarit pa votat e opozitës
Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të hënën, në një seancë të veçantë, të kryesuar nga Izmi Zeka, ka miratuar raportin e punës së kryetarit të Komunës, për periudhën janar -qershor 2013, pa votat e opozitës. LDK votoi kundër, ndërsa AAK abstenoi.
Kryetari Qemajl Mustafa, në raportin e tij të punës i ka nënvizuar arritjet e 6-mujorit të parë dhe ka konstatuar se, me gjithë ndonjë të metë të vogël, rezultatet e përgjithshme janë të pamohueshme. Ai ka nënvizuar se Gjilani shquhet për klimë të mirë politike, ndëretnike e ndërnjerëzore. Jemi komuna ndër më të mirat në krijimin e ambientit për biznes, ka thënë ai.
Mustafa ka lavdëruar të gjitha drejtoritë dhe zyrat komunale, të cilat, kush më shumë e kush më pak, kanë bërë punë të mirë në këtë periudhë. Sa u përket investimeve, ai tha se shkolla e Bujqësisë ka përfunduar, gjimnazi është në përfundim e sipër, ndërkaq së shpejti fillon ndërtimi i shkollave në Shurdhan e Kishnapole si dhe shkolla e Arteve. Ministria e Kulturës, është përcaktuar që në Gjilan ta ndërtojë një qendër rinore, që është një investim kapital prej 500 mijë euro.
Sa u përket investimeve tjera, Mustafa tha se Mirusha, që është projekti më i rëndësishëm për komunën e Gjilanit, po vazhdon të punohet, pavarësisht disa ngecjeve që ka pasur për shkak të natyrave procedurale. Tani kemi siguruar edhe 500 mijë euro nga qeveria për shpronësime dhe po kaq presim t`i marrin më vonë, ka thënë kryetari i Komunës, duke nënvizuar se me gjithë ngecjet, rreth 50 për qind e projektit sa i përket pjesës së kanalizimit, është kryer deri tani.
Në katër fshatra të Zhegrës dhe rrethinës janë lëshuar ujësjellësit, ndërkaq është duke u realizuar projekti i rezervuarit të ujit në lagjen “Kodra e Dëshmorëve”, që është investim zviceran në vlerë 1.5 milionë euro dhe do të zgjidhë problemin e ujit në lagjet periferike.
Mustafa ka thënë se është e vërtetë që në këto dy vitet e fundit nuk ka pasur mjaftueshëm investime nga qeveria, por tha se nuk kanë munguar investimet e donatorëve, duke nënvizuar projektin e Bibliotekës, stadiumin ndihmës, rezervuarin e ujit dhe të tjera. Ai u shfaq optimist se u përket ditëve të ardhshme. “Tani ka ndodhur një rikthim i qeverisë nga komuna e Gjilanit dhe presim që të marrin më shumë investime”, ka thënë kreu i Gjilanit.
“Duke marrë parasysh rrethanat në të cilat jemi, mund të them se në Gjilan është bërë një punë jashtëzakonisht e mirë dhe është krijuar një bazament i rëndësishëm për të lëvizur më shpejt përpara”, ka thënë Mustafa.
Opozita është shprehur me tone kritike për raportin e punës. Arben Mehmeti (LDK), tha se e çmon punën e kryetarit, por raportin e tij e cilësoi një prezantim elektoral.
Ai pati vërejte te angazhimi i disa punëtorëve në shërbimin civil, duke thënë se shërbimet shtetërore nuk mund t`i japin punëtorët e kontraktuar përmes kompanive private.
Sokol Haziri (AAK) e vlerësoi punën e bërë, ndërsa kërkoi shtrirje më të mirë të investimeve si dhe më shumë donacione për fshatin. Arben Maliqi (AKR) tha se raporti është përmbledhës dhe mjaft i mirë, sikurse edhe Arianit Sllamniku, i cili e cilësoi real raportin, por shprehu pakënaqësi te krahasimi i shkollës “Don Bosko” me një shkollë tjetër të rregullt.
Sadudin Berisha (LDK) e rikujtoi kryetarin e Komunës se nuk janë mbajtur premtimet për hyrjet me katër krosi në qytet, ndërkaq raportin e cilësoi marketing. Ramiz Ramadani (LDK), pati vërejtje te bujqësia, duke thënë se projektet nuk duhet të paraqiten në bazë të numrit të fermerëve që kanë përfituar, por të vlerave që janë dhënë.
Sipas Abdyl Aliut (LDK), raporti është lavdërues dhe nuk përkon me realitetin. Jashar Jashari (LDK) tha se edhe në shëndetësi ka probleme.
Vërejtje për pjesën e arsimit, kulturës dhe sportit, bënë Saranda Bllaca, Shpresa Kurteshi, Jehona Hyseni e Bahrije Veseli (LDK). Arsimi në Gjilan ka defekte, ka thënë Bllaca, duke mos u pajtuar me vlerësimin se ai është më i miri në Kosovë.
Arzie Nuhiu (PDK) ka thënë se raporti pasqyron sukseset konkrete në komunën e Gjilanit, ndërkaq nuk u pajtua me vlerësimet e opozitës për arsimin. Bujar Nevzati, drejtor i Arsimit, tha se është e vërtetë që jemi në mesin e komunave më të mira në arsim. “Ende nuk jemi atje ku dëshirojmë, por arsimi i Gjilanit është në rrugë të mbarë për të ecur përpara”, ka thënë ai.
Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, ka kërkuar nga opozita që gjerat e mira që janë bërë në këtë periudhë t`i shohin edhe në aspektin krahasues me periudhat e mëhershme.
Kurse, kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, duke u dhënë përgjigje këtyre vërejtjeve, ka nënvizuar se raporti përmbledh vetëm zhvillimet kryesore, duke shtuar se ka përmendur në raport edhe të meta.
Ndërkaq, duke u ndërlidhur me diskutimin e njërit prej këshilltarëve të opozitës se po t`i besohet raportit, mund të lakmojë edhe ndonjë i huaj për të ardhur e për të jetuar këtu, Mustafa ka thënë se tashmë ka ndërkombëtarë që janë ndalur për të jetuar në Gjilan dhe si shembull ka përmendur ish-shefin e UNMIK-ut, por ka edhe të tjera, ka thënë ai. /rajonipress/


