Kuvendi Komunal themelon të gjitha komitetet

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit ka themeluar të mërkurën 7 komitete, si trupa ndihmëse profesionale të vendimmarrjes, duke e kompletuar kështu strukturën organizative. Më herët ishin themeluar Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) dhe Komiteti i Arsimit (KA).

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, e cila i ka udhëhequr mbledhjet konstituive të Komiteteve, ka thënë se të gjitha Komitetet, obligative dhe joobligative, janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për punën e Kuvendit Komunal, sepse e ndihmojnë atë me rekomandime konkrete në fushat përkatëse.

Bunjaku-Rexhepi ka thënë se të gjitha grupimet politike që përfaqësohen në Kuvendin Komunal, kanë përfaqësim dhe nëpër Komitete.

Sa i përket vërejtjes së përfaqësueses së PDK-së, Arzie Nuhiu, e cila tha se ky subjekt ka qenë dashur t`i ketë dy vende në Komitetin për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Gjinore, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka sqaruar se në marrëveshje me subjektet politike është ndryshuar formula e përfaqësimit, për t`iu krijuar mundësi edhe subjekteve të vogla që të kenë nga një anëtar në ndonjërin prej këtyre trupave.

Prandaj, LDK e PDK janë pajtuar që të tërheqin nga 2 kandidatë të propozuar për komitete të ndryshme, ndërsa AAK e VV – nga një kandidat, ka thënë ajo, duke sqaruar se këta kandidatë do të dërgohen në Komitetin për Kosovë Lindore, që do të themelohet ndërkohë.

Eco Higjiena

Komitet, sipas rregullores kanë nga 7 anëtarë, pos atij për Politikë dhe Financa, që ka 9 anëtarë dhe udhëhiqet nga kryesuesja e Kuvendit Komunal.

Në Komiteti për Komunitete, kryesues është zgjedhur Kemal Shahin nga komuniteti turk, i cili e ka udhëhequr këtë trup në 12 vitet e kaluara. Kryesues i Komitetit për Shëndetësi u zgjodh Imet Rrahmani, i Komitetit për Planifikim Urban – Murat Hoxha, i Komitetit për Zhvillim Ekonomik – Jehona Hyseni, i Komitetit për Shërbime Publike – Isa Agushi, i Komitetit për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Gjinore – Shpresa Kurteshi, ndërsa i Komitetit për Pronë, Kadastër dhe Rindërtim – Nevzad Rushiti. Më herët, kryesues i Komitetit për Arsim është zgjedhur Arben Mehmeti.

Kryesuesit e Komiteteve janë nga LDK-ja, si partia më e madhe qeverisëse dhe shumica e tyre janë zgjedhur me votat e shumicës, me përjashtim të Vetëvendosjes, që ka abstenuar në votim.

Është interesant se kryesuesi i Komitetit për Shërbime Publike, Isa Agushi (LDK) u propozua nga përfaqësuesi i PDK-së, Ilir Tahiri, si kundërkandidat i Ramadan Ajvazit (LDK), i cili u tërhoq nga gara në shenjë pajtimi me propozimin e dytë.

“Isa Agushi është veteran i luftës, prandaj e propozova që të jetë kryesues i Komitetit për Shërbime Publike”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se në këtë rast, nuk ka rëndësi partia.
Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi u ka dëshiruar punë të mbarë Komiteteve, duke kërkuar që në punën e tyre, gjithmonë t`i kenë parasysh interesat e qytetarëve./rajonipress/